Në një konferencë ndërkombëtare në Prishtinë, pas paraqitjes sime në panel njëri nga pjesëmarrësit në konferencë u ngrit dhe kërkoi nga të pranishmit që të distancohen nga “teoria e Nexhmedin Spahiut për gjuhën kosovare”.
Në ndërhyrjen time se unë asnjëherë nuk kam folur për “gjuhën kosovare”, po, po, më tha: “ke shkruar për kombin kosovar”. Po çfarë lidhje ka kjo atëherë? Pse duhet që çdo komb i veçantë të ketë një gjuhë të veçantë? Ka plot kombe që flasin të njëjtën gjuhë, por ka edhe një komb me 3 e 4 gjuhë siç është ai zviceran. Nejse. Përgjigja ishte se “kështu kanë thënë për teorinë tënde”. Puna është se 99% e atyre që gjykojnë për kombin kosovar nuk gjykojnë në bazë të shkrimeve të mia për këtë çështje, por mbi bazën akuzave që më bëhen. Kjo tregon shumë për shëndetin mental të shoqërisë sonë. Kjo është njësoj sikur dikush kur flet për luftën për çlirimin e Kosovës t’i thuhet se nuk është mirë me qenë terrorist e fundamentalist dhe me polemizu me të si me një eksponent të terrorizmit e të fundamentalizmit. Dhe kur ai distancohet nga kjo t’i thuhet: “mos gënje, ti je ai qe ke luftuar për çlirimin e Kosovës”. Po çfarë lidhje ka çlirimi i Kosovës me terrorizmin e fundamentalizmin? Eee, kështu ka thënë Beogradi…
Shumë miq të mi habiten se si “një patriot si Nexhi, bënë mëkat kaq të madh me këtë punën e kombit kosovar”. Puna është se këta që thonë kështu admirojnë punën time në teren dhe nuk lexojnë atë që shkruaj, por lexojnë ata që mua më akuzojnë dhe u duket diçka e çuditshme në këtë punë.
Dallimi me Vetëvendosjen është akademik e jo politik
Është interesant se edhe kur dëshirojnë të krijojnë palë në debat më marrin për palë mua dhe Vetëvendosjen, sado që pikëpamja ime politike në këtë drejtim është më afër Vetëvendosjes se sa forcave tjera politike. Kush mund të jetë më i gatshëm për bashkimin Kosovë –Shqipëri, dhe kush do ta kishte më interes këtë punë se sa unë që jam shtetas edhe i Kosovës edhe i Shqipërisë, që kam qenë profesor edhe i Universitetit të Tiranës edhe i Universitetit të Prishtinës, që kam qenë kryeredaktor i njërës prej dy gazetave më të mëdha në Tiranë apo që drejtoj një televizion në zonën më nevralgjike të Kosovës? Dallimi im me Vetëvendosjen është ma tepër i natyrës akademike apo më mirë thënë semantike se sa politike.
Problemi është se krerët e Vetëvendosjes si dhe shumica absolute e krerëve të partive politike kosovare, e shumica absolute e gjithë shqiptarëve dhe gjithë popujve të botës që kanë përjetuar shkollimin komunist nuk e kanë idenë se çfarë është kombi e as që dinë ta bëjnë ndonjë dallim mes etnisë e kombit. Problemi nuk është pse nuk e dinë, por pse nuk duan ta mësojnë.
Pse polemizojnë me mua e jo me Nexhat Dacin?
Njerëz që nuk kanë apo edhe kanë grada shkencore, por që për kombin kanë mësuar vetëm në shkollë të mesme apo fillore, marrin guximin të polemizojnë me mua. Shpesh u them pse polemizoni me mua, shkoni polemizoni me Nexhat Dacin për kimi. Në shkollë fillore e të mesme keni mësuar kimi më shumë se sa teori për kombin. Por pse njerëzit me shkollë e pa shkollë ngulmojnë se dinë sado pak për teorinë për kombin?
