Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka adresuar kritika të shumta për diplomacinë e Kosovës. Shumëfishimin e njerëzve në diplomaci ai e sheh si moment kur Kosova mund të mbetet pa adresë të politikës së jashtme.
Në intervistë për Epokën e Re, Hyseni ka thënë ka shumë qendra në të cilat bëhet politika e jashtme e Kosovës dhe kjo paraqet rrezik shumë të madh për Kosovën.
“Kjo mund të rrezikojë që Kosova të mbetet pa adresë të qartë për politikë të jashtme. Bota do ta ketë shumë të vështirë ta përcaktojë se cila është adresa më e saktë dhe më adekuate në Kosovë për politikë të jashtme”, ka thënë Hyseni.
Në këtë kontekst, ai ka deklaruar se politika e jashtme duhet të jetë më agresive karshi diplomacisë serbe dhe deklaratave të Beogradit për ndarje të Kosovës.
“Nëse Serbia dëshiron ndërrim kufijsh, do t’i ndërrojmë, por atëherë ndërrojnë kufijtë e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Serbisë gjithsesi. Ndoshta edhe të Malit të Zi! Shqiptarët nuk do të humbin asgjë, vetëm do të fitojnë. Megjithatë, janë të rrezikshme kërkesat e Beogradit për ndarje të Kosovës në kohën kur ne trumbetojmë në mënyrë shumë naive se po zhvillojmë një dialog teknik, nga i cili do të fitojë”, ka thënë Hyseni.