KUSH DËSHIRON LUFTË NË MAQEDONI?

11060890_662463853883338_905488429678388840_n

Shkruan: Ndriçim Iseni

Disa vite më vonë pasi përfundoi konflikti i vitit 2001 në krye me Marrëveshjen e Ohrit, pas çdo rasti specifik ku shqiptarët me maqedonasit përjetuan ndonjë përplasje të çdo lloji, hidheshin teza të zakonshme se “tani do plasi luftë”. Tema si keto priteshin me entuziazem përkohësisht nga një numër i konsiderueshem i popullit duke mos ditur se çfarë kërkojnë, dhe me thënë të drejtën, lufta ndëretnike ishte dhe një gjë e mundshme deri para një kohe (e mundshme sikur dhe të mos kishin mbi kokë patronët ndërkombëtarë). Ajo që mund ta dërgonte vendin deri në atë situatë të palakmueshme ishte injoranca e trashëguar nga e kaluara si edukimi familjar dhe shkollor. Kjo erdhi si rrjedhojë i një sistemi shoqëror të një shteti ku jetojnë dy popuj me përmasa të një diference jo edhe aq të madhe, saqë pjesë të caktuara të qytetarëve garonin shpesh kundër njëri tjetrit për marrje të pushtetit. Pra, rrethanat tipike ballkanase i detyruan ata që të praktikojnë një lloj urrejtjeje nacionale. Por, të jetosh në një shtet të njejtë me një popull që nuk flet gjuhën tënde, aq sa është vështirë është edhe e dobishme për zhvillimin e multikulturalizmit dhe shembjen e përshtypjeve raciste ndaj të tjerëve, dhe kjo është realizuar në atë shkallë që e kemi tani nga nevoja për të bashkëpunuar edhe me etnitë e tjera në sfera të ndryshme të jetës. Mirëpo siç e përmenda dhe më herët, mendësia e Ballkanit e cila nuk është evoluar sa duhet dhe ka mbetur një shekull mbrapa në periudhën e zymtë të hallakatjeve të nacionalizmave ka prolonguar disa procese për arritjen e një bashkëjetese të bollshme.

Me publikimin e përgjimeve të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, me përmbajtje tmerruese të cilat hodhën dritë mbi regjimin vrastar të Gruevskit në vasalitet me paranojakët e DUIzmit, opinioni në vend u kaplua nga habia. Dolën fakte në sipërfaqe për ata që kishin keqpërdorur fuqinë të cilën populli ua furnizonte gjatë ditëve të votimeve. “Bombat” e Zaevit provuan dështimet fatale që dy partitë e mëdha shqiptare u munduan t’i mbulojnë me mjetet që pozita e tyre ua ofroi. Ndërsa papritmas ndodhi fatkeqësia.

Ditën e shtunë në orët e para të mëngjesit kishte nisur një luftim midis një grupi misterioz kundër forcave policore ku në mesin e këtyre gjigandëve sakrifikoheshin jetët e njerëzve që u ishte imponuar ta përjetojnë këtë ferr. Grupi rebel u kap pas 40 orësh luftime, 22 persona u vranë dhe qindra apo mijëra njerëz u terrorizuan nga kjo masakër shpirtërore dhe materiale. Vendasit u sprovuan keqas, ndërsa reflektimi klasik te shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe Diasporë dha përgjigjen e pritur të stërmbushur me reagime patriotike, duke filluar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, deputetja demokrate Mesila Doda, gazetari i njohur shqiptar Blendi Fevziu, Vetëvendosja, boksieri shqiptar Nuri Seferi dhe shumë figura publike por edhe subjekte politike reaguan me një ton kërcënues ndaj Maqedonisë. Portalet dhe gazetat gjithandej shfrytëzuan mirë rastin për klikime duke shpërndarë informacione të vërteta dhe të pavërteta në një kohë kur raportimet për ngjarjen ishin të dobëta. Ata që duhej të ishin më së shumti gjakftohtë dhe të durueshem – kumanovarët – e trajtuan këtë provokim me mjeshtëri. Ky skenar i organizuar nga qarqe ende të panjohura për neve, nuk gjeti përkrahje te masa. Një pjesë e mirë e popullit më ishte e vetëdishme se lufta për ata nënkuptonte vetëm shkatërrim në një kohë kur jetojmë në një shtet të varfër. Lufta mund të kërkohet vetëm nga të paditurit që nuk i kanë të qarta pasojat që i bartë me vete kërkesa e tyre.

