NJËZET VITE MES PAQES DHE LUFTËS

Nga z.Gëzim MUÇOLLI

NJËZET VITE MES PAQES DHE LUFTËS

Ditën e shtunë me 11 maj 2013, në Padovë zhvilloi punimet Konferenca Internacionale mbi Ballkanin 20 vite pas shkatërrimit të ish Jugosllavisë (“I BALCANI VENT’ ANNI DOPO” ), e organizuar nga Universiteti i Padovës, Osservatorio Balcani e Caucaso nga Trento, Comitato Padova per i Balcani dhe Komuna e Padovës në kuadër të projektit “Cercavamo la pace” (Kërkonim paqen) për të mos harruar atë çfarë ka ndodhur dhe që të vazhdohet në konstruktimin e relacioneve mes 2 brigjeve të Adriatikut.

Meqenëse nuk ishte ftuar askush nga shoqëria civile nga Kosova ,ndodhi mobilizimi i bashkombësve të vyer në Itali që e duan natyralitetin kombëtar në gjithë shtrirjen e tij gjeografike të cilët vërshuan me telefonata,letra zyrtare dhe mesazhe e komente në rrjete sociale plot me kritika objektive ndaj organizatorëve që nuk ishin “kujtuar” të ftonin përfaqësues nga shoqëria civile dhe rrethet intelektuale të Universitetit të Prishtinës.

Pas përshëndetjeve institucionale të zakonshme në rrethana të tilla filloi edhe pjesa e parë e titulluar: “Tribunali penal internacional i Hagës,gjyqet lokale dhe iniciativat e shoqërisë civile për tu ballafaquar me trashëgiminë e viteve ‘ 90”.
Andrea Rossini, gazetar i Osservatorio BalcanieCaucaso pas fjalës hyrëse i ftoi me radhë relatorët para publikut.

Filloi me diskutimin e Professor Mascia , drejtor i Qendrës së studimeve humanitare të Universitetit të Padovës, i cili pasi foli për përvojën 20 vjeqare me iniciativat e paqes sidomos në Bosnje, pjesën më të madhe ia kushtoi kushteve dhe rrethanave si u krijua Tribunali i Hagës për krimet në luftërat në ish-Jugosllavi.

Pas tij Mario Fiorin nga Comitato Padova per la Pace, pasi foli për përgatitjet për mbajtjen e kësaj konference që paskan filluar gati para një viti,theksoi rëndësinë e Marrëveshtjes së Dejtonit për ndaljen e luftës në Bosnje megjithë mosfunksionalitetin kushtetues të shtetit të Bosnjës e Hercegovinës.Pastaj u ndal në fakte më të reja duke shprehur kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshtjes së prillit në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë,e cila ishte befasi e mirë dhe e papritur për shumicën e pacifistave në Itali duke ditur rrethanat dhe armiqësinë shqiptare-serbe në Kosovë.

Dy zonja italiane nga Shoqata “Donne in nero” (Gratë në të zeza) lexuan në vazhdim disa pjesë nga tregimet letrare autobiografike të disa nënave boshnjake që kishin humbur familjarët e tyre nga dora kriminale e paramilitarëve serbë të “Skorpionave”. Porosia e tragjedive të përjetuara me sytë e nënave ishte e qartë: Nuk ka paqe pa u vënë në vend drejtësia!

Më pastaj fjalën e mori Paolo De Stefani , profesor i të drejtës internazionale në Universitetin e Padovës si dhe drejtor për Italinë i Masterit europian në të drejtat e njeriut dhe demokratizimin në Venezia.Duke folur në fillim se Tribunali Penal Internacional është themeluar me vendimin e 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 1993 me objektive shumë të qarta praktike por edhe për të ndihmuar në konstruktimin e një të ardhmje pa lufta midis vendeve të përfshira në luftat e Serbisë me ish Republikat e ish Jugosllavisë.I themeluar me shumë vështirësi roli i TPI kishte para vetes qasje të ndryshme nga ato të deriatëhërshme në kualifikimin e krimeve kundër njerzimit:
-dimensionimi i dhunës si lloj i veçantë,
-dhunimet etnike, shtatzënitë e qëllimshme nga dhunimet
-dhuna sistematike kundër femrave dhe civilëve e kryer si të ishte përgaditur me studim shkencërisht,
-nocioni i konceptit : krim lufte,
-ndriçim i ri mbi konceptin e gjenocidit.

