Zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës, në pjesën veriore të Mitrovicës, po ndiqen me interesim shumë të madh nga strukturat e Armatës Kombëtare Shqiptare (AKSH), në veçanti me një kujdes të posaçëm përcillen përpjekjet për raundin e radhës për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“Një vëmendje të posaçme jemi duke i kushtuar ngjarjes lidhur me kërcënimin e kreut të Serbisë për rrënimin e lapidarit të dëshmorëve të lirisë – UÇPBM, në Kosovën Lindore, konkretisht në Preshevë”, thuhet në një njoftim të Shtabit të Përgjithshëm të AKSH-së.
Në vijim, shprehet shqetësimi për veprimin e qeverisë së Kosovës.
“Neve na shqetëson qëndrimi i pakuptueshëm i qeverisë së Kosovës, e cila pavarësisht zhvillimeve dhe ngjarjeve që zhvillohen me shqiptarët dhe ndaj shqiptarëve, sërish tregon gatishmëri që të takohet me palën serbe dhe të vazhdojë dialogun, gjë që është e papranueshme”.
Në fund të kësaj komunikate të dërguar medieve dhe të nënshkruar nga kolonel Sokol Deliu, i kërkohet qeverisë që të ndërpriten bisedimet me Serbinë. “Derisa Serbia dhe politika serbe nuk heqin dorë nga politika antishqiptare, bisedimet nuk duhet të vazhdohen, sepse që në fillim dihet përfundimi i tyre”.
Armata Kombëtare Shqiptare është e gatshme t’i përgjigjet sulmeve serbe ndaj popullatës-vëllezërve dhe motrave tona në Kosovën Lindore thuhet më tutje në komunikatë, përmes së cilës ftohen të gjithë pjesëtarët e AKSH-së, kudo që janë, që të lajmërohen në detyrat e tyre, ashtu siç është bërë i njohur plani i Shtabit të Përgjithshëm i AKSH-së, si dhe tërhiqet vërejtja se “nuk lejohet asnjë veprim krye më vete dhe i pa koordinuar i pjesëtarëve të AKSH-së”.