Të gjithë mund ta paramendojmë se çka ndodh kur Nokia thotë se po e braktis sistemin e saj operativ Symbian, për të kaluar në Windows Phone. Natyrisht se kjo menjëherë afekton shitjen e pajisjeve me Symbian.
Pavarësisht faktit se Nokia kishte planifikuar të shesë më shumë se 150 milionë pajisje të reja në Symbian, apo ka thënë hapur se do të vazhdojë ta mbështesë platformën e saj, një gjë është më se e sigurtë; Symbian ka vdekur si sistem operativ. Edhe për përdoruesit, por edhe për zhvilluesit të cilin i qëndronin besnik këtij sistemi operativ.
Me gjithë këto probleme, është shumë e natyrshme që Nokia të pres ulje të shitjeve të pajisjeve me Symbian, dhe humbje të pjesës së tregut me këtë platformë mobile, e cila ende mbetet shumë e popullarizuar në mesin tonë.
Megjithatë, në raportin e saj të fundit, kompania finlandeze Nokia nuk pret që shitjet e saj për tre-mujorin e dytë të vitit të bien nën 6.1 deri në 6.6 miliardë euro. Gjithashtu, ky prodhues botëror pret që marzha e saj të zbret nga 9 në 6 për qind.
Në fund, Nokia ka thënë se pret që shpenzimet e saj operative dhe të hyrat të barazohen në një pikë rentabiliteti. Kështu, i bie që Nokia i ka ndryshuar planet dhe tani po përgatitet të rikthehet në pozicionin e saj të liderit botëror me telefona mobil.