Nga Ndue Lazri
Ra edhe sipari i Festivalit të Sanremos, ose më mirë i festivalit të këngës italiane. Pas 5 mbrëmjesh të gjata, ku kishte më pak muzikë e më shumë show, i 62-ti festival u mbyll mes shumë diskutimesh e polemikash, e ku fituese u shpall një këngëtare e re, Emma Marrone me këngën “Non è l’inferno” (Nuk është ferri). Një këngëtare e talentuar e me temperament, që po i imponohet me aftësitë e saj vokale e interpretuese botës së spektaklit e të muzikës italiane. Vitin e kaluar ajo u rendit në vendin e dytë në festivalin e Sanremos me një këngë mjaft të bukur. Kurse këtë vit fitoi. Në 62 vjet histori të Festivalit të Sanremos ky është rasti i tretë kur një këngëtar në dy vjet njëri pas tjetrit pushton vendin e dytë e pastaj të parë në garën e këngës italiane. Para saj e kishin arritur këtë sukses Tedy Renis e Bobby Solo.