Rreth udhës së alfabetit të gjuhës shqipe
E nisi Gjon Buzuku: botoi “Mesharin”(1555) në gjuhën shqipe. U ndodh përpara vështirësive. I mungonin shkronjat që i duheshin për të plotësuar mungesat e alfabetit latin. Me përpjekje arriti t`i jepte zgjidhje. Bashkoi në pak raste dy shkronja, përdori pesë shkronja të veçanta që nuk i kishte alfabeti latin-italian, duke na dhënë një alfabet të tillë, që i priu shkrimit shqip, me sa dimë deri më sot. Nëse ka një traditë më të vjetër të shkrimit shqip, që kjo është për t`u besuar, do të jetë një sihariq i këndshëm për kulturën shqiptare. Kujtojmë atë që deklaroi disa vite të shkuara gjuhëtari i madh prof. Eqrem Çabej, duke thënë:” Në nëntorin e vitit 1940, N. Borgia më kumtoi në Grottoferrata pranë Romës se kishte zbuluar në arkivin e Vatikanit një dokument në gjuhën shqipe më të vjetër se Buzuku. Fshehtësinë e zbulimit të tij, ky dijetar e mori me vete në varr”. Por, siç e kemi theksuar edhe më parë, Buzuku ka të ngjarë të jetë mbështetur në një traditë, e cila nuk do të ketë qenë e përparuar, e stabilizuar dhe e ngulitur, mund të ketë qenë e kufizuar dhe pak e njohur për disa dhe e panjohur për të tjerë, rrjedhojë e vetë kushteve të kohës. Nëse nuk kanë qenë kushtet e favorshme historiko-shoqërore dhe të mos ketë ekzistuar njëfarë kulture fetare dhe ndoshta edhe laike në gjuhën shqipe, nuk do të kishte mundësi që pas disa vjetësh të pushtimit osman të lindte nevoja për libra fetarë në gjuhën shqipe dhe të fillonte ose rifillonte përkthimi i pjesëve të ndryshme fetare, nismëtarë i të cilëve u bë Gjon Buzuku. “Puna e Buzukut për përkthimin e `Mesharit`, shkruan Mahir Domi, ngjan të ketë pasur lidhje me këto prirje emancipuese evropiane, duket e frymëzuar nga synimi për të krijuar një kishë katolike shqiptare në gjuhën shqipe si gjuhë e shërbimeve fetare”.
Buzuku për të hartuar alfabetin e tij u mbështet në alfabetin latin. Autori kishte të drejtë. “Formula e pagëzimit”(1462) zbatoi alfa¬betin latin. E ndeshim me aktet e Venedikut, të Raguzës e të Napolit. Ai qe baza e shkrimeve të vjetra të gjuhës sonë. Është alfabeti që pati më tepër jetëgjatësi se të tjerët, duke u ligjëruar mbështetja e tij në Kongresin e Manastirit, më 1908. Është alfabeti me të cilin u shkrua një literaturë e pasur origjinale dhe e përkthyer që do t`u shërbente aspiratave të popullit shqiptar për çlirim kombëtar. Sigurisht zbatimi i tij ka qenë i lidhur me disa faktorë. Për Buzukun ndikim kanë pasur: tradita shkrimore e gjuhës sonë (ndoshta jo në të gjithë territorin tonë, por së paku në një pjesë të Shqipërisë, kryesisht në atë Veriore), mjedisi arsimor ku u shkollua dhe u arsimua dhe së fundi mundësitë praktike që ai pati rast t`i shfrytëzonte.
