Katër liderët kryesorë të Kosovës Lindore, Riza Halimi, Ragmi Mustafa, Nagip Arifi dhe Jonuz Musliu janë shprehur pa rezerva se do të jenë të gatshëm të përballen me Serbinë me të gjitha mjetet dhe mënyrat. Më radikali ka qenë Musliu, ish udhëheqës politik i UÇPMB-së, i cili tha se nëse vazhdojnë provokimet dhe rritja e tyre, apo nëse vie deri te rrënimi i monumentit të dëshmorëve në Preshevë, atëherë shqiptarët janë të gatshëm që ti kthehen ballafaqimeve me Serbinë, sikurse në vitin 2001.
Në vitin 2001 shqiptarët bën një luftë, e cila çoi në nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, por që nuk avancoi thuaja aspak të drejtat e shqiptarëve atje. Por, presioni në rritje i Serbisë ndaj shqiptarëve, po i shtyn shqiptarët që të marrin në konsiderim edhe konfrontimet. Aspak më i moderuar nuk ishte as Riz Halimi, lideri shumëvjeçar i shqiptarëve të atjeshëm dhe deputet në Kuvendin e Serbisë. Halimi tha se shqiptarët janë të gatshëm edhe për mosdëgjim qytetar, dhe tha se liderët partiak kanë treguar edhe gjatë luftës se mund të arrijnë marrëveshje, pra se ata mund të jenë unik.
Ragmi Mustafa tha se tensionet i ka rritur Serbia duke shfrytëzuar edhe periudhën e pushimeve, pasi që në fundvit dhe në fillim vit, prania diplomatik reduktohet në masë, dhe kështu që deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim të veçantë. Por, ai tha se shpreson se do të ketë qëndrime korrekte.
Ndërkohë, që Riza Halimi, tha se Serbia ka nisur edhe një provokim tjetër, pasi me prani të xhandarmërisë po ndërton një përkujtimore në fshatin Lluçan që është thuaja në kufi me Kosovën (ngjitur me Konçulin), i banuar plotësisht me shqiptarë, sikurse të gjitha fshatrat e Bujanocit kur shkon nga Kamenica e Gjilani.
Pra, ai tha se Serbia po nisë një hap të ri provokimi, dhe nuk është vetëm lapidari në Preshevë, sikurse ndodhi heqja e flamurit dhe lapidarit në Dobrosin. Ata thanë se tani për tani nuk kanë ndonjë pakënaqësi me reagimet politike të dy shteteve shqiptare, dhe veçanërisht ishin mirëpritur reagimet e Shqipërisë, të cilat ishin edhe më të drejtpërdrejta në mesazhe, dhe po ashtu që të gjithë liderët bën thirrje që shqiptarët të qëndrojnë të palëkundur në shtëpitë dhe tokat e tyre, dhe të jenë të gatshëm për çdo lloj ballafaqimi. Ndoshta kjo pjesë po shkon drejt një konflikti të ri!