Valbona Coba, jeta e nje missi

Ajo është bukuri që mbahet mend. Është nga ato vajza që njëherë ta shohësh nuk e harron. 20 vjet më parë me brishtësinë e moshës, Valbona Çoba mori pjesë në konkursin e parë të bukurisë dhe aty jeta e saj u nda në; para dhe pas miss-it. Pas 20 vjetësh jeta i ka ndryshuar katërcipërisht. Ka prekur ëndrrat dhe ka shkuar me tej nga sa e kishte imagjinuar, kur në moshë fare të vogël merrte kordonin e hekurit dhe interpretonte rolin e prezantueses televizive. Sot kemi folur me një Çobë që i ka provuar të gjitha, të jetë një modele e suksesshme dhe të jetë pjesë e shtëpive të modës më me emër në botë. Para saj janë shkrepur me miliona blice aparatesh dhe është ndriçuar nga qindra prozhektorë. Por Valbona na tregon se bukuria nuk është vetëm te pamja e jashtme, ajo tregohet edhe më tej, duke qenë më e thellë dhe për të një femër mund t’i ketë të dyja. Missi fotozhenik i ’91-it në një intervistë për “Shekullin” na rrëfen gjithçka që nga momenti kur vendosi për herë të parë kurorë mbi kokë e deri në mëngjeset e fundjavës me bashkëshortin e saj. Një vit më parë fotomodelja më e famshme në Shqipëri vendosi të celebrohej dhe lidhjen e saj të gjatë ta certifikonte me një ceremoni që u komentua jo pak edhe në Shqipëri.

Znj. Çoba si shkuan pushimet?

Sapo jemi kthyer në fakt. Kaluam shumë bukur.

Ju kujtohet momenti kur keni vendosur për herë të parë kurorë në kokë, çfarë nostalgjie ke?

Me kujtohet posi jo. Mbaj mend që nuk isha e gëzuar aspak sepse në të vërtetë dëshiroja vendin e parë. Po kjo ishte atëherë. Tani, kur kthej kokën pas e shikoj çfarë rruge mori karriera ime dhe nëse atëherë do e dija çfarë do ndodhte më pas me mua, nuk do isha mërzitur aspak. Gjithsesi mbetet akoma një kujtim i bukur!

Nga një vajzë tashmë jeni një “grua”. E ndjeni diferencën?

Sigurisht që jeta ime tani nuk është njëlloj si me parë, për shumë arsye. Tani kam më shumë përgjegjësi si individ sepse shtohet përgjegjësia e familjes, por nuk e ndjej aspak diferencën e termave midis “grua” dhe “vajzë”. Unë ndihem akoma vajzë. Mendoj që ky ndryshim vjen nga mënyra se si ndihesh në shpirt. Unë them se do kem gjithmonë shpirt vajzëror dhe uroj të mos e humbas këtë. Mendimi i të ndjerit “grua” më duket sikur më shton në moshë dhe më plak.

Jeni martuar vetëm disa muaj më parë, si po shkon martesa?

(qesh). Faleminderit për këtë pyetje. Po shkon shumë mirë. Por ne kishim disa vite që bashkëjetonim kështu që për mua, celebrimi apo martesa ndryshoi vetëm gjendjen civile timen, por jo marrëdhënien tonë.

Erdhi martesa në kohën e duhur, në momentin e duhur?

Në të vërtetë martesa s’ka qenë aspak në planet mia. Asnjëherë nuk e përfytyroja veten të martuar. Ndoshta kjo kishte të bënte me tipin tim shumë të pavarur, se di… patjetër që erdhi personi i duhur në momentin e duhur.

Dhe pas martesës pritet një fëmijë. Valbona është gati të bëhet nënë?

Nuk mund të them se sa shpejt do vijë, po absolutisht është në planet tona

Është e vështirë të jesh femër e bukur?

