Prof. dr. Nusret Pllana
Prishtinë
NJË VEPËR NDRYSHE PËR KRYETRIMIN SHQIPTAR
(Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i fundit, Tiranë, 2012)
(Paranteza e fillimit:
Ju flet Televizioni Shqiptar i Tiranës! Po lexojmë pjesë nga shtypi i huaj për ngjarjet në Kosovë! Ky ishte zëri i folësit të dalluar, z. Virgjil Kule! Brezi im i shqiptarëve të Kosovës, në një mënyrë ose në një tjetër, mezi priste të dëgjonte zërin karakteristik të folësit të mirënjohur, Z. Virgjil Kule, duke lexuar pjesë të shkrimeve të shtypit të huaj, ku i jepej mbështetje morale rinisë së Kosovës. Por, në të njëjtën kohë, ky zë që vinte nga Tirana jonë, ishte e vetmja mbështetje në errësirën e madhe që kishte rënë mbi ne. Pjesëmarrës ose jo në Demonstratat e vitit 1981, të burgosur ose jo për shkak të atyre ngjarjeve, të shkolluar apo nxënës e studentë që sa bënin hapat e parë të dijes në Kosovën e robëruar, e cila me demonstratat e vitit 1981 hapi procesin e madh të shkatërrimit të atij shteti artificial të quajtur Jugosllavi, që të gjithë e kishin bërë të vetin këtë zë aq specifik, jo vetëm për të folurit e pastër të gjuhës shqipe, por edhe për ngjyrën shumë të veçantë të zërit, përmes të cilit jepte nuancat e gjithë përmasës së tragjedisë dhe të krenarisë sonë në ato ngjarje).
Hyrje
Vepra e publicistit, e studiuesit, e intelektualit të mirënjohur, njohës i disa gjuhëve të lashta dhe të reja botërore, Virgjil Kule, që i kushtohet kryetrimit tonë, Gjergj Kastiroti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, është e një rëndësie të veçantë jo vetëm për historiografinë shqiptare, por edhe për kulturën shqiptare në përgjithësi. Pse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet për disa arsye, që lidhen me ndërtimin e kësaj vepre, por mund të thuhen edhe për disa arsye që dalin nga metodologjia shkencore e ndërtimit të kësaj vepre.
Autori e thotë, që në hyrje të veprës së tij, se cilën rrugë ka ndjekur për të thënë të pathënat e kohës së kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilat ose janë thënë sipërfaqësisht, ose janë lexuar një anshëm, apo edhe janë heshtur nga studiues të huaj e shqiptarë.
Përkundër faktit se vepra fillon që nga viti 1443 dhe përfundon në vitin 1468, që është viti i vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, gjë që mund të krijojë përshtypjen se është një vepër e ndërtuar mbi parimin e kronologjisë historike. Por ajo nuk është e tillë. Nuk është kronikë historike për ngjarjet dhe për pjesëmarrjen e njerëzve në ato ngjarje. Në radhë të parë ajo është një trajtim dhe një shpalim i brendshëm, thënë kushtimisht, një shpalim shpirtëror, jo vetëm i ngjarjeve, i luftërave, i prapaskenave dhe skenave të atyre luftërave, nga ato që përgatiteshin në skenat botërore të atyre ngjarjeve, e deri te fërkimet e brendshme, por edhe i pjesëmarrësve në to, duke filluar nga kryetrimi ynë, e deri te ushtari i fundit që kishte rënë në betejat e luftimeve.
