Ka ardhur koha që të ndryshohet kjo praktikë. Shkolla shqipe në diasporë duhet institucionalizuar, ashtu si kanë vepruar ose veprojnë edhe komunitetet e tjera. Deri më sot shkollat shqipe në emigrim janë krijuar me mbështetjen e shoqatave, kishës dhe xhamisë, ose edhe me iniciativa krejt personale, me numër tepër të kufizuar nxënësish, mënyra të tilla – por që dihet se nuk kanë pasur asnjëherë sukses, për t’ia arritur qëllimit.
Vetëm në Nju Jork, (Staten Island, Brooklyn dhe Bronx), që mbahen si qendrat shqiptare ku gjithmonë ka pasur shkolla shqip, në 50 vjetët e fundit janë hapur e mbyllur disa herë shkollat shqipe. Të vetmet shkolla që kanë pasur deri tani në komunitet dhe sukses, kanë qenë shkollat e hapura pranë kishës dhe xhamisë, të cilat duhet theksuar se nuk kanë pasur vetëm karakter fetar, por edhe kombëtar; aty është bërë mësimi i gjuhës shqipe, historia, arti e kultura, sporti, si dhe janë mësuar këngë e valle shqiptare.