Profesor De Stefani pastaj tërhoqi një vijë ndarëse në diskutimin e tij me tri pikëvështrime që kanë pasur karakter vendosës në punën e tribunalit:

1-Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999- e cila pati epilogun e saj me ndërhyrjen e komunitetit internacional ,lidhur me pjesëmarrjen e pilotëve amerikanë dhe të vendeve të tjera të Aleancës Nato,si dhe zingjirit komandues të qeverive perendimore Tribunali vendosi kundër hapjes së hetimeve për fajësi individuale ose kolektive të gjithë përgjegjësve nga vendet perendimore.

2-Sentenca Krstiq – ku u pranua se në Srebrenicë në Bosnje ka pasur gjenocid dhe u njoh përgjegjësia e udhëheqësisë së atëhershme të qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republika Srpska . Procesi ndaj Milosheviçit nuk përfundoi për shkak të vdekjes së tij por vazhdimi i tij ndaj Karaxhiqit dhe Mladiqit do të nxjerr fakte të reja mbi përgjegjësinë e udhëheqësve politikë dhe ushtarakë serb në gjenocidin e kryer.
Serbia në procesin Krstiq në Hagë ka kërkuar që të mbulohet me të drejtën e sekretit mbi informacionet që do të mund ta kompromitonin sigurinë e shtetit të vet dhe për çudi kjo kërkesë i është pranuar .Pra TPI në procesin kundër Krstiqit nuk ka kryer detyrën e vet që të përcaktojë të drejtën mbi të vërtetën.

3- Sentenca Gotovina- ku gjykatësi italian Polzar përdor mbiemrin grotesk duke njohur faktin se nuk kishte civilë të goditur në 200 metra largësi nga objektivat ushtarakë.Leximi miop juridikisht shumë i dyshimtë i një realiteti, dritë e dyshimtë në një hap fals të izoluar i cili ka pasur dhe do të krijojë probleme në proceset në vazhdim në TPI.

20 vjet pas formimit dhe veprimtarisë së tij me 20 korrik të këtij viti Tribunali i Hagës mbyll punën e tij dhe do t’ ia dorëzojë vazhdimin e proceseve gjyqësore pjesës së mbetur reziduale të këtij Gjyqi si dhe prokurorive përkatëse të shteteve nga vijnë të akuzuarit për krime lufte.-përfundoi mes habisë së të pranishmëve fjalën e tij prof. Paolo De Stefani.

Mysafir nga Serbia ishte ftuar Natasha Kandiq emër i njohur për opinionin serb, ballkanik dhe internacional për veprimtarinë e saj në krye të Qendrës për të drejatat humanitare në Beograd për gjetjen e dëshmive për fajësimin dhe nxjerrjen para gjyqit të kriminelëve serbë që kanë kryer krime gjatë luftave të fundit sidomos në Bosnje dhe në Kosovë.

Por në vend të saj kishte ardhur Sandra Orloviq ,drejtoreshë ekzekutive e kësaj qendre.Ajo qysh në fillim pasi falenderoi organizatorët për ftesën tha se nëse është arritur të nxirren para gjyqit kriminelët e njësititserb “Skorpionët” është meritë e punës që ka kryer organizata e drejtuar nga Natasha Kandiq në grumbullimin e fakteve dhe dëshmive mbi krimet e kryera.

Sandra nënvizoi faktin tmerrues mbi përsëritjen ciklike të krimeve të kryera gjatë historisë nga serbët dhe të tjerë.
Ende është heret të dihet se sa ka kontribuar TPI në pajtim, sepse kanë kaluar vetëm 10-15 vjet nga lufta, dhe duhet pasur parasysh se ne në Serbi jemi gjeneratë e viktimave dhe kryerësve të krimeve.

Gjyqi i Hagës shënon fundin e padënueshmërisë institucionale ndaj krimeve të kryera nga regjimi serb i Milosheviqit, Karaxhiqit,gjeneralëve ,etj dhe ky gjyq i dha vizibilitet viktimave dhe kriminelëve.
Disa dëshmi të viktimave para Tribunalit kanë ndikuar në imazhin e mendësisë ballkanike kolektive.Një nënë nga Srebrenica gjatë procesit e pyet gjeneralin Krstiq ku e kam djalin e ai nuk mundi ta shikojë në sy , ulë kokën dhe fillon të qajë .
Aspekti tjetër është se tribunali i Hagës ka detyruar Serbinë të dorëzojë dokumentet sekrete rreth vendimeve politike të qeverisë dhe këto dokumente janë publike në sitin elektronik të TPI-së, në gjuhët e kombeve të konfliktuara dhe në anglisht.aty ka rreth 100.000 dokumente dhe aty mund të shihet psh.cila njësi ushtarake ka qenë në Kosovë ,cilën ditë dhe në cilin fshat apo qytet kanë kryer krime.