Skena dhe prapaskenat e jetës dhe bëmave të Skënderbeut
Autori Virgjil Kule, duke u marrë me luftërat 25 vjeçare që ka bërë populli shqiptar nën prijësin e tij të përmasave legjendare, bën të tij mendimin e thënë kaherë, që nga Makiaveli e këndej, që në hapje të veprës së tij, për t’ia sqaruar lexuesit ecurinë e projektit të tij shkencor për kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për Mesjetën shqiptare, për lidhjet me Perëndimin dhe Lindjen, për kryqëzatat që në atë kohë ishin mundësi të pafundme të rregullimit të jetës së individëve dhe të shteteve, por edhe për prijësit e popujve që donin lirinë e vendit të tyre më shumë se gjithë favoret e tjera të kësaj jete. Prandaj, autori thotë: ‘se një lider që arrin të qëndrojë me sukses për 25 vjet në politikën aktive, nuk mund të jetë kurrë më shumë viktimë e situatave se sa krijues dhe manipulues i tyre, andaj kam rieskploruar në gjerësi dhe thellësi fondin e madh dokumentar mbi Skënderbeun’. Kurse lexuesi dhe studiuesi shqiptar, por edhe ai botëror e di se ky fond, është aq i gjerë dhe aq i thellë, sa vështirë të mjaftojë një jetë njeriu për t’u marrë me të. Fajet, mund t’i kenë shumë krijues, por ai Babagjyshi i Madh, që u ka treguar për mbijetesën tonë, gjithë kulturave evropiane, është padyshim Marin Barleti, biografi i parë i jetës dhe i bëmave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Virgjil Kule ia ka dalë të merret me të. Virgjil Kule ia ka dalë ta ‘rieskplorojë’, siç thotë vetë, si dhe të shpalojë, në mënyrë maestrale gjithë skenat dhe prapaskenat nëpër të cilat ishin zhvilluar ngjarjet e mëdha, nëpër të cilat i kishte prirë një populli, kryetrimi i atij populli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Do të thotë, prandaj, se Virgjl Kule është dashur të rieskplorojë gjithë këtë trashëgimi historiografike për ngjarjet e mëdha të Mesjetës Shqiptare, figurë qendrore e së cilës, doemos ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe, së pari është dashur të përballet me Stërgjyshin e tij, Marin Barletin.
Një fakt është i pamohueshëm, se e gjithë historiografia skënderbegiane e përmasës evropiane është ndërtuar mbi veprën e Marin Barletit. Për këtë, mjaftojnë të shfletohen vetëm datat e përkthimit të veprës së Barletit në qendra të ndryshme të Evropës së kohës, që të shihen pastaj vitet e botimeve për figurën më të rëndësishme historike të asaj Evrope, siç ishte figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut-Kryqtarit të fundit.
Njëra nga çështjet interesante, qoftë edhe për njohuritë tona lidhur me këtë periudhë, janë padyshim përgatitjet, aspiratat, kërkimi i mundësive brenda përmasave ndërkombëtare të kohës, për shkëputjen e Gjergj Kastriotit nga Perandoria Osmane.
Rruga e ardhjes në Krujë e Kryqtarit të fundit
Po vinte viti 1443. Përgatitjet për kthimin e tij në Krujë, pra në Principatën e të atit, kishin filluar kaherë, vite më parë. Do të thotë, përveç asaj që dihet, se Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte kthyer në vendin e tij, pas betejës së Nishit, prapaskenat e përgatitjes, marrëveshjet e bëra, qoftë me faktorin e jashtëm, siç ishin hungarezët e Huniadit, të cilët ishin forca kryesore në atë front luftimesh kundër Perandorisë Osmane, qoftë me atë të brendshëm, siç ishin princër dhe ushtarakë të shumtë shqiptarë, duke filluar nga Hamza Kastrioti, e deri te Lekë Dukagjini, tashti i mësojmë ndryshe, edhe nga ato që ka thënë Marin Barleti. Sepse këtu janë shpaluar, mbi bazë faktesh dhe të dhënash nga shumë burime arkivore historike dhe publicistike, se ç’rrugë është ndjekur për t’u realizuar ardhja e tij në atdhe, pa pasoja dhe pa pengesa.
Nga ky moment e tutje, deri në vitin 1468, që është viti i vdekjes së kryetrimit tonë, i cili për njëzet e pesë vjet u bëri ballë gjithë atyre mësymjeve dhe tërë asaj hordhie ushtarake osmane, janë shqyrtuar me radhë të gjithë vitet e ekzistencës së qëndresës shqiptare, jo vetëm për ta dëshmuar praninë e tyre në këto hapësira, por edhe për faktorizimin e tyre në planin evropian të asaj kohe. Ngase ndryshe, si do të ishte e mundur që një princ shqiptar, i kthyer në pronat e të atit, të bëhej kryqtari më i rëndësishëm i asaj kohe. Mirëpo, në anën tjetër ky princ shqiptar, kishte arritur të organizonte një ushtri të mirëfilltë kundër forcave pushtuese osmane, por edhe kishte arritur, përveç të tjerash, të krijojë edhe Besëlidhjen e madhe në mes principatave shqiptare, pra i cili kishte vënë themelet e një shteti arbëror, thuajse i barasvlershëm me organizimin shtetëror të asaj kohe në gjithë Evropën.