Edhe atëherë kur për një çast arrijnë të pajtohen se dallon kombi nga etnia, bëjnë një idiotizëm tjetër: vënë shenjën e barazimit mes të qenët pjesëtar i kombit dhe të qenët shtetas.
Të jesh komb d.m.th. të jesh pronar shteti
Kjo është kështu se nuk u pëlqen ta kuptojnë se sa e zorshme është të krijohet një komb. Më shumë u pëlqen ta kuptojnë ashtu si e ka shpjeguar Stalini qe vetëm pse flet një gjuhë të veçantë je një komb i veçantë apo vetëm pse je shtetas i një shteti i takon kombit që e ka krijuar atë shtet. Nuk e kuptojnë se të jesh komb do të thotë të jesh pronar i një shteti. E ta konsiderosh vetën bashkëpronar i diçkafit duhet të jesh i pranuar nga bashkëpronarët tjerë si i tillë. Kjo ndodhë kështu se njerëzit tanë lexojnë poezitë e kolosëve të mendimit politik shqiptar po përtojnë të lexojnë mendimin e tyre politik.
Nexhmedin Spahiu nuk ka thënë kushedi se çfarë gjëje të re, por ka vazhduar të jetë koherent me mendimin politik shqiptar
Nëse do të lexonin me vëmendje kolosët e mendimit politik shqiptar do ta kuptonin se Nexhmedin Spahiu nuk ka thënë kushedi se çfarë gjëje të re, por thjeshtë ka vazhduar këtë mendim politik. Dhe në fund do ta kuptonin që kombi kosovar s’është asgjë tjetër veçse vijimësi e natyrshme historike e shqiptarizmit, jo zbehje, por forcim i shqiptarizmit. Kundërshtarët dhe përbuzësit e idesë së kombit kosovar po të ishin njerëz që lexojnë dhe të lexonin kolosët e mendimit politik shqiptar, do ta kuptonin se po bëjnë të njëjtën gjë çfarë ka bërë Haxhi Qamili para afro një shekulli.
Për të gjithë ata që ende nuk e kuptojnë dallimin mes etnisë dhe kombit dhe dallimin e të qenit shtetas dhe të qenit pjesëtar kombi, ja një artikull i njërit prej kolosëve të mendimit politik shqiptar, Gjergj Fishtës.
Tashti qi u bá Shqypnija duhen perba’ shqyptarët
Gjergj Fishta
Sod njizet a pêsë a tridhetë vjet mâ parë a ká mûjtë kush shqyptár, sado optimist e kryekcyem entuzjast atdhetár të kishte kênë, me mendue, se dér sod do të kishte pasë nji Shqypní të lirë e të pamvarshme? Po t’i kishte shkue kujt kjo fjalë atherë neper krye, besa, do t’ishte mundue me e zânë në gojë – prite Zot! – as me kmishë të vet, jo; pse perndryshe do ta kishin gjuejtë m’zhamella m’njanen anë turqt e Stambollës e m’tjetren shqyptarët e Shqypnís, e se do t’ishte bá nji Shqypní të lirë e të pamvarshme. – Jânë pûnë të djeshme, po thue, dbimet në Mosul e në Çanak Kalá, prangat nder burgje të Shkodres e të Korçës e “dajaku” i xhon-turqve e i xhon-turqizanave në Tiranë e njeti për çashtje të lirís e të pamvarsis të ksajë Shqypnije.
Mirëpo, kjo lirí e Shqypnís, qi asokohe do t’ishte duke nji anderr, sod po âsht nji pûnë e kryme; pse sod po ká nji Shqypní pernjimend të lirë e zojë m’vendi: Shqypní me Mbret të vetin, me Qeveri e Parlament të vedin e me një ushtrí komtare, qi per kah djemt, arma, vesha, mbatha e dishiplina mund të krahasohet me ushtrí mâ të para t’Europës; edhè na sod presim ligjë e pare, e marrim e apim e lidhim besë e kontratë me kombe tjera, si çdo tjeter shtet i lirë i ksaj bote. Kan pasë krrokë dikurë – i ndjeftë Zoti – do zotní të mdhej atjè në Paris para Konferencës së Paqit, se s’ká Shqypní; po, por sod ministrat e perfaqsuest e atyne zotnive të mdhej në Tiranë, rrin tuj u kshillue shoq me shoq: jarebí, si do t’i dalim sod Naltmadhnís së Tij, Mbretit të shqyptarve para, me uniformë, me nishane e pa nishane, në “smoking” a në “bonjour”, ke edhè atà – sado qi, ndoshta me zêmer të plasët – po shofin se ká nji Shqypni të lirë e të pamvarshme.
