NOSTALGJIA PËR SANREMON

Nga  Ndue  Lazri

Ra edhe sipari i Festivalit të Sanremos, ose më mirë i festivalit të këngës italiane. Pas 5 mbrëmjesh të gjata, ku kishte më pak muzikë e më shumë show, i 62-ti festival u mbyll mes shumë diskutimesh e polemikash, e ku fituese u shpall një këngëtare e re, Emma Marrone me këngën  “Non è l’inferno” (Nuk është ferri). Një këngëtare e talentuar e me temperament, që po i imponohet me aftësitë e saj vokale e interpretuese botës së spektaklit e të muzikës italiane. Vitin e kaluar ajo u rendit në vendin e dytë në festivalin e Sanremos me një këngë mjaft të bukur. Kurse këtë vit fitoi. Në 62 vjet histori të Festivalit të Sanremos ky është rasti i tretë kur një këngëtar në dy vjet njëri pas tjetrit pushton vendin e dytë e pastaj të parë në garën e këngës italiane. Para saj e kishin arritur këtë sukses Tedy Renis e Bobby Solo.

    Një e veçantë tjetër ishte fakti që këtë vit në podiumin e fituesve u ngjitën tri gra: Emma, Naomi e Arisa, që të tria të reja në moshë por që në vitet e fundit janë afirmime me vlerë në muzikën e lehtë italiane. Dhe që të tria me këngë të kompozuara nga burra. Mbase në këtë rast burrat mund të merrnin “revanshin” e tyre duke thënë që “pas një gruaje të suksesshme qëndron një burrë i suksesshëm”.

     Sanremo (në Itali emri i këtij qyteti të bukur të bregdetit të Ligureve identifikohet me festivalin), është një eveniment me rëndësi në jetën kulturore e atë të përditshme italiane. Për të flitet të paktën një muaj në tërë shtypin e mediat, por edhe në familjet italiane (dy javë para fillimit e dy javë pas përfundimit të tij). Para tij flitet për pjesëmarrjen, për të ftuarit e rëndësishëm nga tërë bota, për modelistët që do të veshin këngëtarët e drejtuesit e festivalit, për pagesat tepër të larta që u rezervohen presantuesve e sidomos të ftuarve të veçantë. Bie fjala, i ftuari më i rëndësishëm për këtë vit ishte mbreti i rock-ut italian, Adriano Celentano. Zëra pro e kundra, debate me ditë të tëra përse atij i ishte rezervuar pagesa prej 700 mijë eurosh për 70 minuta pjesëmarrje në dy net të festivalit (i takon 10 mijë euro në një minutë) në një kohë kur qindra mijëra familje italiane nuk arrijnë të mbyllin muajin në kushtet e krizës së tmerrshme ekonomike e kur një punëtor i thjeshtë një sasi  të tillë parash nuk e fiton në 40 vite punë që i duhen për të dalë në pension. E Celentano, në përgjigje të këtyre debateve, vendosi që tërë shumën ta jepte në bamirësi për spitale në vende të varfra të botës, madje mori përsipër të paguante nga xhepi i tij taksat që i takonin lidhur me këtë shumë.

   Gjatë e pas festivalit në shtyp e media flitet më shumë për dukuritë jashtëmuzikore që solli festivali se sa për këngët e tij. Duket sikur ato u lihen më shumë shtëpive diskografike e shijes së dëgjuesve që të blejnë të lirë këngët e tyre të preferuara, ku shpesh në krye për shitje të lartë janë këngë të ndryshme nga ato që kanë fituar në festival. Dukuri e njohur. Kurse flitet për orë e orë në të tëra TV e shkruhet në gazeta për thashetheme, për skandale në skenën e festivalit e prapa kuintave për nivelin e lartë të shikuesve që arriti kjo apo ajo pikë e zhvillimit të festivalit. Bie fjala, bukuroshja argjentinase Belen Rodrigues, i ngriti në yje si nivelin e shikuesve, ashtu edhe atë të debateve rozë me gjestin e saj, se zbuloi pjesët intime në skenë për t’i treguar publikut në sallë e telespektatoreve që nuk vishte të mbathura e në vend të tyre kishte tatuazhin gjithashtu shprehës të një fluture të vizatuar në njërën anë. Ose një nga pikat kulmore për nivelin e shikuesve ishte momenti kur Celentano në “predikën” e tij prej profeti u shpreh se duhen mbyllur organe të tilla shtypi të Vatikanit si “Avvenire” dhe “Famiglia cristiana” sepse nuk flasin sa duhet për parajsën por ngatërrohen me politikë. Pa dyshim,  të kritikosh një ose disa organe shtypi për nivelin e tyre, është një e drejtë legjitime jo vetëm e Celentanos, por e kujtdo.Por të flasësh për mbylljen e tyre, është shprehje e kufizimit të lirisë së mendimit. Por Adriano është mjeshtër i provokimeve  dhe e di se provokimet e tij sjellin audience të lartë e kjo për finanzat e RAI-t do të thotë miliona euro.

