Në këngët e saj ka sfidë, ku të sfiduarit janë gjithmonë meshkujt. Por tashmë me një trofe perfomace nga festivali “Kënga Magjike”, Zajmina Vasjari ndihet e lumtur. Është në ditët e saj më të mira, ndërsa po përjeton një histori dashurie, të cilën preferon ta mbajë ende për vete. Në këtë intervistë ajo tregon për sekretin e elegancës, preferencat që ka për meshkujt dhe të ardhmen e saj, që do ia kushtojë vetëm arkitekturës.
Zajmina, ke fituar çmimin “Perfomanca më e mirë” në “Kënga Magjike” me një krijim me titull “Një me gjashtë”. Je e kënaqur me çmimin dhe sa kohë t’u desh për të përgatitur perfomancën?
Jam shumë e lumtur me çmimin, pasi në fund të fundit unë për atë çmim isha përgatitur më shumë dhe më duket sikur mora atë që meritoja. Për performancën kisha dy muaj që kujdesesha dhe ushtrohesha me grupin e baletit, që gjej rastin t’i falenderoj të gjithë, e në veçanti koreografen time, Anna Lika.
Këtë vit gjithë sikleti i këngëtareve ishte të votonin hapur për kolegët e tyre. Ti si u ndjeve dhe a të shërbeu për të njohur miqtë e vërtetë?
Unë e mora me shumë kënaqësi fillimisht këtë lloj votimi, pasi do votoja lirshëm dhe do e merrja vesh sesi më kishin votuar kolegët. Por fatkeqësisht gjithmonë ka njerëz që të prishin humorin në fund dhe aq më keq kur këta njerëz hiqen si miqtë e tu. Megjithatë, nuk jam marrë me asnjë pasi në natën finale doja vetëm të shijoja çmimin. Miqtë më të mirë për mua dhe që më kanë qëndruar pranë gjatë spektaklit “Kënga Magjike” janë Rozana dhe Dani, Noizy, Çiljeta dhe Ronela Hajati.
U kushton shumë rëndësi numrave të baletit në skenë, duke u identifikuar si këngëtarja që sjell perfomanca të veçanta. Ndjek kurse kërcimi dhe si e mban trupin në formë, pasi je ndër të paktat këngëtare që ruan elegancën?
Jo, nuk marr leksione danci, por e kam në gjak kërcimin dhe nuk e imagjinoj dot jo vetëm skenën apo klipet por as jetën pa kërcim. Përsa i përket trupit, bëj vetëm palestër rregullisht prej vitesh.
Gjatë intervistës në backstage nga Ardit Gjebrea, ti pohove se në fakt në jetën tënde, të shtatë ditët i kalon me një person që të bën të lumtur. Mund të na thush më shumë për të dashurin?
No comment.
Në stilin tënd identifikohesh me këngë me të cilat sfidon meshkujt. Në jetën reale ti je femra që u tregon vendin atyre që të mërzisin apo je tipi i duruar?
Përmbajtja e këngëve është në varësi të ideve të kompozitorit dhe tekst-shkruesit, pasi jo gjithmonë këngëtari e ka përjetuar atë që këndon. Por duke qenë se ne këndojmë për publikun. Unë përpiqem të gjej tema që prekin shumicën e audiencës. Se të ishte për mua si Zajminë do bëja gjithmonë këngë romantike.
Pas “Kënga Magjike”, cila është axhenda jote? Ke marrë ftesa për koncerte dhe a ke bërë plan të realizosh ndonjë klip në prag të festave?
Këtë javë unë u jam rikthyer koncerteve pas një shkëputjeje për “Kënga Magjike” dhe studimeve në universitet. Duke qenë se turi i koncerteve përfundon në janar, pas festave besoj se do punoj për një videoklip.
Këngëtarët i lidh më shumë puna me artistët, po rrallë krijojnë lidhje me ta. Ti çfare preferencash ke për njeriun e jetës?
Nuk ka lidhje për mua nëse është i njohur apo anonim, mjafton që të më plotësojë mua.
Përsa i përket look-ut, pas rikthimit tek e zeza duket se ndihesh më mirë me këtë ngjyrë flokësh. Ke menduar të bësh një ndryshim tjetër drastik?
Po është e vërtetë. Ndjehem shumë mirë, madje shpeshherë më duket sikur kurrë nuk kam qenë bionde, nuk besoj se do ndryshoj për momentin por në të ardhmen nuk i dihet.
Nëse do flisnim për studimet e tua, arkitekturën. Si e sheh veten në këtë profesion, a do i përkushtohesh në të ardhmen?
Ky është profesioni im. Të gjitha të tjerat janë hobi apo pasione, ndërsa arkitektura është e ardhmja ime.