Ndoshta pyetje e çuditshme, por mund të qëndrojë. Asnjëherë nuk është vetëm keq ose vetëm mirë. Ka elokuencat e saj dhe të qënurit i/e bukur. Sigurisht që shumë dyer hapen më lehtë. Por kur njerëzit më kanë bërë komplimenta për bukurinë ka qenë një përgjegjësi më e madhe për mua sepse kërkoja nga vetja që ta suportoja atë me virtyte të tjera. Nuk do pranoja kurrsesi që pamja e jashtme të ishte e mjaftueshme dhe dikush kur të fliste për mua të thoshte është vetëm e bukur dhe kaq! Bukuria duhet të vijë medoemos nga brenda dhe kjo është një punë e vazhdueshme.

Kur keni pasur vështirësi nga të qenit e bukur?

Të qënit modele e bukur dhe e suksesshme, sidomos me parë, vinte dorë për dore me mendimin që s’mund të ofrojë më shumë se kaq. Gjithmonë më ka revoltuar ky mendim. Për shembull, kur diskutoja për ndonjë libër filozofik dhe shihja fytyra të çuditura që mendonin se si kishte mundësi që një modele të lexoj një libër filozofik. Ndërsa për mua ishte absurde të mos lexoja libra të tillë për shumë të tjerë ishte një çudi që unë i lexoja vërtetë.

Jeni penduar ndonjëherë që i jeni futur kësaj rruge?

Jo asnjëherë. Kam menduar që të kisha bërë disa gjëra ndryshe, p.sh të kisha ardhur në Amerikë më parë. Por kurrsesi nuk e kam çuar nëpër mend që “ç’pata që ju futa kësaj rruge”.

Jeta juaj, sidomos pas përzgjedhjes si misi i parë shqiptar, ka qenë intensive dhe impenjative, por në fakt kur mendoni, ju kujtohet fëmijëria juaj, shoqet, çfarë mbani mend nga ajo kohë ?

Patjetër që më kujtohet. Unë s’do isha një person i formuar pa këtë pjesë të jetës sime. E kam ndarë fëmijërinë ose jetën në Shqipëri në dy pjesë: përpara dhe pas mis-it. Përpara misit unë isha një fëmijë normal gjithmonë pjesëmarrëse në çdo aktivitet, qoftë artistik, qoftë dhe fizik. Shkoja në pallatin e pionierëve, në klasë fizkulture, gjithmonë pjesëmarrëse dhe shumë herë fituese në garat midis shkollave apo qyteteve. I ndalova ato kur fillova gjimnazin. Në gjimnaz filloi periudha pas mis-it. Kemi qenë një grup shokësh dhe shoqesh të ngushtë dhe fillimet e kësaj shoqërie, për shumë prej nesh i përkasin kopshtit. Më pas, bashkë në fillore, bashkë në 8-vjeçare, bashkë në gjimnaz. Madje dhe kur linim ndonjë klasë mësimi e linim së bashku. Shumë kujtime të bukura! Kur mbaruam gjimnazin ne nuk kishim mbrëmje mature po i lamë secilit kujtime të shkruara në një bllok. Unë akoma e mbaj me vehte këtë bllok dhe e shfletoj herë pas here. Është nga gjërat e mia më të vyera!

Keni kontakte me miqtë e fëmijërisë ?

Posi jo. Faleminderit facebookut nëpërmjet të cilit u lidhëm sërish. Kisha kontakt të vazhdueshëm vetëm me dy prej tyre. Por tani jam në kontakt me të gjithë. Disa prej tyre erdhën në dasmën time dhe ishte vërtetë prekëse për mua ta ndaja këtë moment të jetës me ta. Me lejo të përfitoj me këtë rast dhe ti falenderoj që erdhën dhe me dhanë mundësinë ti kem të pranishëm në këtë moment te rëndësishëm për mua! Faleminderit.

Fakti që keni udhëtuar shumë , çfarë ju ka mësuar?

