MBRËMJE E MADHE FESTIVE NË BREGDETIN SLLOVEN NË PËRVJETORIN E GJASHTË TË PAVARSISË

Nga Gëzim MUÇOLLI

largea_tregtfntgh1393414496

Mërgata shqiptare në Republikën e Sllovenisë ka dhjetëvjetësha që dallohet për nivelin e oganizimit dhe bashkëpunimit në veprimtari të shumta. Duket sikur fati e deshti që ti shohim në ballë të përgjegjësisë në ngjarje të paharruara e me vlerë historike gjatë viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë e sidomos me veprimtarinë e shoqatës “Migjeni” e cila duke gëzuar frymën e re të ndryshimeve demokratike që patën filluar në këtë shtet që po bëhej gati të pavarësohej nga sistemi i dështuar ish-jugosllav po përcillte jehonën e tyre edhe në mesin e shqiptarëve kudo në trojet etnike shqiptare.

Koha ruan dëshmitë jo vetëm për vështirësitë që patën në fillim mërgimtarët tonë por edhe duke bërë kalimin historik nga niveli i mërgatës që kryente në fillim vetëm punë fizike që kërkonin krahë të fortë dhe shumë durim , pastaj në nivele aktuale me kualitete të njohura të sipërmarrjes dhe shkollimit të lartë. Dhe sukseset nuk kanë munguar duke arritur edhe pika kulmore të suksesit në integrimin social , kulturor, ekonomik dhe akademik midis popullatës sllovene.

pervetorigjategezimi

Pjesë e konsiderueshme e mërgatës sonë në këtë vend është e koncentruar në pjesën perëndimore buzë bregdetit të bukur slloven. Aty emri dhe zëri i shqiptarëve ka vlerë dhe peshë të ciilën e kanë arritur me angazhim dhe rezultate pune që i bëjnë nder edhe vendit prej nga vijnë. Ka vite që bashkatdhetarët tonë veprojnë të organizuar në shoqata kulturore duke krijuar ambiente ku ruhen traditat dhe duke përgatitur programe të shumta kulturore dhe duke prezentuar jo vetëm para familjeve shqiptare por edhe para publikut të nderuar slloven kulturën autentike shqiptare.

Pikërisht për këto veprimtari është e njohur dhe dallohet Shoqata Kulturore “Iliria“ e qytetit të Koprit. Në këtë qytet portual pranë kufirit me Italinë anëtarët e vyer të kësaj shoqate kanë krijuar traditën e tyre të begatshme me organizime të ndryshme që pasqyrojnë nivele të larta artistike. Sidomos dallohen të rinjtë e kësaj shoqate shumica e të cilëve janë lindur dhe rritur larg Kosovës , të përkrahur nga kryetari i nderuar i këtij asociacioni kulturor z. Heset Ahmeti, i cili përpos që është i njohur për sukseset e tij si sipërmarrës me firmën e tij “ Ekogradnje “ poashtu njihet edhe për përkrahjen e madhe që i ka dhënë të gjitha aktiviteteve sociale, artistike dhe kulturore të shqiptarëve në Sloveni.Pa harruar të përmendim edhe bashkëpuntorët e ngushtë nga kryesia e shoqatës si Bashkim Ziba , Mexhid Hoxhaj , Driton Shehu , etj. që janë mbështetës të çdo nisme dhe veprimtarisë së anëtarëve të vyer të këtij asociacioni kulturor.

pervetorigjategezimi1

Shoqata kulturore “ Iliria “ nga qyteti Koper në mbrëmjen e të shtunës me 15 shkurt organizoi festën qendrore të mërgatës me rastin e përvjetorit të gjashtë të shpalljes së pavarsisë së Republikës së Kosovës.Salla e madhe e Hotelit Adria në qytetin e bukur të Ankaranit dukej e vogël për të zënë të gjithë të pranishit të cilët ishin rreth treqind vetë që kishin ardhur ta ndanin gëzimin e festës të shoqëruar nga programmi i pasur artistik i anëtarëve të “Ilirisë “.

Hapjen e programit të kësaj mbrëmje të madhe festive e cila filloi me hymnin kombëtar e pastaj u intonua edhe himni shtetror i Republikës së Kosovës. e bëri zonja Leonora Buçinca e cila përshëndeti të gjithë të pranishmit duke ju dëshiruar mirseardhje në emër të anëtarëve të kryesisë së shoqatës “Iliria”.

Fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari i shoqatës , z. Heset Ahmeti i cili duke falenderuar me shumë respekt mysafirët e pranishëm e sidomos ata që për të nderuar festën kishin ardhur nga qytetet e ndryshme të Sllovenisë, Austrisë , Zvicrrës, Gjermanisë dhe Italisë, ua uroi festën e pavarsisë duke nënvizuar edhe njëherë vlerën e madhe historike të kësaj date për popullin shqiptar. Poashtu falenderoi edhe të gjithë ata që kanë vepruar dhe vazhdojnë të angazhohen në kuadër të kësaj shoqate.

tukercuuu

Me nderim dhe respekt të veçantë u prit fjala përshëndetëse e ambasadorit të ri të Republikës së Kosovës në Slloveni, z. Nexhmi Rexhepi, i cili ua uroi të gjithëve festën e pavarsisë duke mirënjohur sakrificën e madhe të popullit shqiptar në luftën për liri dhe pavarësi. Duke folur me respekt për veprimtarinë atdhedashëse të mërgatës në Sloveni si dhe duke falenderuar mikpritësit iu uroi atyre të vazhdojnë punën e suksesshme e cila pasqyron nivele të larta si të integrimit në vendin ku jetojnë poashtu edhe të ruajtjes së traditave pozitive nga vendlindja.

