Nga Ndue Lazri
Karikatura shqiptare dhe humori shkodran do te ishin te mangeta pa personalitetin krijues dhe gjenialitetin improvizues te Tefe Palushit. Kam qene ende teper i ri kur shikoja ne faqet e revistes “Hosteni” karikaturat mjaft te bukura e domethenese, me humor e ironi te mprehte, te cilat mbanin ne fund firmen “Tefa”. Pasi mbarova studimet u emerova ne Shkoder dhe nje nder njerezit e pare qe njoha ishte pikerisht Tefe Palushi.
Gazeta jone kishte ne faqen e fundit nje rubrike te titulluar “Kendi humoristik”, e cila ne raste te Vitit te Ri e festash te veçanta zinte edhe tere faqen. Nje nga bashkepunetoret e pare (madje qe ne numrin e pare te gazetes “Jeta e re” e me i rregullti derisa u nda nga jeta, ishte pikerisht Tefe Palushi. Mijera karikatura, njera me e bukur se tjetra me ka qelluar te botoj ne ate rubrike gjate 16 viteve qe punova ne ate gazete. E te tera ishin krijime te mrekullueshme te Tefes. Me vone edhe Paulini, autori i letres se hapur u be bashkepunetori yne ne fushen e karikatures e te fotografise. Nderkohe Tefa si karikaturist ishte i shumekerkuar edhe ne organe te tjera te shtypit shqiptar, si “Hosteni”, “Drita”,”Ylli”, “Nentori” e te tjera. Te tere e kishin per nder ta kishin Tefen bashkepunetor, i cili ishte kurdohere teper kerkues ndaj vetes per cilesine e krijimeve dhe sillte gjithmone diçka te re e origjinale.
Kur e takova Tefen per here te pare, mbeta i befasuar. M’u duk sikur shkodranet po me benin nje shaka, kur me thane qe personi qe kisha perballe ishte Tefa. Me nje handikap shume te avancuar, ai mezi ecte rruges e te dukej sikur nga çasti ne çast do te binte. Kishte veshtiresi ne artikulimin e fjaleve aq sa te vinte keq tek e shikoje sa sforcohej. Duart i dridheshin papushim sa te dukej sikur çdo objekt qe mbante ne dore do t’i binte. Por, si per çudi, sapo mbeshteste berrylin ne tavoline, dora e tij nuk dridhej me dhe ishte e afte ta hiqte vijen aq te drejte sa nuk kishte vizore qe t’ja kalonte. Por forca e tij e vertete qendronte ne idete qe i vinin ne koke dhe tek origjinaliteti i paraqitjes se tyre nepermjet karikatures. Edhe stili i te vizatuarit ishte aq origjinal, sa edhe sikur te mos e vinte firmen e fund te krijimit, kuptohej qe ishte dora e Tefes. Ai kishte stilin e tij qe s’mund te ngaterrohej, barazohej apo krahasohej me askend tjeter. Padyshim mbetet nje nga karikaturistet me te medhenj te artit shqiptar (ne mos me i madhi, por kete s’me takon mua ta them).
Tefa ishte i shquar edhe per humorin e tij ne tavoline, per batutat perhere te gatshme e befasuese, si dhe per shume barceleta kryevepra qe i bejne nder humorit shkodran. Na qellonte te uleshim shpesh here ne ish-klubin e shkrimtareve ne Shkoder. Tefes i pelqente te pinte nje gote raki apo vere, pa e tepruar kurre. Askush nuk mund te thote se e ka pare Tefen te dehur, qofte edhe nje here te vetme. Aty ne tavoline me miq, Tefa tregonte talentin e tij si bashkebisedues i kendshem, plot humor e batuta te papritura qe na benin ta mbushnim sallen me te qeshura. Ne nje nga keto mbremje ai u nxit e na beri nje karikature miqesore si çift mua dhe Zhanit, te cilen e ruajme edhe sot me xhelozi ne arkivin familjar.
Po shkruaj ketu nja dy batuta te kendshme te Tefes:
Kishte raste qe ne tavolinen e Tefes uleshin shume njerez qe edhe perfitonin nga bujarlleku i tij. Tefa u porosiste nga nje gote e ne fund paguante ai. Por shpejt e kuptoi qe disa nga ata ishin tipa qe i binin qylit. Nje mbremje vajti ai ne tavolinen e tyre e priti si do te silleshin. Asnjeri nuk porositi, por pinin vetem cigare e prisnin te porosiste Tefa. Edhe ai u fut ne lojen e tyre e nuk porosiste gje, vetem asistonte ne pirjen e cigareve. Dikur, pasi u merzit, u ngrit nga vendi dhe ju drejtua te pranishmeve: Kur do te mblidhemi nje nate tjeter qe te pime cigare?
Nje rast tjeter. Tefa ishte ne Tirane me grupin e delegateve shkodrane ne kongresin e shkrimtareve e artisteve.
Tek holli i hotelit, dikush, per te ngacmuar Tefen i thote:
Me ke ke deshire te te veme ne dhome per te fjetur, me Tinka Kurtin apo me Fadil Krajen?
Dhe Tefa pergjigjet: Po qe puna per te fjetur, me mire me Fadilin.
Ne ato kohe kishte njerez qe krijonin edhe barcaleta (te konsideruara reaksionare) qe i perhapnin duke thene se i ka krijuar Tefa. Ky ishte nje spekullim ne emrin e tij qe kishte nje popllaritet te jashtezakonshem ne mbare vendin. Tefa behej nervoz dhe nervozizmin e tij e shprehte jo aq ne faktin qe ato barcaleta mund t’i nxirrnin telashe, por sepse ato nuk kishin brenda art. Sapo i degjonte Tefa, thoshte: “Do ta pranoja si timen, por kjo barcalete nuk eshte as e bukur”. Pra, edhe ne keto momente ai ishte ekzigjent i cilesise se humorit.
Me vjen keq qe per kujtimin e emrit te Tefes nga organet shteterore detyrohet ta ngreje zerin i vellai. Jo se ka ndonje gje te keqe qe flet Paulini (perkundrazi kjo i ben nder si vella e si krijues) por e pafalshme eshte heshtja dhe sjellja neglizhuese e organeve te pushtetit lokal dhe atij kombetar. Me sa di une emrin “Qytetar nderi” e kane marre plot artiste qe jane ende gjalle e nuk e di nese te gjithe e meritojne vertet nje titull te tille. Por te lesh pa nje titull nderi nje krijues te kalibrit te Tefe Palushit, edhe kaq vjet pas vdekjes se tij, eshte e pafalshme. Behet fjale per nje akt burokratik, sepse populli ne kujtesen e tij ja ka ngritur me kohe permendoren Tefes.