E vertetë se sod me sod Shqypní të lirë e të pamvarshme nuk janë rrugat e urat e shêjet e tjera të perparimit, qi bijn lirín e popujve; por âsht lirija qi shtron urat e rrugat, e i ep perparimin kombeve. Me kohë, me kujdes e me pûnë të padáme Shqypnija, neper lirí e pamvarsí të veten, ká me perparue – do të perparojë. Mbas pêsqind vjetsh robnije, s’ká pasë si bâhet në dhjetë vjet Shqypnija Ingilterrë, ta marr mendja.
Kta shqyptartë janë shqyptarë vetem kah fisi, si me thanë, se janë shqyptarë qi perbâjn popullin shqyptàr, e jo asì shqyptarësh qi përbâjn shtetin.
Elè, sod po ká Shqypni. Mirpo, kishte me u dashtë me diejtë, a ká shqyptarë qi me mbajtë Shqypnín mkâmë si shtet. Që se edhè në Shqypní, si gjithkund njeti, gjindja fejohen e martohen, merret vesht prej vendit, se ka shqyptarë në Shqypní. Veç shka se munet me kênë qi kta shqyptartë janë shqyptarë vetem kahë fisi, si me thane, se janë shqyptarë qi perbâjn popullin shqyptàr, e jo asì shqyptarësh qi përbâjn shtetin, edhè e mbajn shtetin më kamë; pse çdo popull nuk perbân shtetin, as nuk e mban shtetin mkâmë.
Per me kênë Shqypnija shtet, nuk âsht qi Shqyptari të jét shqyptar vetem me fis – me trup; por duhet qitë jét shqyptár me shpírt: así shqyptari, qi të perbajë kombin e jo vetëm popullin.
Çiçeroni thotë: “Republique est res populi, populus autem non omnis hominum coetus quoquo modo congregatus; sed coetus multitudinis iuris consensus et utilitatis communione sociatus – Shteti âsht gjâ e kombit. Por kómb nuk âsht çdo çetë njerzsh mledhun sido; por çetë populli, shoqnue me tagre, detyrë e interesë të perbashkta”.
Prej ktyne fjalve merret vesht, se per me kênë Shqypnija shtet pernjimend i pamvarshem edhè me u mbajtë mk-âmë si shtet e me perparue, nuk âsht qi Shqyptari të jét shqyptar vetem me fis – me trup; por duhet qitë jét shqyptár me shpírt: así shqyptari, qi të perbajë kombin e jo vetëm popullin. Me u shoqnue mund të shoqnohen edhè hajnat, por nuk perbàjn as “komb” as “shtet”. Po deshtem, pra, qi kjo Shqypní e jona të mbahet shtet mkâmë e të perparojë, duhet domosdo qi të dihet, kta shqyptar të Shqypnís a janë shqyptarë edhè me shpirt, apo vetem me trup – me gjak e me gjûhë.
Çashtja ká nji randsí kryesore per né, prandej do zhvillue dér m’palc e – pa doreza. Âsht kot qi ta rrêjm vendin herë me fjalë të mdhá dykuptimçe, herë me gjysa fjalësh të pa fare kuptimi. Kirurgu, para se t’ia vêjë thiken trupit, do ta njofë mirë varren ase varrët qi e mendojnë shpirtin shqyptarit në pikpamje shoqnore e kombtare, si t’i shofim e t’i njofim, do të mundohemi me i sherue, tuj u mbajtë rrethanave të kohës e të cillsís së mjeteve e të njerzve.
