Të gjendur në një situatë të palakmueshme dhe të vështirë, pa mbështetja nga askush, familja e dëshmorit Lefter Goxhaj i njohur në luftërat e Kosovës dhe Maqedonisë si komandant Teli, kanë zgjatur dorën e lëmoshës. Me muaj të tëra, fëmijët dhe bashkëshortja e komandant Telit nga Poliçani i Beratit, kanë ngelur edhe pa strehë mbi kokë. Pasi që ishin larguar nga banesa ku kishin jetuar prej vitesh në Tiranë, familja e komandant Telit vazhdon të endet rrugëve pa pasur një adresë se ku banojnë.
“Ne kemi mbetur të pastrehë dhe pa asnjë ndihmë ekonomike, që nga muaj korrik i vitit të kaluar ne po jetojmë nëpër shtëpitë e Botës me qira dhe vetëm për arsye të fëmijëve që duhet shkolluar. Aq më tepër kur djali është me probleme shëndetësore, nuk dëgjon dhe nuk flet mirë, jam e detyruar që ta dërgoj me një shkollë private që është speciale për fëmijë me të meta. Është e pamundur që të jetojë diku tjetër. Ne në vitin 2003 u vendosëm në një banesë në Tiranë, duke e ditur që ajo banesë ishte e jona. Prej tetë vitesh ne jetuam aty në atë banesë ku dhe u rritën fëmijët. Dhe siç e përmenda, në korrik të vitit 2011 u detyruam që të dalim nga ajo shtëpi. Ka qenë një moment shumë i vështirë që do të dilnim nga shtëpia. Fëmijët filluan të qanin dhe u stresuan jashtë mase kur po shikonin që po dilnim nga shtëpia”, potencon Rabije Myrta, bashkëshortja e komandant Telit.
Përveç hallit për të siguruar kulm mbi kokë, familja e dëshmorit Lefter Goxhaj ballafaqohet edhe me shumë probleme dhe sfida të tjera. Djali i tij Letjani që nga lindja ka lindur me të meta, kurse bashkshortja ka pësuar probleme shëndetësore pikërisht në momentet e largimit nga shtëpia.
“Djali ka pasur probleme me dëgjimin qysh kur ka qenë i vogël, nervin e dëgjimit e ka të dobët dhe të dëmtuar. Vazhdon të mbajë aparatin e dëgjimit. Po ashtu edhe në të folurit ka probleme. Me ndihmën e njerëzve human, kur ishte 4 vjeç e dërguam në Zvicër, i kemi bërë një kontroll atje ku dhe i vendosën aparatin e dëgjimit. Por prapë ka probleme me dëgjimin, ka dhembje koke, ka stres, me një fjalë ai fëmijë do përkushtim”, thotë Rabija bashkëshortja e komandant Telit.
Edhe për këtë rast, por edhe për raste të tjera, sipas dëshmisë së saj, mbështetja institucionale ka munguar për familjen e komandant Telit. I vetmi që u është gjendur pranë, pas largimit nga banesa në Tiranë, ka qenë kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi. Ky i fundit, për disa muaj me radhë ka vazhduar të paguan qiranë e shtëpisë ku aktualisht është e vendosur familja e komandant Telit. I është premtuar mbështetje nga qeveria e Kosovës, por deri tash ende nuk është zyrtarizuar asgjë.
“Edhe qeveria e Shqipërisë, ajo e Kosovës dhe e Maqedonisë, deri tash nuk na janë gjendur pranë. Na janë gjendur një pjesë e shokëve të Telit që kanë pasur dëshirë të ndihmojnë familjen e tij”, thotë ajo.
Familja e komandant Telit, bashkëshortja e tij Rabija dhe dy fëmijët, djali Letjanin dhe vajza Rexhina, këto ditë qëndrojnë në Maqedoni. Janë duke kërkuar lëmoshë për tejkalimin e situatës së re të krijuar në familjen e tyre, mungesa e vendbanimit.
“U drejtohem atyre burrave të luftës në veçanti e që kanë përjetuar çaste të vështira, që e dinë se çka është lufta, që e dinë se çka është dhembje, që e dinë dhe e mendojnë më shumë se të tjerët kur mbetet dhe rritesh jetim, që të kthejnë kokën nga ne, me ato pak mundësi që kanë të na ndihmojnë që edhe ne të kemi një kulm mbi kokë, që edhe fëmijët e Telit të kenë një shtëpi të tyren dhe që mos të trokas njeri te dera. Që të rriten dhe shkollohen si gjithë fëmijët e tjerë”, thotë e përlotur Rabija.
Lefter Goxhaj i njohur në luftërat e Kosovës dhe Maqedonisë si komandant Teli, është i lindur në fshatin Poliçan të Beratit. Ishte pjesëtar i dalluar i njësitit për kryerjen e detyrave speciale “Brisku” në Shqipëri, po ashtu edhe ne luftërat në Kosove dhe në Preshevë. Kulminacioni i trimërisë së tij arrihet në luftën e 2001-shit, ku si komandant i njësisë speciale”Teli” mbetet legjende e paharruar e kombit shqiptarë. Me strategjinë dhe shkathtësinë që tregoi në luftimet nëpër betejat më te ashpra si në Sllupçan, Mateç dhe Haraçinë u bë i njohur dhe i dashur për të gjithë ata që ishin bashkë me atë. Më 7 gusht 2001 u vra ne një tradhti me pesë bashkëluftëtarë të tij në Gazi Babë të Shkupit.
Ka lënë pas vetës gruan Rabijen dhe dy fëmijët, djalin Letjanin dhe vajzën Rexhina.
Për më tepër informata rreth rrëfimit ekskluziv të dhënë për Tv2 nga bashkëshortja e komandant Telit, Rabije Myrta, ndiqni edicionet e lajmeve të së enjtes në ora 18:30 dhe 22:30, si dhe dokumentarin që do të transmetohet menjëherë pas edicioneve informative në Tv2.
Kush dëshëron të ndihmojë familjen e Komandant Telit,
ju kujtojmë se familja ka këto numura llogarie:
Kodi SWIFT: FEFAALTR Emri i bankes: ProCredit Bank , Albania IBAN : AL15209111080000103178050102 (per transfertat ne Euro)
Nr.telefonit cel: ++355-684-628-930 (Shqipëri)
++389 76 985 099 & ++389 76 985 100 (Maqedoni)