Shumë. Çdo udhëtim, çdo shtet, çdo qytet ka qenë një eksperiencë më vete. Dhe unë kam marrë dhe jam bërë pjesë e asaj kulture apo eksperience dashur pa dashur. Absolutisht më ka ndihmuar të jem personi që jam sot. Dhe më ka dhënë mundësinë të flas 5 gjuhë ( qesh).

Po kur vini në Shqipëri, çfarë gjeni dhe çfarë lini pas kur ikni?

E para gjë që gjej janë ndryshimet në Tiranë. Asnjëherë një rrugë nuk ngjan siç e kisha lënë. Pa tjetër do këtë ndryshuar diçka ose po ndërtohet ose po rrezohet vazhdimisht. Kur unë vij atje koha s’është asnjëherë e mjaftueshme. Nëse vij për një pune jam e impenjuar deri në fund të saj dhe s’kam shumë kohë për t’u çmallur me familjen apo shoqërinë. Gjithmonë mundohem të gjej sikur edhe pak fare kohë të takohem ta. Po asnjëherë s’është mjaftueshëm. Vij dhe iki me mall.

Si ka qenë për ju të jeni vazhdimisht nën dritën e prozhektorëve dhe nën dritën e blicave të aparateve?

Kur kam parë për herë të parë emrin tim në revistë nuk kam fjetur gjithë natën, më dukej çudi. Më pas kjo u bë fare e zakonshme. Për mua çdo blic apo aparat qoftë fotografik apo filmik u kthye në punë. Aq sa tani kur shkojmë diku që s’kam qenë më parë, bëj foto të vendit po asnjëherë s’kam qejf të jem vetë në foto. Unë në të vërtetë nuk di të mos pozoj përpara një aparati dhe në foto me shoqërinë apo familjen jam pothuajse gjithmonë e kontraktuar, sepse e di që s’duhet të pozoj dhe nuk di si ta bëj këtë. Në momentin që shikoj kamera truri im shtyp butonin “punë”. Prandaj i kam qejf fotot kur unë se di që aparati po shkrepet.

Është kjo jeta që keni ëndërruar?

Kur isha e vogël merrja prizën e hekurit dhe bëja sikur drejtoja emision televiziv përpara pasqyrës. Kisha ëndërruar të jem pjesë e jetës televizive dhe filmit. Por kurrsesi s’kisha menduar të arrija kaq brenda tyre. Dhe modele? As nuk e dija që do vinte një ditë dhe unë të isha një prej modeleve që isha mësuar ti shihja në ndonjë copë fletë të hequr nga një revistë dhe të varur në murin e dhomës time.

Po a ka Valbona dilema, pakënaqësi?

Patjetër që kam. Jeta me gëzimet dhe hidhërimet e saj është njëlloj për të gjithë. Pavarësisht se kush janë dhe çfarë bëjnë ata. I vetmi ndryshim është që si gëzimet ashtu dhe hidhërimet nuk janë njësoj për të gjithë, por ekzistojnë. Edhe unë ashtu si gjithë të tjerët shqetësohem për gjëra që më ndodhin gjatë ditës. Për disa nuk fle dot dhe për të tjera stresohem shumë. Këto janë të ndryshme. Mund të jenë si nga ana profesionale ashtu edhe shoqërore, familjare ose personale.

Domethënë nuk ju shkon çdo gjë “vaj”në jetë?

Sa mirë do ishte sikur çdo gjë të shkonte vaj në jetë. Jo nuk ndodh. Jeta është një luftë e vazhdueshme ekzistence. Asgjë nuk arrihet pa u lodhur për të. Disa shkojnë mirë, disa jo. Disa plane realizohen, disa jo. Por jeta vazhdon, kështu që planet dhe ëndrrat ndryshojnë. Zëvendësohen nga të reja dhe atëherë përballesh me të panjohurën. Duhet të përdoresh një taktikë të re, apo të mendosh në mënyrë krejt tjetër për të arritur tek qëllimi kryesor. Edhe njerëzit me të cilët punon ndryshojnë vazhdimisht kështu që asnjëherë jeta nuk mund të shkojë vaj. Besoj që gjithmonë njerëzve ju ndodhin më shumë se sa shohim e kuptojmë ne.

