Problemi i prejardhjes dhe i rrugës së formimit të trungut etnik ilir me veçoritë e tij gjuhësore e kulturore, ka përbërë një nga synimet më kryesore të ilirologjisë. Rreth tij janë shfaqur pikëpamje të ndryshme, të cilat ndriçojnë në mënyrë të mjaftueshme gjithë këtë proces të ndërlikuar etnogjenetik. Kërkimet komplekse arkeologjike, gjuhësore dhe historike të kohëve të fundit e kanë vendosur atë mbi një bazë më të shëndoshë dhe e kanë futur në një rrugë më të drejtë zgjidhjeje. Sado të ndryshme që mund të paraqiten nga forma teoritë mbi prejardhjen e ilirëve, në përmbajtje ato shprehin vetëm dy pikëpamje, njëra nga të cilat i quan ilirët si të ardhur në Gadishullin Ballkanik, ndërsa tjetra si popullsi autoktone të formuar në truallin historik të Ilirisë. Midis teorive që i quajnë ilirët të ardhur në Gadishullin Ballkanik, ka mospërputhje si përsa i takon vendit nga vijnë, ashtu edhe kohës së ardhjes së tyre. Disa e lidhin përhapjen e tyre me kulturën e Halshtatit, të tjerë me kulturën e Fushave me Urna, apo me kulturën Luzhice. Sipas tyre, në kapërcyell të mijëvjeçarit të dytë p.e.sonë ilirët morën pjesë në lëvizjet e popujve që njihen me emrin dyndja dorike, egjeane apo panono-ballkanike dhe duke zbritur nga Evropa Qendrore, në fillim të epokës së hekurit, u ngulën në Gadishullin Ballkanik në trojet e tyre historike. Pikëpamje më e re është ajo që e konsideron kulturën ilire si një dukuri të formuar historikisht në vetë truallin ilir në bazë të një procesi të gjatë dhe të pandërprerë të saj gjatë gjithë epokës së bronzit dhe fillimit të asaj të hekurit. Kjo tezë e zhvillimit të pandërprerë të kulturës, që jep mundësi të flitet edhe për një zhvillim të pandërprerë etnik, gjen prova të shumta në territorin historik të ilirëve, sidomos me zbulimet e bëra në truallin e Shqipërisë në vendbanimin e Maliqit dhe në varrezat tumulare të Pazhokut, të Vajzës, të Matit etj., kurse jashtë vendit tonë në varrezat tumulare të pllajës së Glasinacit (Bosnjë) e gjetkë. Përballë këtyre zbulimeve bëhet fare e paqëndrueshme teza që e lidh etnogjenezën e ilirëve me kulturën e Halshtatit apo me bartësit e kulturës së fushave me urna. Trualli i kësaj kulture të fundit nuk mund të lidhet kurrsesi etnikisht me ilirët. Duke krahasuar truallin e kulturës së fushave me urna me atë të kulturës së mirëfilltë ilire Mat-Glasinac në rajonin qendror të Ilirisë, vihen re ndryshime thelbësore si në kulturën materiale në qeramikë, në objektet metalike etj., ashtu edhe në atë shpirtërore, që ka një rëndësi të veçantë në përcaktimin etnik të një popullsie. Trualli i Panonisë ndjek mënyrën e varrimit me djegie duke vendosur mbeturinat e saj në vazo të veçanta (urna), ndërsa ai i Matit dhe i Glasinacit, varrimin në tuma e kryesisht me vendosje kufome. Këto ndryshime në kulturë i veçojnë panonët edhe si një grup etnik më vete që dallohet nga ai i ilirëve. Përveç kësaj të dhënat arkeologjike kanë treguar se dyndjet panono-ballkanike, dorike a egjeane nuk e përfshinë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik dhe si pasojë nuk shpunë në ndryshime dhe zhvendosje të theksuara të ilirëve. Kjo shihet qartë sidomos në territorin e vendit tonë, ku materialet arkeologjike të kësaj kohe, flasin jo për ndërprerje në zhvillimin autokton të kulturës, por për një vazhdimësi të saj që nga epoka e hershme e bronzit, pavarësisht se disa shfaqje të reja në prodhimin metalurgjik, të shek. XI-IX p.e.sonë, mund të lidhen me ndikimet kulturore të ardhura përmes dyndjeve nga veriu. Ky zhvillim i pandërprerë kulturor në vendin tonë shfaqet akoma më mirë në qeramikë, e cila është një tregues i rëndësishëm në përcaktimin etnik dhe kulturor të bartësve të saj. Qeramika e kësaj kohe zhvillohet në tërë truallin ilir mbi bazën e poçerisë më të hershme të epokës së bronzit, pa pasur ndonjë ndryshim në kohën e kalimit nga epoka e bronzit në atë të hekurit, dhe duke e ruajtur këtë traditë autoktone të paktën deri në shek. VI p.e.sonë, kur historikisht dihet se këto krahina banoheshin nga bashkësi të qëndrueshme fisnore ilire. Të gjitha këto të dhëna arkeologjike të grumbulluara në pesëdhjetë vjetët e fundit, në territorin e Shqipërisë së