Epoka e bronzit në Shqipëri përfshin mijëvjeçarin e tretë dhe gjithë mijëvjeçarin e dytë p.e.s.,

Epoka e bronzit në Shqipëri përfshin mijëvjeçarin e tretë dhe gjithë mijëvjeçarin e dytë p.e.s., e deri në fundin e shek. XII p.e.s. Ajo njihet prej të dhënave të fituara nga shtresat e kulturës së bronzit në vendbanimet e Maliqit, të Trenit e të Sovjanit në pellgun e Korçës, nga shtresa e parë e vendbanimit të Gajtanit në afërsi të Shkodrës, nga gjetjet në shpellën e Nezirit dhe nga vendbanimi i Badherës e kalaja e Kalivosë në rrethin e Sarandës. Gjithashtu njihet nga varrezat tumulare në Mat, në Kukës, në Barç (Korçë), në Pazhok (Elbasan), në Divjakë (Lushnjë), në Patos (Fier), në Vajzë e Dukat (Vlorë), në Piskovë (Përmet), nga tumat në luginën e Dropullit, nga tuma e Bajkajt (Sarandë) e nga depo e gjetje të rastit të zbuluara buzë liqeneve të Shkodrës, të Pogradecit, të Prespës etj.

Këto të dhëna dëshmojnë se territori i Shqipërisë gjatë kësaj epoke ka qenë i populluar gjerësisht, që nga zonat e tij të ulëta fushore e deri në krahinat e brendshme dhe të vështira malore. Njerëzit banonin kryesisht në vendbanime të hapura. Në një masë më të kufizuar janë shfrytëzuar dhe shpellat, ashtu siç kanë vazhduar të jenë në përdorim edhe palafitet, siç tregojnë gërmimet e viteve të fundit në vendbanimin palafit të Sovjanit. Nga fundi i kësaj epoke lindin edhe vendbanimet e para të fortifikuara, të cilat rrethohen me mure gurësh të palatuar e të lidhur në të thatë apo me ledhe e hunj. Një pjesë e mirë e vendbanimeve të këtij lloji, si kalaja e Gajtanit, qyteza e Margëlliçit (Fier) etj., që do të marrin zhvillim të plotë dhe do të bëhen karakteristike për epokën pasuese, atë të hekurit, e kanë origjinën e vet në këtë periudhë.

Banesat kanë qenë kasolle, që ndërtoheshin me lëndë drusore, kallama e kashtë. Ato janë njëkthinëshe zakonisht me planimetri katërkëndëshe, por duket se ka qenë në përdorim edhe tipi me bazë të rrumbullakët e trup konik. Dyshemetë kanë qenë të shtruara me baltë të ngjeshur e të rrahur, kurse muret të thurura me thupra e të lyera me baltë të përzier me byk. Në mes kishin nga një vatër të rrumbullakët; ka raste kur këtë e gjejmë të vendosur anash në formën e një korite që nuk njihet në banesat neolitike. Vlen të përmendim një kompleks banesash të bronzit të vonë të zbuluara në kalanë e Badherës, të cilat kanë formë katërkëndëshe ose rrethore të ndërtuara me një xokolaturë gurësh, mbi të cilën ngriheshin paretet dhe çatia prej materiali të lehtë.

Author: armend mendi