   E titullova këtë shkrim  “Nostalgji për Sanremon” pikërisht duke patur parasysh këtë invazion të showt në kurriz të anës muzikore të festivalit. E ne që jemi rritur me Sanremon, që e ndiqnim atë në radio edhe atëherë kur nuk ishte ende televizioni, që përfshiheshim nga ethet e garës së këngëve me dy interpretime nga yje të pakthyeshme të këngës e skenës italiane, e ndjejmë vërtet atë nostalgji. Jo se nuk e pranojmë transformimin, modernizimin, ecjen përpara të muzikës me shijet e kërkesat e kohës e të publikut me moshë të re, por na vjen keq që logjika finanziare e reklamave evidenton në skenë skandalin përpara muzikës, diskutimet boshe e gossip-in përpara vlerësimeve professionale të krijimtarisë. Të vjen keq që një nga pikat më emocionuese të festivalit, dueti i Adriano Celentanos me Gianni Morandin me këngën e mrekullueshme të Adrianos “Penso a te e il mondo cambia” (Mendoj për ty e më ndryshohet bota”, kaloi gati në heshtje. Ky duet dhe pjesëmarrja e Lucio Dallës përkrah një djaloshi të ri, ishin të vetmit përfaqësues të viteve të arta  (vitet ’60) të muzikës italiane e treguan se ata, pavarësisht nga mosha, dijnë të jenë novatorë e mbeten të mëdhenj.

   Jo vetëm ai duet i interpretuar bashkërisht, por edhe mënyra e komunikimit në skenë gjatë netëve të festivalit, fliste për atë miqësi që i lidh dy idhujt e muzikës italiane që nga ajo periudhë e artë. E pikërisht për nostalgjikët e atij brezi këngëtarësh, gërmova e gjeta disa pika të përbashkëta që i ka bërë Adriano Celentanon e Gianni Morandin aq të dashur për ne.

  -Unë e adhuroj Sanremon që kur në vitin 1958 pashë të këndonte në skenën e tij i famshmi Claudio Villa. E duke parë atë, më lindi dëshira të bëhesha këngëtar- thotë Gianni Morandi.-Por nga dëshira, deri tek ngjitja në skenë është një rrugë e pafund. Në fakt ai e nis rrugën e këngëtarit vetëm e aty nga viti 1962 (50 vjet më parë). Në një qytezë në rivierën Adriatike ai po regjistronte diskun e tij të parë me titull “Andavo a cento all’ora” (Udhëtoja me 100 km në orë). Adriano më dëgjoi dhe më kërkoi të bashkohesha me klanin e tij. Ai ishte 24 vjeç e i njohur në atë kohë, unë 17 vjeç dhe isha fans i tij. Desha të shkoja pas tij, por impresario im më ndaloi duke më thënë: “Jo, ti duhet të bësh rrugën tënde për hesapin tënd, nëqoftëse dëshiron të bëhesh dikush. Keni dy mënyra të ndryshme interpretimi”,-tregon Gianni.

   Pavarësisht se nuk u bashkuan në klanin Celentano, rruga e tyre e karrierës ka pika të ngjashme. Për shembull, në festivalin e Sanremos të vitit 1961 Adriano do të paraqitej me këngën “Il tuo bacio è come un rock” (Puthja jote është si një rock). Por rrezikonte të mos merrte pjesë, sepse ishte duke kryer shërbimin ushtarak e duhej leje speciale. U detyrua vetë ministri i mbrojtjes italiane të asaj kohe Giulio Andreotti të firmoste lejen për atë djalosh të talentuar. E Adriano e justifikoi lejen, sepse u rendit në vendin e dytë në atë festival. Historia do të përsëritej në vitin 1967, por këtë radhë me shërbim ushtarak ishte Gianni Morandi e rregullorja e donte që për 6 muaj të mos kishte të drejtë leje.Por u sigurua mundësia që ai të  merrte liridalje e të shkonte të bënte prova pikërisht me Celentanon në Milano.

   Të ngjashme janë edhe historitë e tyre të dashurisë. Në vitin 1963 Adriano njihet me Claudio Morin gjatë regjistrimeve të filmit “Uno strano tipo”. Dashurohen dhe më 14 korrik 1964, në ora tre të mëngjesit shkojnë e bëjnë martesën në një kishë në Toscana për të mënjanuar praninë e paparazëve, të fansave e të kuriozëve. Gianni Morandi njihet me gruan e tij të parë Laura Efrikian, në vitin 1964 gjatë xhirimeve të filmit muzikor  “In ginocchio da te” (Në gjunjë përpara teje). Dashurohen dhe më 13 korrik 1966 bëjnë martesën fshehurazi për të njëjtat motive si çifti Celentano.

   Karriera artistike i ka bashkuar sa e sa herë në skenën e Sanremos si konkurentë të këngës, por përherë miq të mirë, i ka bashkuar në skuadrën e futbollit të këngëtarëve të njohur italianë për të zhvilluar ndeshje bamirësie, i ka bashkuar në Lourdes kur kanë shkuar në procesion e në ndihmë të të sëmurëve etj.

   Në vitin 1972 Gianni Morandi u ngjit në skenën e Sanremos si këngëtar. 40 vjet më vonë ai ngjitet në këtë skenë për herë të dytë radhazi si drejtues e prezantues i festivalit. E të ftuar nderi ka mikun e një jete, Adriano Celentanon. Këndojnë bashkë një këngë emocionuese.

   -Për mua ishte ëndërr ta kisha Adrianon të ftuar në festival, -thotë Gianni.-Adriano është Italia.

   E Adriano, si për t’u dhënë përgjigje mediave që kishin shkruar se ky është festival i Celentanos, duke përshendetur publikun thotë: -Ky është festivali i Morandit.

   Ja, edhe për këto, ne nostalgjikët do të ndjejmë gjithnjë nostalgji për Sanremon, edhe pse e ndjekim për 5 mbrëmje të gjata çdo vit.

        Ndue  Lazri

Author: admin