Alfabeti i Buzukut shërbeu si pikë referimi për alfabetet që u përdorën pas tij, pavarësisht se tek pasardhësit e mëvonshëm do të preken disa karaktere. Ai, si alfabet fonetik që ishte, pasqyroi struk¬turën fonetike të gjuhës shqipe të gjysmës së parë të shekullit XVI, por jo alfabet i përkryer. Megjithatë ai i dha një shtysë përhapjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe, veçanërisht shkrimit të saj. Puna nuk ngeli këtu. Lekë Matrënga, përfaqësuesi i parë i arbëreshëve të Italisë në përkthimin e katekizmës nga italisht ja në shqip “E mbsuame e krështerë” (1952) zbatoi alfabetin latin. Alfabeti i tij është mjaft heterogjen, megjithatë ka vlera se u hartua në shekullin XVI, kur nuk dimë nëse e ka njohur ose jo veprën e Gjon Buzukut. E veçanta e këtij alfabeti qëndron se ai përdori alfabetin latin pa e përzier me shkronja të tjera.
Të gjithë autorët e vjetër në veprat e tyre kanë zbatuar alfabe¬tin latin sipas fytyrës së atij italian. Dhe sistemi i tyre shkrimor do të ketë vazhdën e vet gjithandej në rrjedhë të shekujve.
Jemi në atë periudhë kur për shqipen fillojnë të zbatohen edhe sisteme të tjera shkrimore. Për shqipen vlerë të veçantë fiton përdorimi i alfabeteve të veçanta. Në shekullin XVIII dhe XIX gjithnjë e më shumë po forcohej ndjenja kombëtare e popullit shqiptar për të afirmuar kombësinë e vet edhe në fushën e kulturës. Kjo është pas¬qyruar edhe në shkrimin e shqipes, kryesisht në shqipërimin e praktikave kishtare, por edhe në ndonjë fragment me karakter jofetar.
Vetë zhvillimi historiko-shoqëror dhe veçanërisht zhvillimi i tregtisë ndihmoi që të përhapet shkrimi shqip me shkronja të veçanta, duke mos përjashtuar në atë periudhë edhe përdorimin e alfabetit latin, grek dhe arabo-turk.
Një ndër përfaqësuesit e alfabeteve të veçanta ishte Teodor Haxhifilipi, i njohur nga populli me pseudonimin Dhaskal Thodri. Alfabeti i tij që i kapërcen 50 shkronja, luajti një rol të rëndësishëm, veçanërisht në Elbasan në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX. Duke u përpjekur për zëvendësimin e greqishtes me shqipen në kishën ortodokse, ai kreu kështu një mision fisnik në të mirë të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Hani, kur e zbuloi këtë alfabet, mendoi se ra në gjurmët e gjuhës së lashtë pellazgjike. Kjo u konsiderua një sensacion i rëndësishëm për ata që merreshin me kulturën pellazgjike. Por dija e mëvonshme provoi se ai ishte një alfabet i veçantë dhe asgjë më shumë. Ai nuk çeli një shteg të ri, por rruga që ndoqi dhe veprimtaria që kreu qe frytdhënëse në atë periudhë që la gjurmë në vitet e mëvonshme, duke iu afruar idealeve të Rilindjes sonë Kombëtare. Faktorët politikë e shoqërorë ndikuan te shqiptarët, të cilët gjithnjë e më shumë kërkonin që të rritej ndërgjegjja politike e popullit. Dhe në fushën e kulturës ata kërkonin që shqipja të shkruhej me alfabete të veçanta, jashtë çdo ndikimi të huaj. Ndonëse dëshira ishte e mirë, duke na dhënë një sistem shkrimor “sui generis”, por nuk duhen anashkaluar edhe ato tipare enkliktike nga glagolitiku sllav apo ai grek, latin etj. Sidoqoftë ata luajtën një rol në përhapjen e gjuhës shqipe dhe të shkrimit të saj në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, ndonëse në një territor të kufizuar. Por puna e tyre pati edhe pasardhës. Në shekullin XIX në këtë fushë do të shquheshin dy atdhetarë të tjerë Naum Veqilharxhi dhe Hasan Tahsini. Edhe sisteme të tjera shkrimore për shqipen, si ai grek dhe arabo-turk vazhdojnë të përdoren, por pa një të ardhme.