Rëniet dhe ngritjet kishin qenë të shumta dhe të mëdha, jo vetëm në jetën personale të kryetrimit shqiptar, por edhe në jetën historike të vendit. Ndoshta për historinë 25 vjet qëndrese dhe luftërash të pandërprera nuk janë shumë, por për një vend që ishte në zgrip të ekzistencës fizike, këto 25 vjet ishin më shumë se shekuj. Të gjitha këto rënie dhe ngritje janë trajtuar me shumë kujdes, me shumë akribi në gjithë shtrirjen e ngjarjeve nëpër vite, që nga vitit 1443 e deri në vitin 1468, nga autori Virgjil Kule. Prandaj, vepra e tij, Gjergj Kastriotit Skënderbeu-Kryqtari i fundit, është specifike edhe në planin e organizimit të lëndës për këtë vepër, siç është specifike edhe për rishqyrtimin e shumë fakteve historike, qoftë nga autorë të huaj, qoftë nga ata vendor, duke filluar nga Marin Barleti, Frang Bardhi e deri te autorët tanë të Rilindjes Kombëtare, që e shndërruan figurën e tij, në prijësin legjendar të shqiptarëve.
Me këtë rast, le të më lejohet të sjellë edhe një fakt përfundimtar, për madhështinë e projektit të Skënderbeut, jo vetëm lidhur me mbrojtjen e lirisë së vendit të tij, por edhe të pengimit të depërtimit të Perandorisë Osmane në hapësirat evropiane, si dhe me mundësinë e marrëveshjes me Vatikanin lidhur me organizimin e ndonjë kryqëzate, së cilës do t’i printe kryetrimi ynë, gjë që dëshmohet edhe përmes ndihmës që Papa Pali II-të, ia kishte dërguar si lloj ndihme. Në vitin 1467, pak ditë para vdekjes së Gjergj Kastriotit Skëndebeut, Pali II-të ia kishte dërguar 1. 100 dukat, fonde që duheshin kuptuar edhe si një vazhdimësi e realizimit të projekteve të kryetrimit tonë me bashkësinë evropiane të kohës.
Atëherë, po trokiste Viti i Ri 1468. Projekti i Skënderbeut kishte përsëri shanse të vazhdonte aty ku kishte ngecur, por me lëvizje politike që vetëm mendja e tij gjeniale mund t’i përpunonte në përputhje me situatat. Cilat mund të ishin ato? Përgjigjet mund të dalin vetëm nga një kuis interaktiv historik nga ata që, duke paraqitur rrethanat konkrete, u kërkojnë historianëve të japin variante mbi mënyrën se si mund të kishin vepruar figurat madhore politike të kohërave, në rast se vdekja e papritur nuk do t’i largonte nga kjo botë.
Një përmbyllje e këtillë e një vepre madhore, si kjo e intelektualit të mirënjohur, z. Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, mund të jetë e lejueshme vetëm për ato dije që kanë pretendimin se kanë shtjerrë përgjithësisht gjithë burimet, publike dhe arkivore lidhur me jetën, luftërat, bëmat, vendin dhe gjeninë politike të Kryetrimit të shqiptarëve.
Përfundim
Autori i veprës Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, me veprën e tij ka hapur shumë dilema. Dilema të natyrës historike, se a mund të argumentohen të gjitha veprimet e tij politike dhe ushtarake me burime arkivore të besueshme. Dilema politike, se a ishte koherent projekti i tij, pra a përputhej pa ngërçe historia e veprimit të tij me historinë e veprimit të tij politik e ushtarak, po ashtu të vërtetuar nga burimet historike.
Qoftë edhe vetëm për trajtimin dhe shqyrtimin e këtyre dilemave, që e përshkojnë fund e krye këtë vepër madhore të autorit Virgjil Kule, ajo, vepra pra, hap rrugë për këndvështrime të ndryshme, për lexime të ndryshme, si dhe për qasje e komentime të ndryshme. Kjo veti e veprave shkencore, kanë thënë të gjithë të diturit, është mirë për jetën e veprës.
Vepra e intelektualit të madh, z. Virgjil Kule e ka këtë cilësi.