Kthehem nga puna e rënduar nga lodhja dhe pres vikendin e radhës për t’u çlodhur.
Shtrihem në kanape e sytë më shkojnë në portretin e varur përballë meje në mur.
E qiltër dukej në portret siç qe edhe vet shpirti i saj, me dorën e djathtë në tëmth sikur mendonte- thellë mendonte.
-Po vallë ç’mendonte?!
Befas zgjohem, ofroj një gotë ujë pranë vetes, për të freskuar mallin e përvëluar ndër dejë.
-A thua vallë, ç’mendonte Etja?! A mos mendonte rrugën e pa kthim…
Duke shikuar analizoja çdo pjesë të fytyrës së saj në mënyrë milimetrike.
Kujtesa mu kthye prapa, shumë, pas në vite e më dërgoi në brendinë e asaj dhome ku rrinim bashkë dikur.
U mblodhëm të gjithë së bashku atë natë. Ne motrat kishim ardhur të gjitha nga shtëpitë tona e prindërit dhe vëllezërit ishin aty. Nuk kishim kordinuar planin që të ishim së bashku, por kot nuk thonë se rasti është mbret i botës.Dhe për atë mbrëmje vërtet i tillë ishte.
Jeta kosovare frymonte me skamjen, varfërinë dhe mbi të gjitha me terrorin shtetëror që mundohej të vriste çdo gjë shqiptare.
Portreti i saj brenda në kornizë, e varur në murin përballë meje më fliste shumë. Thua se ajo filloi t’i zbërthejë një nga një ditet e historisë së saj. Sikur donte të më fliste për rrebelimin e saj rinor kundër atij pushteti që ishte mohues i çdo gjëje shqiptare dhe për tërë kontributin e saj ,i cili nuk ishte i pakët. Ajo sikur më fliste qetë e më thoshte: “Mua mu ndal për gjysmë shkollimi për të vetmen arsye se u mundova dhe u përpoqa që të tjerët pas nesh ta gëzojnë këtë të drejtë pa ndonjë problem. Mua nuk më dhimben ditët që në turturë m’i kthenin nëpër ato ”dhoma” të errëta të kazamateve serbo-sllave për t’ua mundësuar gjeneratave të reja që jetën ta kenë të lire, e ta gëzojnë siç duan vet ata. Mua nuk më dhemb që koha ime së bashku me trupin tim u burgos dhe më dënuan në ”emër të popullit”- të këtij populli për të cilin unë luftova që të jetë i lirë,”…
E unë sërish kërkoj gotën me ujë për të freskuar mendimet e për të kujtuar atë karakter të fortë njeriu, atë luftëtare dhe atë kontribuese të çështjes kombëtare, e cila për asnjë moment nuk kurseu asgjë për atdheun. Kujtimet në mua zgjohen në mënyrë rrebeluese e më fusin në çdo cep të kujtesës sime, e më kthejnë prap tek ajo dhomë ku ishim të gjithë së bashku, tek ajo dhomë ku gumëzhinte nga të qeshurat tona edhe pse skamja, presionet shtetërore dhe vuajtjet që përcillnin popullin krijonin vështirësitë e llojit të vet. Ne, brenda vetes sonë, brenda atyre mureve të asaj dhome të ngrohtë e ndjenim veten zot të gjithçkaje.
Koha ecte me shpejtësinë e vet e natës ia shkurtonte orët. Mëngjesi afrohej. Për disa sekonda mbretëroi një heshtje. E heshtja sikur kafshoi shpirtin e saj dhe e bëri për ta qarë atë heshtje. Ajo na tregoi për vendimin që kishte marrë. Na tha se do ta linte Kosovën sepse çdo rrugë për jetesë në tokën e Kosovës ishte mbyllur për të. Vendimi ishte i pashmangshëm. Dëshironte të ndërtonte një jetë më të mirë për birin e saj edhe pse për vete nuk e kishte menduar edhe në rastet më të rënda, edhe atëherë kur i rrezikohej jeta. Vendimi që kishte marrë e vrau fort shpirtin e saj, por ishte i pashmagshëm.
Dita për ta lënë Kosovën erdhi. Ajo kishte vendosur të shkonte në Suedi. Këtu fitoi të drejtën e qëndrimit.Edhe prej këtu deshi të bëjë më të mirën e mundshme për vendin e saj. Kontribuoi në mënyra të ndryshme për Kosovë, mundohej me cdo kusht te bente me te miren per njerzit ne atdhe, duke ndihmuar mësimdhënësit, të cilët punonin në
mënyrë krejt vullnetare në atë kohë.
Ishte pjesmarrëse në të gjitha demonstratat që organizoheshin nga shqiptarët në të mirë të çështjes të Kosovës.
Dita e kobshme dhe fatale për të shumë shpejt arriti.
Ende pa u rritur filizat e saj,akoma pa ua mësuar alfabetin shqip, ende pa ua shpjeguar Kushtrimit dhe Kastriotit domethënien e emrave të tyre dhe ende pa arritur t’i brumos me ndjenjën për atdheun , iku për të mos u kthyer më kurrë.
Etja iku në rrugën e pa kthim