bashku tregojnë se etnogjeneza ilire nuk duhet parë kurrsesi në lidhje me ardhjen e një popullsie nga veriu i Ballkanit, por si një proces historik shumë i gjatë dhe i ndërlikuar autokton. Ky proces fillon shumë kohë përpara këtyre dyndjeve (dorike, egjeane a panono-ballkanike) dhe konkretisht me dyndjen e madhe të periudhës kalimtare nga neoliti në epokën e bronzit, që përfshin treva të gjera të Evropës dhe të Azisë, duke sjellë me vete ndryshime të dukshme etnike në Evropën neolitike. Kjo dyndje e cilësuar indo-evropiane, që ndodhi në kapërcyell të mijëvjeçarit të tretë, u krye nga grupe të ndryshme popullsish baritore të ardhura nga stepat e Lindjes. Është provuar arkeologjikisht se ajo nuk u bë menjëherë, por valë-valë dhe se krahinat perëndimore të Ballkanit, midis tyre dhe territori i Shqipërisë u prekën prej saj më vonë se sa ato lindore. Gjatë kësaj dyndjeje grupe të ndryshme kulturore të Evropës u zhdukën pa lënë gjurmë, të tjera u përzien me popullsitë migratore, të cilat u imponuan me këtë rast vendasve gjuhën, kulturën, në një farë mase edhe zakonet e veta. Kështu ndodhi, p.sh. me kulturat neolitike të Vinçes, të Butmirit, të Lisiçi-Hvarit në territorin e Jugosllavisë, të cilat qenë zëvendësuar me kulturat e reja Kostalace, Vuçedole etj.; e njëjta gjë ndodhi edhe me kulturën neolitike të Maliqit, e cila qe zëvendësuar nga një kulturë më e ulët e karakterizuar me qeramikën e saj trashanike, që i atribuohet pikërisht kësaj dyndjeje. Në procesin e shtjellimit të këtyre ngjarjeve dhe të përzierjeve etnike dhe kulturore të popullsive neolitike vendase, paraindoevropiane ose sipas disa studiuesve, indoevropiane të hershme, me ardhësit e rinj indoevropianë të stepave u formua edhe baza mbi të cilën nisën të zhvillohen në kushte të veçanta edhe proceset etnogjenetike të popullsive të vjetra historike të Ballkanit Perëndimor, rrjedhimisht dhe procesi i formimit historik të trungut etnik ilir me tipare të përbashkëta kulturore, të dallueshme prej bashkësive të tjera fqinje jo ilire. Në këtë proces, i cili u zhvillua gjatë gjithë mijëvjeçarit të dytë p.e.sonë, diferencimi dhe asimilimi i popullsive, ashtu sikurse dhe lidhjet ekonomike e kulturore, luajtën një rol të rëndësishëm. Në qoftë se në periudhën e hershme të epokës së bronzit, kultura e krahinave ballkano-perëndimore, ishte shumë larg për t’i dhënë asaj karakter të përcaktuar ilir, të dallueshëm prej atyre të territoreve të tjera, ky diferencim i tipareve kulturore vjen e bëhet gjithnjë më i theksuar në periudhën e mesme e sidomos në atë të fundit të epokës së bronzit. Në rrugën e këtij zhvillimi të brendshëm krahinat jugore të kësaj treve ishin të kthyera më tepër me fytyrë drejt jugut, nga bota e përparuar e Egjeut, me të cilën qenë në marrëdhënie të ngushta ekonomike e kulturore. Veriu, përkundrazi, shfaq prirje drejt Evropës Qendrore, por me lidhje më të dobëta me të. Këto lidhje ndikuan sadopak në formimin dhe në diferencimin në fund të bronzit e në fillim të hekurit të dy grupeve të mëdha kulturore ilire, atij jugor dhe verior. Kështu duke zënë fill në kapërcyell të epokës së bronzit, procesi i formimit të etnosit ilir përshkon në mijëvjeçarin e dytë rrugën e gjatë të diferencimit nga masa e pasigurt etnike që u formua pas shkatërrimit të botës neolitike dhe përfundon nga fundi i këtij mijëvjeçari. Si e tillë, kjo epokë krijon në pjesën perëndimore të Ballkanit atë substrat etno-kulturor, mbi bazën e të cilit formohet më vonë etnosi dhe kultura ilire. Bartësit e këtij substrati mund të identifikohen me atë popullsi parailire, që në burimet historike njihet si pellazge. Pavarësisht nga kjo hipotezë për parailirët, thelbësor është fakti se në fund të epokës së bronzit, në pjesën perëndimore të Ballkanit ishte formuar një bashkësi e gjerë kulturore dhe etnike, e cila në epokën e hekurit në bazë të zhvillimit të brendshëm ekonomiko-shoqëror, do të vazhdonte të zhvillonte më tej kulturën e vet duke i dhënë asaj një fytyrë gjithnjë më të përcaktuar etnike. Kjo është dhe periudha e formimit të plotë të bashkësisë së madhe ilire dhe të grupeve të veçanta etnokulturore, ashtu siç përmenden tek autorët më të hershëm antikë…