Unioni së bashku me shoqatat anëtare janë angazhuar dhe kanë dhënë kontribut të çmueshëm në organizimin e bashkëkombësve tanë në Suedi, kurse pikësynim kryesor i këtij aktiviteti ishte ruajtja e gjuhës, kulturës dhe traditës kombëtare
Ramadan Reshitaj, Malmë
Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi, që është asociacioni më i organizuar i shqiptarëve në këtë shtet dhe që veprimtaria e përgjithshme e të cilit mbështet materialisht nga organet kompetente suedeze, mbajti mbledhjen vjetore, në të cilën u analizua veprimtaria e kaluar njëvjeçare dhe u përcaktuan kahet e aktiviteteve për periudhën e ardhshme.
Gjatë periudhës së kaluar, u tha se Unioni së bashku me shoqatat anëtare janë angazhuar dhe kanë dhënë kontribut të çmueshëm në organizimin e bashkëkombësve tanë në Suedi, kurse pikësynim kryesor i këtij aktiviteti ishte ruajtja e gjuhës, kulturës dhe traditës kombëtare. Krahas aktiviteteve të tjera, në kuadër të Unionit brenda vitit mbahen edhe tri festivale: Festivali i Poezisë dhe i Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë, me një traditë 15 vjeçare, Festivali i Folklorit Shqiptar në Diasporë, me një traditë 10 vjeçare si dhe Festivali i Fëmijëve i cili sivjet është organizuar për herë të dytë.
Unioni është angazhuar edhe për integrimin e bashkëkombësve tanë në rrjedhat e shoqërisë suedeze, ka forcuar lidhjet me institucionet e atdheut dhe ato suedeze dhe ka kontribuar forcimin e urave të miqësisë mes Kosovës dhe Suedisë. Delegatët e Unionit edhe me këtë rast shprehën shqetësimet e veta lidhur me relacionet e bashkëpunimit jo të mirë me Ministrinë e Diasporës, të cilat u tha se janë pasojë e anashkalimit që i bënë kjo ministri Unionit. Mbledhja vjetore pasi shqyrtoi në detaje, aprovoi të gjitha raportet për periudhën e kaluar. Delegatët, me propozim të komisionit kandidues bënë kooptimin e anëtarëve të rijnë të kryesisë dhe të komisioneve të tjera të Unionit.