Kriza politike në vend ka ndikuar që Kosova të mos anëtarësohet gjatë këtij viti në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), thonë zyrtarë të qeverisë në dorëheqje. Por, sipas tyre, një akt i tillë mund të ndodhë në muajt e ardhshëm. Zgjedhjet e 12 dhjetorit, përfaqësuesit e qeverisë në dorëheqje i konsiderojnë arsye të mosanëtarësimit të Kosovës në BERZH.
Por, pas përfundimit të procesit zgjedhor, Ahmet Shala, ministër në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave, shpreh bindjen se Kosova do të jetë pjesë e këtij mekanizmi.
Do të mund ta konkludonim përmbylljen e këtij procesi, sikurse të mos ndodhte ajo çfarë ka ndodhur me institucionet e Kosovës.
“Do të mund ta konkludonim përmbylljen e këtij procesi, sikurse të mos ndodhte ajo çfarë ka ndodhur me institucionet e Kosovës. Megjithatë, unë besoj se ky proces do të përmbyllet shpejt, pasi ritmi i veprimeve është ngadalësuar për shkak të zgjedhjeve të parakohshme”, tha Shala.
Sipas tij, autoritetet përgjegjëse tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për anëtarësim në këtë mekanizëm ndërkombëtar.
Ekspertë për çështje ekonomike thonë se anëtarësimi i Kosovës në BERZH do të ndikojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit. Për këtë arsye, Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se Kosova ka nevojë të jetë pjesë e një institucioni të tillë. BERZH-i ofron financim me kushte të volitshme për projekte kapitale dhe infrastrukturore.
“Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme, për arsye se BERZH-i ofron financim me kushte të volitshme për projekte kapitale dhe infrastrukturore, të sektorit publik, por edhe të sektorit në privat, të përmasave që ne tani ne nuk i kemi”, sqaron Musa.
Rëndësia e prezencës së kësaj banke në tregun kosovar, sipas Musës, qëndron në ndihmesën që ofron për sektorin privat, rrjedhimisht kompanitë fillestare. Përveç kësaj, shton ai, ndikon pozitivisht edhe tek investitorët potencialë.
“Nëse Kosova do të anëtarësohej në BERZH, është një sinjal i mirë edhe për investitorët e huaj. Arsyeja kryesore qëndron në atë se hapen opsionet ose alternativat për burime të ndryshme të financimit”, vlerëson Musa.
Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim vazhdimisht ka ndihmuar projekte të ndryshme, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.