Kongresi i Manastirit (1908)
Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe u mbajt në Manastir më nëntor 1908. Ai kurorëzoi përpjekjet e shumë brezave atdhetarësh dhe njerëzve të penës. Thirrja e kongresit u prit me gëzim nga të gjithë, siç dëshmon Mihal Grameno në një reportazh të gjatë për këtë ngjarje historike: “Ah! Me sa gëzim dhe me sa padurim prisnim ditën e Kongresit të parë kombëtar, gëzimi dhe padurimi ishte në delegatët”.
“Tubimi historik i Manastirit nuk ishte thjeshtë një mbledhje gjuhëtarësh, por një kongres kombëtar për çështjet më të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare”, shkruan Uran Butka.
Në kongres morën pjesë 32 delegatë, që përfaqësonin 22 klube dhe shoqëri të ndryshme atdhetare e kulturore, brenda dhe jashtë vendit. Mihal Grameno përmend edhe Parashqevi Qirjazin, si e dërguara e shkollës së çupave të Korçës. Por Grameno shton se ishte e pranishme edhe Filomena A. Bonati, mbesa e Pashko Vasës, e cila kishte shkuar me dëshirën e vet për të shoqëruar Parashqevi Qirjazin.
Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh me vota të fshehta atdhetari i madh, Mit‘hat Frashëri, dhe si nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjerasim Qirjazi. Mit‘hati atëherë ishte 28 vjeç dhe nuk kishte ardhur ende nga Selaniku kur u zgjodh në mungesë kryetar; u zgjodhën edhe tre shkrues: Hilë Mosi, Nyzet Vrioni e Thoma Avrami.
Ditën e tretë të punimeve të kongresit i cili vazhdoi deri më 22 nëntor, u zgjodh komisioni i alfabetit. Kryetar i Komisionit të Alfabetit u zgjodh poeti i shquar Gjergj Fishta; ndërsa anëtarë Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Bajo Topulli etj.
Komisioni i Alfabetit u nda në 4 grupe dhe gjatë 3 ditëve rresht punuan veçmas, në mënyrë të pavarur. Grupet patën diskutime të ashpra për zgjedhjen e alfabetit të përbashkët. Debatet zgjatën aq sa u rrezikua edhe kompromisi. Por, me këmbënguljen e Mjedës, u arrit kompromisi historik.