A jemi, pra, sod me sod na shqyptarët nji element i shndoshtë e nji faktor mjaft i fortë, per të mbajtë Shqypnín me kamë e per t’i dhanë perparim e lulzim! Per me mûjtë me i vjeftë shtetit – Atdheut, mâ parë mâ dalë duhet me dijtë se shka âsht Atdheu, e mandej ket Atdhé me e dashtë me gjith zêmer. Thotë De Toucqueville: “Il n’y a au monde que le patriotisme, au lareligion, qui puisse faire marcher pendant longtemps vers un même but l’universalitè des citoyens.” – Pos atdhedashnijet, a besimit, ská gjâ tjeter në shekull qi e mban kombin per të gjatë mot në hullí të perparimit e të lumnís (qi janë qellimi i shtetit).
Madamë De Stael mandej shkruen: “Nji komb âsht i lirë, i gjallë e i pushtetshem, dér sá flaka e shugurueme e patriotizmit mos të jét shkimë nder zêmra të nierzvet”. Pa pasë, prandej, shqyptarët Shqypnín krye-krejet në mende e në zêmer të vet, Shqypnija s’perparon e as s’ká si qendron. E po a janë atdhetarë shqyptarët! A kan fare ndergjegjet komtare? Gjâ mâ letë nuk âsht, se me ia njitë vendit atdhetár e tjerët me i mbajtë se s’janë atdhetarë? Prandej shkruesi i ktyne rreshtave, mâ fort se me fjalë të veta ket çashtje do me e rrahë me fjalë të dijetarve e të shkrimtarve të permendun: kshtû qi sejcilli shqypár të ketë rasë me e zhvillue ket çashtje prej vedvedit e me dhânë nji gjygj t’urtë si per vedi si per tjerë.
I permenduni poet italjan Vincenzo Monti tue folë mi atdhedashni thotë:
Della patria l’amor santo e perfetto, Che amo di figlio e di fratello avanza Empie a mille la bocca e a dieci il petto qi shqyp do me thane: atdhedashnín e kan në gojë nji mij vetë, por në zêmer dhetë vetë po e jo. Prej ktyne fjalve prá shifet, se edhè n’Europë të madhe numri i atdhetarve të vertetë nuk âsht aq i naltë. E kur të vêm n’oroe se shka do me thane “atdhetar”, duket se njashtû ká me kênë puna edhè nder né. Çezari Cantù thotë, se per me kênë atdhetár i vertetë, duhet qi nieri të jét gati me bâ shum flîje a sakrifice; duhet qi, tue kqyrë interesen e vet, të ketë parasysh mâ fort interesen e përbashktë; duhet me pasë simpatí vllaznore, duresë per shoqishojn, edhè me i ardhë fjalës së njani-tjetrit”.
Prá- shkruen mâ gjatë ky mâ i permenduni historjograf i Italis – atdhetarë të vërtetë nuk mund të jenë batakaçit e tagreve doganore e të të dhetave; kontrabandaxhit e gjânave të tregtís e të duhanit; atá qi bâhen “jatak” hajnash e gjaksísh; ata qi mshefin para autoritetit kompetent numrin e vertetë të pasunís e të kapitalit të vet; puntorija qi i bân hile punës nder rruga të shtetit; zyrtarët e shtetit qi i bâjn hile puntorís nder rruga, a tue u shtue ditt e punës atue u zvoglue pagen e ditës, msuesët qi me nji kangë komtare a me nji kcim kamë-likaçik, (demèk per gjimnastikë) msue xânsave dosido, kujtojn se kan krye detyren e vet; myltazimat qi dhetojn m’të gjashten a edhè me të pêstën kokerr, shokët vendas të shoqnivet koncesjonare të monopoleve, kur kta mos t’u rrín kontratave të bâme; funksjonart e shtetit, qi nuk mprojn si duhet e sa duhet target e shtetit nder koncesjone të të hujve etj.etj. Tash – mbas mendimit të Çezarit Cantù – po kje se ndonji shqyptár hîn në ket listë, aj nuk mund të mbahet se âsht atdhetár. E sá mâ shum qi të hîjn, aq mâ pak atdhetarëtë vertetë jesin.