Ambasadori Rexhepi vëmendje të veçantë i kushtoi edhe veprimtarisë edukative arsimore dhe foli për problemet e shkollimit në gjuhën shqipe në mesin e fëmijëve të mërgimtarëve.Ai pohoi se do të përkrahë përherë shkollimin plotësues dhe garantoi angazhim maksimal në pajisjen e shkolave me tekste shkollore në gjuhën amtare.

Me nderim të veçantë për mikpritësit dhe mysafirët e pranishëm në festë uroi këtë festë edhe z. Ardian Simoni , i ngarkuari me punë i Ambasadës së Shqipërisë në Slloveni. Diplomati shqiptar i cili njihet për përkrahjen e tij dhe bashkëpunimin në ngjarje të rëndësishmme kulturore të mërgatës sonë poashtu është i njohur edhe për veprimtarinë e tij të përbashkët me atdhetarët kosovarë në Itali gjatë viteve të luftës në Kosovë kur ai ishte duke studiuar shkencat politike, ku u laurea si student më i mirë i gjeneratës në Universitetin e Padovas. Ai u zotua se Ambasada e Shqipërisë do të jetë prëherë përkrah angazhimeve dhe interesave të mërgimtarëve nga shtetet tona.

tregbtrefhret

Mbrëmja vazhdoi me vallet e interpretuara me shpirt artistik nga vajzat e shoqatës “ Iliria “ të cilat nën tingujt e muzikës së zgjedhur emocionuan publikun me nivelin e lartë të paraqitjes skenike sidomos me me Vallen e Shqipeve. Ato dëshmuan pjekuri artistike duke respektuar konceptin e porosisë ideore plot respekt për sakrificën e brezave të kaluar dhe atdhedashurinë e brezave të rinj të përgatitur nga udhëheqësi artistik i shoqatës, poeti dhe korreografi i nderuar z. Mexhid Hoxhaj .

Pastaj fjalën e mori zonja e nderuar e poezisë dhe sakrificës humane, nënëlokja Vitore Stefa – Leka e cila plot emocion e përlotur nga gëzimi dhe nderit që i jep kjo festë madhore foli me dinjitet për kohërat e kaluara dhe shpërbilimin e sakrificës me liri e pavarësi.

“Krejt shqiptarët në një vend” ishte kënga e radhës e interpretuar nga i riu emigrant Vegim Hoxha duke nënvizuar edhe njëherë dëshirën e gjeneratave të kaluara dhe të tashme të mërgimtarëve.

Me fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe mysafirët e ardhur në këtë festë, z. Xhavit Zariqi, nënkryetar i Komunës së Ferizajt në Kosovë, zonjusha Najada Kurti nga shoqata e studentëve shqiptarë të Universitetit të Triestes, si dhe poeti nga Italia Gëzim Muçolli i cili solli përshëndetjet e ngrohta nga miqtë e shoqatës “Iliria” të Trevizos (të cilët ishin duke festuar të njëjtën mbrëmje me bashkëatdhetarët tonë në krahinën e Venetos në Itali) cila ka bashkëpunim të gjatë e të suksesshëm me “ilirët” e Koprit, duke falenderuar për ambientin madhështor festiv dhe duke iu uruar edhe shumë suksese të reja.

Pasoi recitali poetik i realizuar nga artistet e reja Suela Hoxha , Bedrije Bytyçi , Valentina Ahmeti , Fetije Hoxha , Besarta Hameli si dhe i riu Albin Ahmeti . Pas poezive të shqiptuara në mënyrë brilante nga këto të reja me plot dashuri për fjalën e shkruar artistike e që do t’ua kishin lakmi edhe moshataret e tyre në atdhe, i erdhi radha edhe udhëheqëses së shkëlqyshme të mbrëmjes e cila pasi që kërkoi me respekt nga publiku, foli në emër të vet edhe poetja e nderuar Leonora Buçinca.

Leonora e cila ishte luftëtare e orëve të para në njësitet e UÇK-së dhe tash jeton dhe zhvillon aktivitetin e saj si gazetare në televizionin e Triestes dhe gazetën “Il Piccolo” të qytetit më verior të adriatikut italian foli me pietet duke përmendur përpjekjet dhe sakrificat e luftëtarëve të rënë , duke nderuar të gjithë ata që kontribuan për Shtetin e pavarur të Kosovës . Ajo plot dinjitet përkujtoi edhe njëherë dëshmorët dhe luftëtarët e pushkës dhe penës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe legjendarin Adem Jasharin , i cili me sakrificën e tij ia ndërroi rrjedhën historisë duke shkruar faqe të reja të lavdishme që sollën lirinë dhe shtetin që po e gëzojmë sot.

Mbrëmja vazhdoi deri pas mesnatës me programin artistik me muzikë dhe këngë të zgjedhura nga këngë të kënduara nga këngëtari Beqir Telaku nga Celje e Sllovenisë me përcjellje muzikore nga djali i tij 16 vjeçar Arnisi i cili me sukses po vazhdon traditën familiare në fushën e muzikës popullore . Edhe artisti i mirënjohur Dino Murtezani nga kryeqyteti slloven Lubjana, i dalluar për interpretimet e tij shoqëroi gjatë gjithë kohës me instrumente të shumta si dhe me dy miqte e tij sllovenë që aq bukur i binin daulles shqiptare plot ritëm folklorik .

Yjet e mirënjohur të muzikës popullore shqiptare Selim Llumnica dhe Donika Hajra që kishin ardhur të ftuar enkas nga Prishtina kënaqën publikun e pranishëm me nivelin e tyre të lartë duke kënduar këngë të gjithë Shqipërisë etnike dhe bënë që vallja të mos pushojë deri në orët e vona të natës festive që bëri të jehojë shqip edhe buzëdeti i adriatikut slloven.

Author: admin