Ndodh shpesh që një i porsalindur të shohë Tv në mënyrë indirekte. Përpara se ai të flasë, apo të ecë, ka marrë informacionin e duhur nga imazhet televizive.Arrin të njohë tingujt që dalin nga TV-ja dhe sytë e tij janë të tërhequr me shpejtësi drejt figurës. Mund të thuhet se televizori është tashmë pjesë e jetës së tij. Nga mosha një vjeç e gjysmë deri në moshën dyvjeçare ai mund të shohë një program të shkurtër.
Siç e shpjegojnë pediatrit-psikologë, “fëmija në këtë moshë tërhiqet nga gjithçka që sheh. Kështu që TV-ja, e cila transmeton tinguj dhe shumë figura është një parajsë e vërtetë për të. Flitet për një informacion që ai e merr lehtësisht, pa u munduar fare, prandaj ka një sukses të jashtëzakonshëm në këtë moshë”.
Mund të thuhet se fëmija në ketë moshë tërhiqet spontanisht nga televizioni. Të takon ty si prind të kufizosh oraret e shikimit.
Mos e lër ‘kurrë përpara TV-së me një kuti me karamele. Vendos rregulla të qarta dhe fikse. Jo më shumë se 30 minuta në ditë për fëmijët deri në katër vjeç dhe jo më shumë se një orë në ditë për gjashtëvjeçarët. Zgjidhni së bashku me fëmijën tuaj programin e preferuar dhe përpiquni të jeni dhe ju të pranishëm, në rast se ai do t’ju kërkojë ndihmë!