Kjo rregull a masë e atdhedashnìs, qi u prû ktû sypri, vijn per njerzt e marë – intelektual e analfabeta. Por shkrimtari Bolbo bjen nji tjeter, qi mund të thohet se pershîn vetem atá, të cillt janë a mbahen intelektual. Thotë prá ky Balbo: “Mâ i sigurti shêj i mêngesës s’atdhedashnìs në nji kóm âsht, po kje se aty guxojn të hypin npunsì shtetnore njerz batalla, ftyrëfodulla, batakçì e me nji lesker kulture, sá mezì me shkrue êmnin e vet: e kta jo per nam e nderë por vetem e vetem per rroga e do kalemkusure tjera pose rrogash”. A mund të ndodhë a jo nji punë ksodore në Shqypni? Kurrkush mâ mirë se funksjonart e shtetit s’mund ta diejn ket punë; se na t’tjerët diejm vetëm kta – mbas rregullet të shkrimtarit Balbo – se populli, pre të cillin mund të bîjn kso pykash, âsht nji llomishte në pikpamje t’atdhedashnís.
Ma teper Balbo ep nji rregull a se termometer tjeter; per të mate atdhedashnín e popujve. Tue folë permí rroga, Balbo shkruen: “Non pagar gli impieghi, sarebbe una utopia; pagarli tanto, solamente da indenizzare quelli che c’attendono delle spese che vi fanno e del tempo che ci perdona, sarebbe la perfezione”. Të kthyme “shqyp” kto fjalë, duen me thane kta : parlamentarët, para se me votue buxhetin e npunsavet, e lypë atdhedashnija qi atà marrin parasysh: a) se shumica e madhe – 90% – e npunsavet, po të mos kishin gjetë npunsí, do të kishin ndêjë tue sokaqet, si sa tjerë shokë të tyne, mbasì rrallë se mbyllë kush dugâjë a lshon punë, per me kapë npunsín: b) se populli, marrë pergjithsisht, bâhet radi mjaft mirë me bâme, sallatë e presh, e hundra, “torator”, “pasta sciutta” e tjera kso miredísh: c) se me nji gjysmë korone npunsi civil mund të zâjë per dy a tre sahat në çdo “tavull bixhozit”, ase prandej shpenzimet e jashtzakonshme të tijat nuk janë Zoti e di se shka: d) se npunsi civil, tue hî në zyrë, nuk rrezikon as krye, as plang, as shpí e se s’ka gjâ per të djerrë veçse per të fitue, edhè atherë parlamentarët t’ua vêjn gershanen rrogave, sidomos; – per me folë pergjithsisht e me perjashtime të lypuna – shka âsht mí 300 Franga e perpjetë rrogë mujore, tuj u ulë njaq perqinda, sa kishte me lypë nji atdhedashní e vertetë; pse eksploatacjoni ase shfrytzimit privat.
Balbo nuk thotë gjâ per qirá të shpijavet – njana nder arsye, per të cillen mund të lypet, qi rogat të jenë të nalta – por nenkuptohet prej vendit, se per shum do kohë kjo çashtje mund të rregullohet e do të rregullohet me ligjë. A pse janë rrogat e nalta, me marrë qirát e nalta! Jo, zotni; s’âsht gjâ kjo fjalë. Qiraja do të mirret mbas shpenzimeve të bâme per ndertesë, mbas njinfitimit t’arsyeshem, qi me të drejtë i perket pronarit të saj. – Njikjo teorí, po iu aplikue Shqypnís, kishte me na dhânë mjaft do arsye, me shpresue m’atdhedashní të popullit shqyptar. Rroga e npunsave as s’do t’ipen, as s’do të mirren, si me pasë marrë zjarm shpija e kojshís e me shkue e me ndezë cigaren m’tê…
Sod ka Shqypní, por shqyptarë të vertetë ká pak e aspak
Per me u vertetue edhè njiherë mâ teper permi nevojë qi shpirti i popullit shqyptár ká me u sherue në pikpamje t’atdhedashnís e të ndergjegjes komtare, mjaft âsht me vû n’oroe se si ky popull ep djelmt e vet ushtarë e lán të dhetat e taksat e shtetit. Populli ynë sidomos aj i msleve e i fshateve, ke nuk din se shka âsht Atdheu e s’çán kryet per liri e pamvarsi të shtetit të vet, kur ep djalin ushtár, i bâhet se âsht tuj e çue me pré, edhè të dhetat e pagesat i lán, si me kênë tuj ia lá njêjë çdo Qeverije të huej – si me kênë tuj ia shtî vetë djallit në gojë. Rekrutimin e pagesat nuk i mban detyrë, por zgjedhë robnije.