Shekulli XIX dhe veçanërisht fundi i gjysmës së parë të tij, do të shënojë një rritje të përpjekjeve për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Një pendë e re, larg atdheut, do të bëhet nismëtar i një alfabeti të veçantë të shqipes. E ky ishte atdhetari Naum Veqilharxhi që emi¬groi që i vogël në Moldavi, në qytetin Galac, disa kilometra larg Brailes. Ai na dha abetaren e parë të gjuhës shqipe, të poligrafuar, shumë të shkurtër, me tetë faqe që titullohej “Fort i shkurtër e i përdorshim evëtar shqip për çdo sicillë që do të mpsonjë të kënduar e të shkruarit bukur shqip (1844), të cilin e zgjeroi një vit më vonë, më 1845. Që te abetari i parë ai shpalli alfabetin e tij të veçantë. Veqilharxhi mendonte se kjo ishte zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë, duke u nisur nga fakti se ai ishte jashtë çdo ndikimi të korenteve politike dhe fetare. E kjo i tregonte opinionit të huaj se shqiptarët janë në gjendje të shkruajnë e të përhapin gjuhën shqipe, duke hartuar vetë alfabete.
Edhe Hasan Tahsini ndoqi rrugën e Naum Veqi1harxhit, duke hartuar një alfabet të veçantë, jo i njëjtë me atë të paraardhësit, të cilin e publikoi në vitin 1874. Për hartuesin alfabeti origjinal kishte përparësi për arsye se mund të krijoheshin shkronja më të mira, më të lehta dhe kështu shqipja do të mësohej më lehtë. Por jo të gjithë atdhetarët ishin të një mendjeje. Jani Vretoja sillte këto argumente për të mos mbështetur alfabetin e Hasan Tahsinit: Do të shpenzohej shumë kohë për të hartuar këto shkronja, do të duheshin burime të mira financiare për të ndërtuar shtypshkronja me këtë sistem shkrimor, mbasi në Evropë nuk i kishin këto karaktere dhe nuk ishte e lehtë për t`i siguruar në atë kohë. Gjithashtu në Evropë do të ishte e vështirë të realizoheshin botimet e shkrimtarëve tanë. Megjithatë Hasan Tahsini nuk hoqi dorë nga mendimi i tij derisa u miratua alfabeti i shoqërisë së Stambollit. Ai, ashtu si bashkëkombasi i tij Naum Veqilharxhi, me alfabetin e tij të veçantë deshi t`u tregonte jo vetëm popullit të vet, por edhe opinionit të huaj se shqiptarët, siç kanë gjuhën e tyre të lashtë, historinë dhe kulturën, duhet të kenë edhe alfabetin.
Ndërsa K. Kristoforidhi, P. Vasa, S. Frashëri, e lani Vreto kontribuan për alfabetin e shqipes, duke propaganduar sistemet e tyre shkrimore, por duke qenë edhe iniciatorë të mbledhjeve të organizuara për këtë problem.