Kush ishin sulmuesit ose “terroristët nga Kosova” sipas etiketimit zyrtar nga qeveria? Rasti ngjason shumë me vrasjen e karikaturisteve të revistës Charlie Hebdo nga disa fondamentalistë muslimanë. Revista në fjalë provokonte ndjenjat e muslimanëve, njëashtu bënin dhe zyrtarë të lartë në qeverinë e shtetit me shqiptarët. Për shembull, tashmë ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, arrestoi dhjetëra shqiptarë muslimanë për rastin Monstra, të cilët i urrente si etni dhe si komunitet fetar të njohur për të si “indianë” dhe “fis i egër”. Më pas i dënoi me burgim të përjetshëm gjashtë prej tyre bashkë me fanatiken e krishterë, prokuroren Gordana Geshkovska, e cila si argument përdori konspiraci qesharake. Në momentin që po shpaketoheshin faktet për realitetin e shumë padrejtësive me famë në opinion por edhe gjëra që kanë qenë tejet të fshehura nga ne, paraqiten disa ushtarë të manipuluar me tentativa hakmarrëse ndaj pushtetit. Përpara se të revoltohej ndonjë pjesë e shoqërisë maqedonase kundër shqiptarëve, u njoftua se njëri prej policëve të vrarë kishte qenë shqiptar. E njëjta gjë ndodhi edhe në Paris. Shoqëria e krishterë djathtiste që filloi të kërkon dëbimin e muslimanëve dhe emigrantëve si Pediga në Gjermani dhe Fronti Nacional në Francë, mbetën të shtangur për faktin se njëri prej policëve të vrarë, njëlloj si në rastin e Kumanovës, ishte pjesëtar i komunitetit të cilit i përkisnin dhe terroristët që kryen vepren makabre, pra ishte musliman. Që do të thotë, të obsesionuarit për luftë dhe për të dominuar mbi etnitë e tjera, nuk përshëndeten nga të gjithë dhe është gabim që ajo bindje t’i atribuohet veçmas një komuniteti të caktuar.

Kush janë shkaktarë për ata njerëz që mund të përkrahin konflikte të tilla? Nëse në Francë urrejtja ndaj shtetit nga ana e muslimanëve krijohet nga getoizimi i tyre, në Maqedoni ndodh për shkak të instrumentalizimit të pikave sensibile në jetën e njerëzve nga partitë politike. Nëse flasim konkretisht për shqiptarët, të cilët shpesh ankohen te Prishtina dhe Tirana zyrtare, atyre iu dalin përpara njerëz si Thaçi dhe Rama të cilët iu flasin për bashkim kombëtar në vend se me të vërtetë t’ju bëjnë presion atyre që kërkohej, ndërkohë ky i dyti po shijon detin e Ulqinit në momente kur shqiptarë po luftonin dhe vriteshin për ideale që instaluan njerëz si ai. Disa javë më parë, Albin Kurti ishte i ftuar në Shkup për të ligjëruar për Shqipërinë e Bashkuar, në të cilën ai zgjidhjen e krizës ndërshqiptare e shikon te bashkimi i trojeve, duan apo nuk duan fqinjët. Ndër të tjera ai kërkoi që shqiptarët të fillojnë me protesta për t’u bashkuar me Shqipërinë. Ndërsa, për rastin e Kumanovës, deputetja e LVV-se Aida Dërguti kërcënon maqedonasit për agresion ndaj tyre nga 7 milionë shqiptarë. Si mundet tani Glauk Konjufca të flasë për paqe dhe drejtësi për Kumanovën dhe ta akuzojë qeverinë për anti-shqiptarizëm?

Të paktën këta nuk tradhtojnë qëndrimet e tyre, por Edi Rama, Hashim Thaçi dhe pjesëtarët e BDI-së që na flasin për qetësi dhe gjakftohtësi janë hipokritë dhe gënjeshtarë. Ali Ahmeti bashkë me Ermira Mehmetin kërkonin detyrimisht kryeministër apo president shqiptar në Maqedoni duke mos kontestuar fare se çfarë virtyte duhet të ketë një udhëheqës, ndërsa Artan Grubi u thoshte shqiptarëve të mos protestojnë bashkë me maqedonasit kundër ministrit shqiptar Abdelhakim Ademi. Duke proklamuar ide të tilla natyrisht se dikush do të mbushet me mllef një ditë dhe do t’i kërkojë këto gjëra në mënyrën e vet. Ata që e organizuan sulmin janë pikërisht produkt i slloganëve të tilla, pa iu referuar teorive konspirative apo temave më të detajuara se kush qëndron mbrapa saj, përgjegjësisë nuk mund t’i ikë qeveria Gruevski-Ahmeti. A do të burgosen tani ata që i bënë këto propaganda, njësoj siç u burgosën ushtarë ndër të cilët kishte ish-bashkëluftëtarë dhe miq të tyre, sikur Sami Ukshini, Mirsad Ndrecaj, Beg Rizaj e të tjerë?

