Në sytë tanë është shfaqur një reper tipik, por shumë shpejt do ta shohim në një pistë kërcimi me kostume elegante. Gerald Xhari, i njohur në muzikë si Big Basta, do të provojë emocione të reja, nga ato që ka provuar deri tani në muzikë. Si një partneri VIP i balerinës profesioniste Olta Ahmetaj, çdo javë ai do të kërcejë në garën intensive, ku personazhet VIP të fushave të ndryshme do të përballen në ambicien për të kapur teknikat e kërcimit në skenë. Kjo është hera e parë që një reper provon të konkurrojë në një “reality show” me VIP-a që sfidojnë njëri-tjetrin në perfomanca baleti klasik e deri tek kërcimi modern. Tashmë ai e ka vendosur të jetë protagonist i këtij spektakli, dhe do të shfaqet me një formë fizike të re, ndërsa ka humbur deri tani 7 kg nga pesha e tij. Ndërkohë pritshmëritë janë për një garë të fortë mes personazheve të njohur, mes të cilëve do të jenë në garë; Olsi i “Big Brother”, këngëtari Shpat Kasapi, miss Agnesa Vuthaj, këngëtarja Vesa Luma etj. Spektakli, që pritet me shumë interes, do të nisë transmetimin së shpejti në ekranin e “Vizion Plus”, në regjinë e Vera Grabockës, dhe prezantim të Ami Toskës e Ermal Mamaqit. Big Basta, i cili tashmë menaxhohet si artist nga kompania “Start”, më 14 shkurt publikoi klipin më të ri me titull “Muzikës sime”, ku kishte të ftuar këngëtaren e re Beatriks Ramosaj. Kënga, me muzikë të Edlir Begollit, realizuar nga “Big City studio”, shoqëruar me video nga “The Zoom Production” në bashkëpunim me Supersonic Production, i dedikohet muzikës që ai bën, bashkëpunëtorëve të tij, fansave dhe shoqërisë. Fabula e kësaj kënge është shkruar për muzikën “Hip hop”, që sipas tij “më tepër se kulturë është mënyrë jetese”. Aktualisht, Big Basta përveç angazhimeve me provat e “Dancing with the stars” po punon për bashkëpunime me Enis Preshevën dhe këngëtarë të njohur si: Jonida Maliqi, Dafina Zeqiri, Mc Kresha dhe Lyrical Son, etj. Një nga këngët e tij, shumë të suksesshme së fundi, i kushtohet kombëtares së futbollit, një pasion i veçantë i tij. Big Basta së fundi është një nga këngëtarët e njohur hip-hop, si dhe një nga krijuesit e teksteve për shumë këngëtarë. Ai bëri përshtypje në daljen e tij të parë si këngëtar, që kur ndiqte gjimnazin në vitin 2003, ku i këndonte zyshës së tij me grupin “Sweed Company”. Aktualisht emrin e artit e ka Big Basta, po e thërrasin dhe Bastardi. Gjatë viteve të tij si këngëtar, ka marrë çmimin (Best New Artist) në “Top Fest 2”, në bashkëpunim me grupin rock, “Burn” me këngën “Një hap përpara”. Më vonë u nda nga grupi “Sweed company”, për të vazhduar karrierën “solo”. Këngët e tij janë në bashkëpunim me Mc Tao, Oriada, Real 1, Stine, Eranda Libohova, etj. Një nga ambiciet e tij është përhapja e kulturës hip-hop në Shqipëri dhe të njihen sa më shumë artistët e kësaj rryme, gjithashtu ka si qëllim kryesor promovimin e artistëve shqiptarë të rrymës “black”. Ai është diplomuar në degën Sociologji, që duket se e ka pjesë të pasionit, që sipas tij, lidhet ngushtë me kulturën hip hop. Big Basta ka shkruar tekste për shumë këngëtare shqiptare dhe kosovarë, si: Soni Malaj, Nora Istrefi, Sabri Fejzullahu, Aleksander Gjoka, Albërie Hadërgjonaj, Ermal Fejzullahu, Joana, Sanchez etj.