Si është garderoba e një modeleje si ju?

Asnjëherë s’ka dollapë të mjaftueshëm për to. S’ka rëndësi sa i madh është dollapi, do duhet gjithmonë një akoma më i madh. Por janë të gjitha të zgjedhura me shije apo ekstravagancë dhe shumë, shumë, shumë këpucë.

Bëni ju një jetë prej dive… zgjoheni në mëngjes, qumësht me mjaltë, në një kopësht me pamje nga deti. Si është një ditë e juaja?

Aspak e tillë. Shtëpia ime nuk ndodhet afër detit, por ka pamje. Vetëm se asnjëherë nuk dal të pi kafen në ballkon duke e shijuar këtë pamje. Në mëngjes s’ka qumësht me mjaltë, vetëm kafe, të cilën e pi duke u veshur ose nganjëherë e marr me vete dhe e vazhdoj ta pi në makinë, gjithmonë duke vrapuar gjithmonë shpejt e shpejtë. Të vetmet dite kur e shijoj mëngjesin janë e shtuna dhe e diela. Janë të vetmet ditë që unë dhe bashkëshorti im bëjmë mëngjes (të dy bashkë) dhe ulemi në tavolinë.

Keni kapriço, apo vese?

Patjetër që po. Mos harrojmë që unë jam demi në Horoskop dhe ne demat jemi të njohur për kokëfortësi por nga ana tjetër kjo na bën të arrijmë çdo gjë që ia vëmë vetes detyrë. Gjërat monotone apo përsëritëse më mërzisin shpejt. Jam vazhdimisht në kërkim të gjërave të reja. Ndonjëherë i mendoj dhe i analizoj gjërat më shumë sesa duhet.

Gatuani?

Gatuaj. Madje ndonjëherë kur jam e mërzitur dua të krijoj diçka që se kam gatuar më parë, kjo ma heq mendjen nga mërzitja dhe më shërben si antistresant. E këshilloj si mënyrë relaksimi.

Çfarë ju bën për të qarë?

Ndonjëherë surprizohem me veten time kur një gjë fare e vogël më bën për të qarë. Në përgjithësi nuk qaj kollaj. Por qëllon që jam shumë e lodhur apo e mërzitur, e ndjej që kam nevojë të qaj dhe kur e bëj këtë më duket sikur kam hequr diçka të rëndë nga trupi im. Në raste të tilla e qara është e shëndetshme, ose të paktën kështu e quaj unë.

Jeta e një Mis-i

Ishte viti 1991. Ajo ishte adoleshente.  Në këtë kohë morri rrugën për të qenë pjesë e spektaklit të parë të bukurisë femërore në Shqipëri “Miss Albania”, kur u shpall “Mis fotozhenia”.. Zgjedh Greqinë, ku për disa vite punon me ngulm për të hyrë në radhët e fotomodeleve më të njohura në Athinë. Dhe në Greqi, gjithçka nis me një konkurs bukurie, ku Çoba shpallet “Mis Trupi më i bukur ’95″ . Për shumë vite ajo renditet në radhën e dhjetë modeleve më të njohura në tokën helene, ku ka pasur mundësinë të bëjë një karrierë vërtet të mirë. Merr pjesë në shumë shou të ndryshme televizive, organizuar nga kanali më i njohur në Greqi ANT 1. Më pas mendon se këtë rrugë duhet ta vazhdojë në një vend ku karriera e fotomodeles është më e vështirë, por nëse fitohet është edhe më e sigurt. Zgjedh Nju Jorkun, e në pak kohë ia arrin të dalë në pozicionin që dëshiron. Sot është e kënaqur që gjendet në Amerikë dhe shprehet se; “si nuk ika më parë në Amerikë”.

Author: admin