Gjithashtu edhe VMRO-istët si kryeredaktori i TV Sitel Llatas Pavlovik i cili i mbush maqedonasit me urrejtje ndaj shqiptarëve me patriotizëm të lodhur apo madje dhe profesorë universitarë si Aristotel Tentov, ligjërues në Universitetin “Kiril dhe Metodij” në Shkup, i njohur për gafat e tij sikur ajo në emisionin e mbështetësit radikal të qeverisë, Janko Ilkovski, në të cilën ai pretendon se Zoti i krijoi maqedonasit në ditën e 10-të (lexo: 7 Ditët e Krijimit sipas Biblës). Populli i thjeshtë pas gjithë këtyre broçkullave që iu paraqiten në programet kryesore në televizion, fillojnë dhe të kërkojnë “Maqedoni të pastër”, dhe shqiptarët ndihen jo të integruar në shoqëri, po ashtu edhe nga identiteti i rrejshëm që po përpiqet të krijohet me projektin “Shkupi 2014”.

Si kundërpërgjigje dalin në shesh broçkulla edhe më të mërzitura si ato të një racisti të egër me emrin Fahri Xharra apo versioni shqiptar millosheviçian. Kur një analist nga Maqedonia deklaroi se problemi i shqiptarëve nuk janë maqedonasit por është qeveria, Xharra reagoi duke thënë se ne shqiptarët e Maqedonisë nuk i kuptojmë gjërat dhe se problemi ynë qenkan të gjithë “sllavo-maqedonasit” si popull. Klithmat e tij fashiste janë shkak që Gjakova – qyteti ku ai jeton – dërgoi ushtarë që u përleshën me policinë në Kumanovë dhe që Xharra tani nuk i përkrah sepse realiteti i asaj që ai e kërkon i duket e trishtuar në vepër. Sikur në rastin e Breivikut në Norvegji, politikat e gabuara anti-emigrante norvegjeze vetë krijuan një monstër të tillë, ndonëse dikush prej tyre nuk mund të pajtohet me aktin terrorist që bëri ai.

Shumë publicistë dhe politikanë shqiptarë janë prononcuar kinse gjoja janë për paqe, ndërsa më parë vetë i kanë nxehur gjakrat. Xhemal Ahmeti, një publicist që shkruan nga Zvicra me origjinë nga Maqedonia, të cilin bashkëfshatarët e tij e kanë kërcënuar me dajak nëse rikthehet në fshatin e tij sepse ua ka sharë fenë, pati shkruar pak më parë se muslimanët e Maqedonisë nuk janë trima dhe nëse bëhet luftë ata nuk luftojnë sepse ua ndalon kauza islamike (në fakt shumë ushtarë që sulmuan ishin islamistë). Pastaj shfajëson Ali Ahmetin nga çdo akuzë së bashku me Milaim Zekën, të cilët janë impresionuar nga demagogjitë e Ahmetit, si injorantë që janë për rrethanat në vend. Ruben Avxhiu, gazetar në Illyria, shkruan se tani nuk është koha për luftë, mirëpo më vonë ndoshta po. Me këto analiza të pakuptimta nuk shkohet asgjëkundi. Edhe analizat që vijnë nga gazeta të ndryshme perëndimore, të cilët tani e akuzojnë qeverinë e Gruevskit për shtet autoritar, nuk e kanë dert se a është me të vërtetë Gruevski lider i keq, por e kanë më shumë brengën te projekti ruso-turk lidhur me gazsjellësin e “Rrymës Turke” për të cilën Uashingtoni i bën presion Greqisë që të mos bashkohet me ata.

Për fund, fajtorët kryesorë që duhet dënuar përpara atyre ushtarëve rebelues në Kumanovë apo të përfshirët në konflikte të tjera, janë personat të cilët janë angazhuar për të avancuar besimin e popullit në regjimin e tyre duke përdorur metodën retrospektive dhe tema që i shndërrojnë njerëzit në bisha të egra me synime për të huazuar sa më shumë gjurmë historike dhe më vonë për të kërkuar rikthimin e trojeve të tyre antike. Kjo ka tmerruar zërat e paqes dhe atyre që janë lodhur nga krismat e armëve për aspirata drakoniane dhe nacionalisto-kristiane të paraqitura nga të dy krahët ekstremistë të debatit, qofshin shqiptare apo maqedonase. Dhe këtu kanë kontribuar shumë kolumnistë të tjerë nacionalistë me hir apo pahir.

Në zhvillimet e fundit figurojnë dy liderë të partive rivale në kafe, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, duke pirë duhan dhe duke u zgërdhirë me shpresë se do bëhet më mirë teksa shefat e tyre po rrëzohen nga froni.

Author: admin