Aktivitete tjera të qendrës humanitare të Beogradit është ndihma në hulumtimin dhe gjetja e të zhdukurve nga lufta në Kosovë dhe Bosnje si dhe gjetja e varrezave masive tha Sandra Orloviq duke theksuar se nga viti 2004 ka ngecje në gjetjen e tyre. Ajo përmandi disa aspekte që nuk kontribuojnë në pajtimin midis popujve të Ballkanit Perendimor :

– tëhuajsimi i TPI nga vendet e rajonit,
– lëshimet në spjegimin e procedurave të TPI ndaj qytetarëve,
– krijimi i komandës për mbrojtjen e dëshmitarëve është kuptuar si eksperiment nga qytetarët në punën e tij,në Serbi shpeshherë dëshmitarët e mbrojtur dhe familjarët e tyre kërcënohen pikërisht nga policët e ekipit mbrojtës dhe nga kriminelët që ende sillen të lirë,
– kryerjen e analizave të ADN-së nacionalistët e të gjitha palëve e kanë shfrytëzuar si propagandë kundër popujve tjerë si përgjegjës krimesh ndaj tyre,
– për 20 vjet në TPI është qasja trasparente e botës në të kaluarën e pushteteve,
– përgjegjësia edhe nga komuniteti ndërkombëtar edhe nga elitat politike në vendet e rajonit,
– komuniteti internacional dhe Unioni Evropian kanë insistuar gjithmonë në bashkëpunimin e Serbisë me Hagën, por ky bashkëpunim shpesh është shëndërruar në këmbim mallra-para,
– në Serbi bartësit e funksioneve ushtarake kanë ngelur ende në funksione në institucione publike dhe udhëheqin si dhe komandanti i tashëm ushtrisë serbe ka qenë në Kosovë gjatë luftës ku njësia e komanduar prej tij ka vrarë 600 civilë shqiptarë, e shembuj si ky ka edhe në vendet tjera ish-jugosllave,
– në vitin 2005 në bashkëpunim me shoqatat humanitare të Sarajevës dhe Zagrebit kemi filluar shënimin e emrave të të gjitha viktimave ,
– ende në këto vende zgjedhjet politike fitohen nga partitë duke bërë propagandë nacionaliste duke rritur numrin e viktimave brenda popullit të vet dhe duke zvogëluar ato që kanë shkaktuar vetë,
– brenda 2-3 viteve do të përfundohet regjistrimi i të gjitha viktimave në luftat e ish Jugosllavisë.themelimi i komisioneve regionale për dokumentimin e viktimave të luftës është meritë e punës së kësaj qendre humanitare dhe në muajt e fundit kjo iniciativë është pranuar nga presidentët e shteteve të regjionit e kjo është një fitore dhe shpresojmë që në muajt e ardhshëm do të mund ti jepet pamje dhe emër çdo viktime.-përfundoi diskutimin e saj Sandra Orloviq.

Andrea Rossini plotësoi duke përmendur të dhënat se Prokuroria kundër krimeve të luftës në Beograd ka shpallur 60 dënime , 15 pafajësi, si dhe janë në vazhdim 57 procese.Kurse Prokuroria e Sarajevës ka në vazhdim mijëra procese ndaj të akuzuarve për krime të luftës.
Poashtu u përmend se mbrojtja e dëshmitarëve është problem sidomos në Kosovë sepse është vend i vogël ku të gjithë njihen njëri-me tjetrin.
Pas intervenimit të zotëri Zanett-it i cili tha se Europa duhet gjithsesi ti pranojë edhe fajet e veta e pastaj të flet për përgjegjësitë e të tjerëve,Andrea Rossini pastaj përmendi faktin se në Holandë është zhvilluar procesi gjyqësor kundër pjesëtarëve të batalionit holandez të helmetkaltërve të OKB-së ku familjarët e boshnjakëve të vrarë kanë kërkuar dëmshpërblim nga shteti i Holandës për viktimat e Srebrenicës.