Gjysma e dytë e shekullit XIX karakterizohet me përpjekje të njëpasnjëshme, duke u mbledhur në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, në Stamboll për 13 vjet rresht, deri sa me vendim të Komitetit të Stambollit u caktua një komision për hartimin e alfabetit të përbashkët të shqipes, me kryetar eruditin Sami Frashërin. Në përbërje të tij ishin atdhetarë të flaktë, personalitete politike, kulturore, zëri i të cilëve dëgjohej për punën e bërë në të mirë të atdheut të tyre. Kështu në muajt e parë të vitit 1879 komisioni i alfabetit filloi punën. Atdhetarët pjesëmarrës që kishin edhe bindjet e tyre shkencore, ditën të dallojnë ç`është e mirë për atdheun e tyre e çfarë e dëmton atë. Prandaj në punën e tyre i karakterizoi toleranca dhe mirëkuptimi. Dhe pas një pune jo të lehtë, me polemika dhe debate arritën të na jepnin atë alfabet që njihet me emrin Alfabeti i Stambollit. Në fillim dhe më pas nga disa ithtarë të tij, ai u çmua shumë dhe nisi të shtrihej gjithandej jo vetëm te shqiptarët e mërgimit, por edhe në Shqipëri, kryesisht në atë Jugore. Alfabeti i Stambollit standardizoi problemin se shqipja kishte 36 fonema dhe alfabeti i saj duhej të kishte po aq shkronja. Gjithashtu ai vendosi renditjen e tyre, ashtu siç i kemi sot. Por nuk ngjau ashtu siç u mendua. Simpatia ndaj këtij sistemi shkrimor filloi të lëkundej. Organe të ndryshme të shtypit kërkojnë një alfabet tjetër, mbështetur plotësisht në alfabetin latin. Goditjen më të rëndë, për mendimin tonë, ia dha publicisti i njohur Faik Konica. Por edhe arbëreshët e Italisë pothuajse bënë të njëjtën gjë. Jeronim de Rada nuk e pëlqeu një sistem të tillë dhe vazhdoi të shkruajë me sistemin shkrimor të tij që e përpunoi disa herë. Edhe Dhimitër Kamarda në gramatikën e tij në dorëshkrim që i përket kësaj periudhe, vazhdoi të botonte me alfabetin e tij, duke bërë ndonjë ndreqje.
Dy shoqëritë e Shkodrës “Bashkimi” (1899) dhe “Agimi” (1901) jo vetëm që nuk e përfillën një alfabet të tillë, por secila hartoi sistemin e vet shkrimor, mbështetur në atë latin, e para nisur nga parimi se një fonemë mund të paraqitej edhe me dy shkronja, ndërsa e dyta një tingull-një shkronjë. Kështu në këtë periudhë mbetën tri sisteme shkrimore: alfabeti i Stambollit, i “Bashkimit” dhe i “Agimit”.
Këto rrethana shpejtuan punën dhe nxitën atdhetarët shqiptarë që këtë problem, tashmë tepër shqetësues, ta zgjidhin në një kohë sa më të shkurtër. Përpjekjet, kryesisht, në fillim të shekullit XX, që U bënë për të gjetur një rrugë zgjidhjeje, nuk dhanë rezultatin e dëshiruar. Nismën për t`u mbledhur një kongres dhe për të zgjidhur çështjen e alfabetit të përbashkët të shqipes e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit në gushtin e vitit 1908. Ai vendosi që të mblidhej një kongres që t`ia jepnin “mbarim kësaj së madhe nevojë për bashkimin e shqiptarëve në një abe.”
Thirrja e Kongresit të Manastirit u mirëprit nga forcat atdhetare shqiptare si një ngjarje me rëndësi në fushën e kulturës kombëtare të popullit shqiptar, por edhe si ngjarje me rëndësi të madhe politike.
Shumë letra dhe telegrame morën organizatorët e Kongresit, ku falënderonin për një nismë të tillë, por shprehnin edhe mendimet e tyre për problemet që do të diskutoheshin, që ky forum të merrej edhe me çështje të tjera që ishin shumë të ngutshme për t`u zgjidhur. Kështu pretendimet ndaj Kongresit të Manastirit, me kalimin e kohës, po rriteshin, duke kaluar nga kërkesa kulturore në kërkesa politike.
Kongresi i Manastirit i filloi punimet më 14 nëntor 1908 dhe vazhdoi deri më 22 nëntor të po atij viti. Përbërja e delegatëve ishte heterogjene, pasi krahas personaliteteve të njohura në fushën e kulturës, ishin ftuar edhe patriotë dhe aktivistë të lëvizjes sonë kombëtare. Morën pjesë 50 delegatë: 32 me të drejtë vote dhe 18 pa të drejtë vote. Kongresi zgjodhi drejtuesit e tij prej gjashtë vetësh: Mithat Frashëri, kryetar i Kongresit të Manastirit, Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi nënkryetarë, Hilë Mosi, Thomas Avrami dhe Nyzhet Vrioni sekretarë. Duke qenë se Mithat Frashëri erdhi më vonë, për atë kohë që mungoi, e drejtoi veprimtarinë Gjergj Qiriazi. Ardhjen e M. Frashërit e përshëndeti sekretari i Kongresit Hilë Mosi, i cili vlerësoi edhe Frashërin, që ka nxjerrë burra të tillë të vlefshëm. M. Frashëri iu përgjegj, “duke rrëfyer shërbimet që i ka bërë Shkodra gjuhës shqipe dhe vlerën që kanë shkodranët se me një kohë kur gjuha jonë është e ndaluar dhe kërkund gjetkë s`këndohesh shqip, në Shkoder shqipja punohesh dhe përdoresh prej një shumice të madhe “.
