Tri nga katër vrasjet e 21 janarit janë drejt zbardhjeve nga Prokuroria e Tiranës. Grupi hetimor ka përshpejtuar veprimet për mbledhjen e provave për ngjarjen e bulevardit, ndërsa deri tani plotësisht është zbardhur vetëm vrasja e Ziver Veizit. Ndërkohë, një tjetër provë (plumbi) që mund të hedhë dritë mbi ekzekutimin e Aleks Nikës ka ardhur nga Turqia dhe është dërguar me shpejtësi në laboratorin kriminalistik në Ministrinë e Brendshme. Vrasja e tretë e cila mund të zbardhet është ajo e Faik Myrtajt, demonstruesit nga Fieri. Akuza thotë se po pret të marrë raportet e ekspertimeve të armëve nga policia shkencore ku mund të gjendet arma dhe më pas të shkohet tek autori që me shumë mundësi është me uniformën e Gardës së Republikës. Ndërkohë, akuza thotë se, krahas dëshmive të marra në vendngjarje, nuk ka prova të mjaftueshme për zbardhjen e vrasjes së Hekuran Dedës, i cili është qëlluar për vdekje menjëherë pas demonstruesit Ziver Veizi.
Duke u nisur nga veprimet e fundit hetimore akuza ka rindërtuar skenën e ngjarjes së 21 janarit. Me ndihmën e ekspertëve amerikanë, grupi hetimor i akuzës kryeqytetase ka analizuar për dy ditë me radhë të dhënat e marra së fundmi, të cilat do të krahasohen edhe me të dhënat e marrë kohë më parë gjatë eksperimentit para Kryeministrisë.
Disa javë më parë, grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës, që po heton dosjen e 21 janarit, ka zbarkuar para Kryeministrisë për të bërë piketimet e vrasjeve dhe plagosjeve së demonstruesve. Të pranishëm ishin familjarët e tri viktimave, Aleks Nika, Ziver Veizi dhe Faik Myrto, ndërsa familjarët e Hekuran Dedës nuk preferuan të asistonin në këtë eksperiment. Nga ana tjetër, përtej gardhit të Kryeministrisë, kanë asistuar gardistët nën hetim Alfred Ahmetcenaj, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli dhe Sadik Çelaj. Familjarët e viktimave kanë qëndruar te vendi ku humbi jetën i afërmi i tyre, ndërsa të plagosurit në vendet ku janë goditur me plumba. Ndërkohë, sipas organit të prokurorisë, gardistët që formonin të ashtuquajturin “grupi i zjarrit” kanë qëndruar brenda rrethimit të Kryeministrisë. E gjithë skena është filmuar nga ekspertët amerikanë, të cilët kanë hedhur në programet kompjuterike të dhënat për të rindërtuar skenën e vrasjeve të 21 janarit, këndin nga kanë ardhur plumbat e deri te detajet e tjera. Shtatë të plagosurit kanë treguar vendin ku janë plagosur.
Prokuroria thotë se më 21 janar, në intervalin kohor midis orës 13.30 deri në orën 17.00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u zhvillua një demonstratë pranë Kryeministrisë. Persona të ndryshëm kanë qëlluar me sende të forta në drejtim të forcave që përgjigjen për ruajtjen dhe sigurinë publike. Në ngjarje janë përdorur edhe armët e zjarrit. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore është provuar se kanë gjetur vdekjen Ziver Veizi, Hekuran Deda, si dhe Faik Myrtaj. Kurse Aleks Nika ka vdekur pas disa ditësh si pasojë e goditjes me armë zjarri. Më pas është bërë këqyrja e viktimave, ku janë gjetur në trupin e Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj respektivisht nga një predhë metalike e kalibrit 9mm. Nga filmimet rezulton se viktimat në momentin që janë qëlluar kanë qenë jashtë objektit. Ziver Veizi ka qenë në trotuar dhe nuk ka kryer asnjë veprim ose akt dhune. Viktima Hekuran Deda ka qenë së bashku me dy dëshmitarë pranë një pishe të hipur në dy tavolina. Viktima Faik Myrtaj ka qenë në bulevard në afërsi të dy kullave binjake, aty afër ka qenë edhe viktima tjetër Aleks Nika.