Gëzim Muçolli dhe Mark Simoni , Padova, 17 nëntor 2014
ME MARKUN NË QYTETIN E ANTENORE-S
Sot paradite takova mikun tim të nderuar Mark Simonim i cili para pak ditësh ka ardhur për vizitë te djali i tij Girni, student i Universitetit të mirënjohur të Padovas.
Marku i nderuar me aktivitetin e tij si krijues, kritik dhe botues ka ringjallur aspekte të rëndësishme të artit dhe kulturës në nivele gjithëkombëtare. Nxjerrja në dritë e gazetës “Muzgu” dhe botimi mujor i antologjive tematike u ka dhënë rast duke vënë në lëvizje dhe orientim të mirëfilltë qindra krijuesve që kanë njohur emocionet e publikimit të krijimeve poetike sidomos në rrjetet sociale por pa e njohur peshën e analizës kritike dhe emocionet e konkurrencës së vlerave.
Dhurata e fundit nga Mark Simoni është ringjallja e revistës kulturore “Drita” me histori mbi njëqind vjeqare e cila është organ i Lidhjes së shkrimtarëve të Shqipërisë, punë kjo e shenjtë me simbolikën e Feniksit dhe premtuese në pasurimin e mozaikut kulturor dhe artistik kombëtar.
Marku zakonisht ka shumë punë
por gjithmonë është i disponuar të ndajë me dashamirësi kohën e paktë të lirë me miq.
Kështu sot paradite u takuam me Markun te Piazza dei Signori në zemër të qendrës historike të Padovas. Vend i bukur poshtë Orës së madhe me elemente yjore dhe të horoskopit, përballë Sallës së Gran Guardia dhe shtëpisë së Xhelatit, plot sugjestion për kohët e kaluara dhe të tashmen e Italisë.
Në hapërimin mes piacave të qendrës historike dhe Universitetit i thash Markut si për mahi se i kam ndarë rolin e Dantes duke ruajtur për veti rolin e Virgjilit duke aluduar në “Ferrin” e krizës aktuale që po kalon shteti italian. Biseda jonë vazhdoi mes kujtimesh për dimensionin e kulturës para dy-tre dekadash dhe gjurmëve të pashlyeshme shpeshherë edhe negative të aktualitetit. Pas një shkëmbimi propozimesh edhe për projekte të ardhshme të bashkëpunimit, duke dalur nga ambientet e bar Margherita e bëmë të pavdekshme paraditën e 17 nëntorit në Piazza delle Erbe me imazhet e sfondit urban, para harkut te nënkalimi te Palazzo della Ragione.