Dy ditët e para të Kongresit shërbyen për t`u njohur kërkesat e delegatëve dhe me propozimet e tyre, çka lejoi që të gjendej një emërues i përbashkët për shumë çështje për të cilat ishte mbledhur Kongresi. Gjithashtu u shfaqën mendime se në cilin alfabet duhej mbështetur, çfarë parimi të zbatohej: një tingull-një shkronjë, siç e zbatonin në alfabetet e tyre ai i Stambollit dhe i Agimit, apo të pranoheshin edhe dyshkronjëshat, siç i kishte shoqëria “Bashkimi”.
Pra vëmendja e kongresistëve u përqendrua në tri alfabetet e përmendura më sipër.
Për ta zgjidhur problemin e alfabetit të shqipes, në ditën e tretë të Kongresit, u zgjodh një komision i përbërë prej 11 vetëve: Gjergj Fishta kryetar, Mithat Frashëri nënkryetar, Luigj Gurakuqi sekretar dhe N. Mjeda, G. Cilka, Dh. Buda, B. Topolli, S. Peci, Gj. Qiriazi, Sh. Kolonja dhe N. Vrioni anëtarë. Raporti i shkronjave të ngjashme në mes të tri alfabeteve ishte i tillë: 36/12 alfabeti i Stambollit dhe i Agimit; 36/20 i Stambollit dhe i Bashkimit; 36/20 i Agimit dhe i Bashkimit. Shkronja të përbashkëta ishin 19.
Në rrethana të tilla, ashtu siç propozonte L. Gurakuqi, për t`i mos qarë zemra askujt, u vendos që të hartohej një alfabet i ri. Puna u përqendrua në zgjedhjen e shkronjave, pasi dy çështje ishin pranuar me kohë: mbështetja në alfabetin latin dhe se alfabeti ynë duhet t`i kishte 36 shkronja. Pas diskutimesh dhe debatesh për njërin ose tjetrin variant u pëlqye që të merreshin dy alfabete “abe ja e Stambollit dhe me të bashkë edhe një abe th jesh latine që të mësohen e të përdoren bashkërisht në mes të shqiptarëve.” Miratimi i dy alfabeteve nuk i shqetësoi delegatët. Ata e konsideruan këtë zgjidhje një fitore të madhe që arriti t`i bashkonte shqiptarët dhe kështu t`u japë një shtysë të fuqishme gjuhës dhe shkollës shqipe. Dhe gëzimin e tyre e shprehnin në diskutimet që bënë. “Lirija” e Selanikut shkruante: “Dom Ndre Mjeda me urtësi të madhe foli dhe tregoi se shqiptarët qenkan të zotët që edhe të bashkohen dhe të punojnë së bashku sikundër q`i rrëfen kjo mbledhje e Manastirit”.
Komisioni arriti të zbatonte ndryshimet: alfabetit të Stambollit iu bënë pesë ndryshime, duke ndryshuar pak fizionominë e tij, mbasi rriti numrin e shkronjave latine, por duke ruajtur parimin një tingull¬ një shkronjë, ndërsa alfabeti tjetër pranonte edhe dyshkronjëshat. Alfabeti me bazë latine kishte këtë strukturë: 25 shkronja të thjeshta latine, dy shkronja me shenja diakritike (ç dhe ë) 5 dyshkronjësha të ndërtuar me faringalen h (dh, sh, th, xh, zh) 2 me qiellzoren j (gj e nj) 2 shkronja të dyzuara (ll e rr).