Gëzim Muçolli pasi e përshëndeti këtë iniciativë të mbajtjes së konferencës internacionale si dhe angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve italiane dhe OJQ-ve para,gjatë dhe pas luftës në Kosovë përmendi edhe njëherë thënien se nuk ka paqe pa drejtësi.Nuk mund të ketë paqe kur edhe pas 14 viteve janë edhe 1754 familje kosovare që kërkojnë të dashurit e tyre që ende janë të zhdukur.Ata duan që t’iu kthehen trupat e familjarëve të tyre që të kenë një gur varri ku do ti qajnë dhe do t’iu vejnë lule në kujtim të jetës s tyre.

Duke folur për raportet e popullit të Republikës së Kosovës me Serbinë edhe pse çdo rrëfim i ngjan fillimit të një përralle “Na ishte një herë…” përfundimi ishte i kundërt dhe lirisht mund të thuhet se kurrë “nuk jetuan të kënaqur e të lumtur” me shtetin fqinj i cili përsëriti agresionin dhe krimet ciklike antishqiptare të përsëritura gjatë historisë në trojet shqiptare .

Ndoshta nuk e dini ,por këtë vit, pra 2013 mbushen 100 vjet nga Konferenca ndërkombëtare e Londrës ku u morën vendime tragjike për fatin e popullit shqiptar dhe shtetit të tij,të copëtuar nga luftrat ballkanike. Traktati i Londrës i vitit 1913 me komplicitetin dhe pëlqimin e fuqive të mëdha evropiane edhe pse i panënshkruar vulosi në mënyrë tragjike okupimin serb të Kosovës e cila ishte vilajeti më i madh i Shqipërisë. Këto vendime sipas studiuesve kanë vlershmërinë e tyre për 99 vite,prandaj duhet pasur kujdes mos të përsëriten gabimet historike nga Evropa.

Pikërisht kjo Evropë e cila sot duke mos i dhënë të drejtën e qarkullimit të lirë pa viza qytetarëve të kosovës ,po shkakton getoizimin e tyre duke i penguar të realizojnë ëndërrën evropiane.Duke përmendur shifrat e fundit të institutit Gap të Prishtinës ku del se për tri vitet e fundit 217.872 qytetarë kosovarë kanë shpenzuar rreth 15 milion euro për viza të UE kurse vetëm për viza italiane janë paguar 1.784.057 euro.

Pastaj përmendi edhe rastin e vrasjes nga forcat serbe të Profesor Fehmi Aganit dhe 5 antarëve të familjes Blakqori nga Podujeva me 6 maj 1999 si dhe kërkesat e familjarëve për gjykimin e kriminelëve që kanë kryer vrasjen për të cilët ekzistojnë dëshmi të sigurta ( nga një proces gjyqësor i gjyqit të Prishtinës në maj 1999) se kush janë .
Në fund të intervenimit iu shpreh kritika organizatorit që nuk kishte sjellur edhe ndonjë mysafir nga shoqëria civile kosovare apo Universiteti i Prishtinës.

Luisa Chiodi ,drejtoreshë shkencore e Oservatorit Ballkani e Kaukazi , pasi premtoi se do të organizohen sërish tubime të tilla ku do të ftojnë edhe përfaqësues nga Kosova ,foli për luftat e reja kundër civilëve si fenomen evropian përmendi rëndësinë e trashëgimisë dhe perspektivës si dhe integrimet evropiane. Rëndësi iu dha edhe rolit të mas-mediave në të kaluarën ballkanike si dhe informacioneve alternative të sotme duke iu falenderuar shkëmbimit të informatave në internet dhe rrjete sociale ku ka rëndësi edhe kooperimi i shoqërisë civile duke përmbyllur pjesën e parë tematike të konferencës.

Në pjesën e dytë të konferencës me titull ” Ecuria e integrimeve evropiane të Ballkanit perendimor” , , gazetari Luka Zanoni nga Osservatorio Balcaniecaucasi koordinoi dialogun midis të ftuarve dhe publikut të pranishëm.

Nga Bosnja e Hercegovina,kishte ardhur Zlatko Dizdareviq nga Sarajeva , gazetar dhe diplomat boshnjak i cili ka qenë ambasador i BH në Kroaci dhe në Jordani.