Veç shka, kur të marrim parasysh se ky popull m’njanen anë për pêsqind vjet rresht ká kênë msue me mbajtë Qeverin anmik, e m’tjetren se Qeverija e jonë komtare, kû prej mêngeset të nji tradicjoni të vijuem nder punë, s’ká pasë kohë, si me thane të lëshojë rrâjë në zêmer të popullit me nji permirsim të theksuem të çashtjes ekonomike, qi âsht qellim imedijat i çdo shteti civil, nuk âsht per t’u çuditë qi i mêngon sod ndergjegja komtare, e prushi i atdhédashnís enè s’âsht ndezë flake në zêmer të tij. Prandej mund të jemë të sugurtë, se në ket pikpamje, me nji veprim të gjallë të qeverís, e t’intelektualve të vendit, s’ká me shkue gjatë e gjêja shpirtnore e popullit do të permirsohet qind me qind mbasì edhè populli vetë âsht inteligjent e ndîen mirë të maren në praktikë. Por shka të shtje kujdes të randë fort, âsht inkompatibiliteti i shurdhë e instiktiv i elementave të ndryshem në Shqypní. Të dám me lagje e sokaqe, me katunde e me bajraqe, nuk kan bashkë ne kumari, ne ortakí, ne fjalën, në doket, në punen, ne tregun e rrín larg njani-tjetrit, porsí t’ishin kombesh të ndryshme. Më pasë per t’ardhë nji muhamedan prej qandrës s’Afrikës, muhamedani shqyptár mâ parë zên bisedë me tê e kuptohet mâ shpejt me tê se me nji kristjan shqyptár. Kshtû me pasë per t’ardhë në Shqypní nji muhamedan shqyptár.
E kaq i kthjellët e i theksuem âsht ky inkompatibilitet i elementave të ndryshem ktû nder né, aqsi edhè per ato parime morale e shoqnore, qi mund t’i kenë së bashku, mendojn se nuk e detyrojn nierin ndaj gjithkendin, veçse ndaj atyne qi janë nji elementi me të. – M’bjen në mend se njiherë jam gjetë në të paren klasë të njajë shkolle fillore, kû shumica e xânsave ishin katolikë, por se kishte edhè ndonji ortodoks e ndonjin muhamedan, nder të cillt, njifarë Beqirit, fmi fort intelegjent e krejt pà të keq, veçse i gjallë, mos me lanë dy gur njijtë. Aty mbasi fola, per nji kohë relativisht mjaft të gjatë, mí dashní qi na do të kemë ndaj shoshojn e se per shokë tonë do të mbajshin të gjith njerzt pa nderlikim fisit e besimit, pyes nji ortodoks kund nja shtat vjeç djalë: Hej, Pipi, a âsht mkat me vrá Pjeter Balton! – Po, m’pergjigji – Pse? I thashë – Pse âsht shoq i yni, – ma kthej – E po a âshty mkat me vrá Beqirin? E pyeta per s’dyti – Jo! – m’u pergjigj krejt thatë – Si s’âsht mkat me vrá Beqirin! – ia bâna vetë – Edhè ky âsht nieri – Po; por âsht turk, t’ma kthej Pipi atherë, si sugurtë se më kishte pergjigjë mirë- Tash, me nji ksi mentaliteti në popull tonë jo vetem se – per me folë pergjithsisht – s’mund të ket atdhedashní e ndergjegje komtare; por, shka âsht mâ zi, mêngon vetë parimi i socjabilitetit, pa të cillin as s’mund të kuptohet nji shtet civil mí shekull. Mjerisht kshtû âsht puna, e s’âsht kot me e mohue a me e mlue me fjalë të mdhà të do npunsavet idiotë e t’interesuem, pse palla në thes s’hîn.
