SHPALLJA E PAVARËSISË KREMTOHET NË BORÅS

UNIONI SHOQATAVE SHQIPTARE NE SUEDI

SHPALLJA E PAVARËSISË KREMTOHET NË BORÅS

Manifestimi qëndror për shënimin e 8 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Suedi sivjet do të mbahet më 13 shkurt në qytetin e Borosit. Në emër të Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, bartëse e organizimit të këtij manifestimi është Shoqata ”Dardania” e Borosit. Kështu vendosi Kryesia e Unionit në mbledhjen që nën kryesimin e Ahmet Bellës, sekretar orgaizativ u mbajt në ambientet e shoqatës ”Liria” të Vekshjos. Ndërkaq Turniri tradicional në fudboill të vogël, i cili gjithashtu organizohet me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, do të mbahet më 30 janar në qytetin Kalmar. Bartëse e organizimit të Turnirit, në emër të Unionit të shoqatave shqiptare është shoqata lokale ”Kosova”.
Kryesia e Unionit u përcaktua edhe për kohën e mbajtjeve edhe të manifestimeve të tjera tradicionale që në Suedi organizon Unioni i Shoqatave Shqiptare. Kështu u vendos që Festivali Tradicional i Fëmijëve, të mbahet në Boros më 16 prill. Festivali i Folklorit Shqiptar në Diasporë, sivjet i dhjeti me radhë, do të mbahet më 28 maj në Vekshjo. Festivali i XIV i Poezisë dhe i Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë, do të mbahet në Malmë, më 24 shator; kurse shënimi i 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit kombëtar do të mbahet më 26 nëntor, gjithahstu në Malmë dhe bartëse e organizimit do të jetë shoqata ”Unikombi”.
Duke shqyrtuar Propozimin e planbuxhetit për sivjet, u tha se Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi gjatë vitit 2016 do të ketë në dispozicion mbi 1 milion e 100 mijë korona suedeze. Veprimtaria e Unionit, siç dihet finansohet dhe mbështetet nga organet shtetërore suedeze si dhe nëpërmjet projekteve që zhvillohen brenda Unionit dhe shoqatave anëtare.
Veprimtari kryesore e Unionit është organizimi i bashkëvendasëve tanë në shoqata, të cilat angazhohen për ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës kombëtare shqiptare në këtë shtet nordik.

Author: admin