Komisioni, i kryesuar nga atë Gjergj Fishta, arriti ta zgjidhte problemin, i cili prej kaq e kaq vitesh u end nëpër rrugë e shtigje, shumë herë edhe me sakrifica të mëdha. Vetë koha, ndër të dy alfabetet zgjodhi atë që kemi sot, i lehtë dhe i thjeshtë si në të shkruar, ashtu edhe në shtyp. Me të drejtë shkrimtari ynë i mirënjohur Ismail Kadare, në promovimin e dy veprave të tij “E bija e Agamemnonit” dhe “Pasardhësit” në Shkup tha: “Alfabeti i sotëm i shqipes është i mrekullueshëm, i është përshtatur shumë mirë gjuhës shqipe. Ai i qëndroi kohës, alfabeti i përkryer, i unifikuar, i bashkuar. Alfabeti i shqipes mbështetur në atë latin ishte rrjedhojë e kulturës latine”.
Arritjet e Kongresit të Manastirit zgjuan interesin dhe vëmendjen e diplomatëve të huaj, të akredituar në shtetin e Gadishullit Ballkanik. Raportet e tyre japin mjaft të dhëna për situatën e krijuar në Manastir, ku mbizotëroi mirëkuptimi në mes të shqiptarëve se cilët ishin elementet që i bashkuan ata.
Për burimin dhe autorët e alfabetit të sotëm ka pasur polemika pas Kongresit të Manastirit. Në shtypin e paraluftës mbizotëronin kryesisht dy teza: e para, alfabeti i sotëm është ai i shoqërisë “Bashkimi”, i përkrahur nga ithtarët e tij dhe e dyta, është alfabeti i shoqërisë “Agimi”. Por për këtë çështje duhet të kemi parasysh parimin që u ndoq dhe ngjashmërinë e shkronjave. Alfabeti ynë ndjek atë parim që zbatoi alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” që një fonemë mund të paraqitej edhe me bashkimin e dy shkronjave. Në këtë rrafsh alfabeti ynë përkon me atë të “Bashkimit”, por në ngjashmërinë e shkronjave nuk është i njëjtë, pasi ka 11 ndryshime. Edhe përkrahësit e shoqërisë “Bashkimi” një gjë të tillë e kanë pranuar. Kështu alfabeti ynë u mbështet në një traditë, pati si orientim disa zgjidhje të alfabeteve të kohës dhe së fundi u udhëhoq nga parimi i zbatuar në alfabetin e shoqërisë “Bashkimi”, përfaqësuar nga Gjergj Fishta në përqendrimin e dyshkronjëshave, që patjetër duhet të ketë luajtur rol vendimtar.
Kongresi i Manastirit ishte rrjedhojë e gjithë përpjekjeve të atdhetarëve tanë për lëvrimin e gjuhës dhe të shkrimit shqip, i vetë rritjes të ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar. Ai qe një faqe e ndritur e kulturës sonë që u tregoi opinionit vendës dhe evropianë se çështjet e kulturës ishim në gjendje t`i zgjidhnim vetë, pa pasur nevojën e ndërhyrjes së të tjerëve. Pati të drejtë Çajupi, kur thoshte: ” Alfabeti duhet të zgjidhet prej nesh”.Por jo gjithçka shkoi mirë pas Kongresit të Manastirit. U organizuan mitingje dhe antimitingje në mbrojtje ose kundër alfabetit të sotëm. Por çdo gjë që vinte në kundërshtim me atë që miratoi Kongresi i Manastirit ishte e kotë. Turqit e rinj u përpoqën shumë ta pengonin përfaqësimin e alfabetit latin, por ishte vonë. Populli shqiptar e mbrojti alfabetin e sotëm, si shkencor, i thjeshtë dhe praktik. 95 vjet e vërtetuan efikasitetin e tij, duke mbetur kështu sistem i vetëm shkrimor i shqipes.