Poashtu ishte prezent edhe Paolo Bergamaschi ,këshilltar në Komisionin përPunë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Zyrtari nga Parlamenti evropian foli gjatë duke spjeguar ecurinë e integrimit të vendeve ballkanike jo vetëm ish republikave ish Jugoslave por edhe të Shqipërisë dhe Turqisë. Ai nënvizoi rëndësinë e marrëveshtjes së nënshkruar nga kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë të cilën e quajti historike duke shprehur entuziazmin që mbretëron në Unionin Europian si dhe në Nato sepse kjo ishte gati në kufijt e të pamundshmes brenda suazave të realitetit historik midis dy kombeve.Poashtu foli për nxitjen që i kishte dhënë kësaj ngjarje Rasmusen nga Nato i cili kishte lënë hapur edhe opzione tjera në mbledhjen e fundit që kishin pasur bashkë në Bruksel.

Zlatko Dizdareviq pasi foli për njohjen e tij me qytetin e Padovës dhe ndihmën e madhe që kanë dhënë padovanët dhe populli italian për Sarajevën dhe Bosnjen, dëshmoi edhe për faktin se ndihmat humanitare ishin shëndërruar në biznis të madh dhe qeveritë e kishin përkrahur këtë gjë.

Dizdareviq tha se do të flet para publikut si qytetar i thjeshtë i Sarajevës, e jo si diplomat as si gazetar.Ai tha se do të ishte shumë i sinqertë dhe për ta vërtetuar këtë ai e pranoi të vërtetën sipas tij se qytetarët e Bosnjës e kanë humbur luftën. Luftën e kanë fituar të gjithë armiqtë e Bosnjë Hercegovinës bile edhe ata që marrin rrogë si funksionarë të shtetit.
E vetmja mundësi e mbijetesës së Bosnjës-Hercegovinës si për ironi është pamundësia e dezintegrimit të saj. Kush e pengon që të jetë shtet? Pikërisht ata të cilët e krijuan të tillë siq është. Në mesin e qytetarëve boshnjak ekziston ndjenja e fortë e kompleksit të inferioritetit të përditshëm se ne duhet të gjejmë zgjidhje të cilat do ti pranojnë të tjerët. Po ti aplikohej koncepti i tillë ndaj Serbisë dhe Kosovës do të ishte krijuar situatë e njëjtë sikur në Bosnje. Sepse Bosnja është vendi i vetëm në Evropë ku është i ndaluar çdo ndryshim.

Dialogu i Dizdareviqit vazhdoi me pyetje nga publiku, në të cilat ai u përgjegj me korrektësi. Edhe bashkatdhetari nga Kosova , Hamit Kurti iu drejtua me pyetjen se pse Bosnja nuk e ka njohur ende Republikën e Kosovës duke e lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë ku edhe pas arrestimit të një qytetari të kërkuar nga gjyqi i Sarajevës, Bosnja nuk mund të kërkohjë ekstradimin e tij pikërisht pse ajo nuk e njeh ende pavarsinë e Kosovës dhe nuk kanë marrëveshtje bashkëpunimi.Ai poashtu ia kujtoi atij si dhe z.Bergamaschi se Kosova është shtet i pavarur i njohur nga 100 vende të botës.
Dizdareviq u përgjegj se faji qëndron në mosfunksionalitetin institucional të shtetit boshnjak i formuar me kushtetutën që doli nga marrveshtja e imponuar e Dejtonit. Edhe sikur ta njohim Kosovën në Sarajevë , do të del presidenti i Republika Srpska dhe do ta anulojë njohjen sepse Bosnja nuk ka president por ka presidencë trepalëshe.

Dizdareviq pastaj vazhdoi komunikimin e tij duke theksuar vazhhdimisht pakënaqësinë e tij dhe të qytetarëve të vendit të tij për gjendjen në shtetin e tyre. Ai u shpreh tekstualisht se në Bosnje pas nënshkrimit të marrëveshtjes Kosovë –Serbi mbretëron një gjendje zemërimi deri në histeri ndaj komunitetit ndërkombëtar pikërisht për faktin se e kanë parë se durimi i kosovarëve është shpaguar duke ruajtur integritetin territorial dhe pavarsinë e shtetit.
Dhe shtoi se po krijohet përshtypja e keqe në Sarajevë se duhet bërë diçka.
Duhet bërë diçka keq që të bëhet më mirë-përfundoi në mënyrë jodiplomatike ish ambasadori boshnjak Zlatko Dizdareviq , gazetar i njohur i cili botoi gazetën “Oslobogjenje” në Sarajevë gjatë tërë kohës së luftës duke u shpërblyer edhe me çmimin Saharov për paqe nga Unioni Europian.

Author: admin