Mbas mendimit të shkruesit të këtij artikulli, pra sod ka Shqypní, por shqyptarë të vertetë ká pak e aspak. Mirëpo, na do t’i perbajm kta shqyptárë të vertetë. E shî në ket punë ká me u duke mâ s’miri fuqija e zotsija e jonë, por kjo se prej nji populli kaq eterogjen e të trazuem psikologjimisht, mrrîjn me perbâ nji kom t’unjisuem e të zone me mbajtë mkâmë e me bâ qi të perparojë e të lulzojë nji shtet civil. Po, si më thue ti, mund t’i dilet ktij qellimi? Të konstatojm faktet, e faktet kan me na çilë, si me thane, perden, edhè kemi me pá se ç’rrugë do të mbajm per me realizue nji veper kaq të madhnueshme e njiheri të domosdoshme per ekzistencen e shtetit tonë.
Nëper omogjenitet të parimeve morale e shoqnore ngallisin idé omogjene; neper omogjenitet t’idéve veprimi omogjen, e kshtû neper nji veprim të gjallë e të përbashkët forcohet shteti – lulzon Shqypnija.
Inkompatibiliteti i elementave të ndryshem, per të cillin u fol sypri, konstatohet sidomos nder gjytete e nder fshate e krahina në kontakt të ngushtë me gjytete, se jo nder njerz të maleve tona. Edhè atje, ndoshta, elementat e ndryshem janë të dám me shpija e me lagje, por jo me punë; pse atjè kuvendin e kan s’bashku, mort e dazem i kan së bashku; bashkë me djalin në jaz t’ujit, bashkë nder të kremte të shoqishojt, e – mjerisht- edhè pritat i vên s’bashku. – Në Shqypní të Veriut – ase mâ mirë me thane: në Veri të Shqypnís; pse s’do të ketë as “Shqypní e veriut”, as “e Jugut” e as “Centrale”, por vetem nji Shqypní- në Veri të Shqypnís, pra, âsht nji bajrak, kû të gjith janë katolikë për posë shpis së Bajraktarit qi âsht muhamedane. Tash ndodhi qi vjetin 1904 kisha e atij bajraku mbet pa meshtár per shum do dit. Kur, qe, nji ditë nder dit Bajraktari me nji tjeter Krye t’atij vendi po ulet në Shkoder fill e te i Pari i Fretenvet, e, muhamedan tue kênë, i thotë: “Pasha Zotin! Zotni kisha jonë ká petë (mbetë) keq pa frat. As s’ká kush na flet uratë në kishë, as kush na bekon shpojat per s’gjalli as vorret per së dekuni. Rixhá kemi me zotnín tané, me na çue fratin sa ma parë të kisha, se kemi “petë” keq.
Kaq me interesë pra aj Bajraktar muhamedan e kishte marrë çashtjen e të derguemit të meshtárit katolik n’at kishë! Pse kto punë mund të ndodhin vetem në Malcí! Pse atjé ka moral të shndoshtë. Qe, pra, çilci i zhvillimit të problemit komtar tonë, per shka i perket soçjabilitetit t’elementave të ndryshem: morali! Ktû do të permlidhet të gjith forca materjale e morale e Qeveris, kta do të shenojnë të gjith fuqija shpirtnore e inteletktualve; me permirsue, me forcue e me pergkithsue sa mâ teper moralin – nji moral të shndoshtë në popull shqyptár. Nëper omogjenitet të parimeve morale e shoqnore ngallisin idé omogjene; neper omogjenitet t’idéve veprimi omogjen, e kshtû neper nji veprim të gjallë e të përbashkët forcohet shteti – lulzon Shqypnija.