Rok grupi kosovar “Troja” është duke punuar në këngë të reja të cilat do të lansohen vetëm pas Vitit të Ri, ka bërë të ditur për Telegrafi.com anëtari i këtij grupit, Violand Shabani. Të katër anëtarët e njërit nga bendet më të mira të rokut kosovar, Bujar Berisha, Florent Bajrami, Agron Ejupi dhe Violand Shabani, aktualisht janë të angazhuar në krijimet e reja të tyre, të cilat së shpejti pritet të arrijnë në veshin e publikut. “Jemi duke punuar në disa këngë. Nuk ka asgjë definitive se kur do t’u realizohen videoklipet, por besojmë që pas vitit të ri do të sjellim diçka të re”, është shprehur Violand Shabani. Gjatë muajit nëntor “Troja” realizoi njërin prej koncerteve më të bujshme të vitit, me sloganin “The young gettopeans”, që ishte edhe një protestë për mos liberalizimin e vizave për Kosovën. Violandi këtë koncert e ka quajtur shumë të suksesshëm dhe ka zbuluar se videoja e koncertit më 1 janar do të transmetohet në televizionin “KohaVizion”. “Jemi duke e montuar koncertin i cili është mbajtur gjatë muajit nëntor. Ky koncert ka qenë shumë i suksesshëm dhe ne kemi vendosur që për festat e fundit-vitit, saktësisht me datën 1 janar, ta transmetojmë në Kohavizion”, ka pohuar ai. Rokerët e “Troja” po ashtu shpresojnë që vitin e ardhshëm të realizojnë turne nëpër gjithë Kosovën.