Demet e te ndenjurit “online”

Nëse fëmija juaj është zgjuar, në ndonjë orë që duhet të ishte në gjumë, ose duke studiuar, me siguri duhet të jetë “online” në ndonjë cep. Por edhe nëse fle, është e sigurt se do të zgjohet menjëherë sapo telefoni i vendosur te koka të lajmërojë se ka ardhur një mesazh i ri. Ky është brezi i ri i adoleshentëve të sotëm, gjithmonë “online”, gjithnjë e më teknologjik. Sipas amerikanes “New York Times”, adoleshentët e sotëm jetojnë gjithmonë e më shumë “të lidhur” me internetin dhe mjetet teknologjike. Gjithnjë e më shumë adoleshentë zënë çdo sekondë të kohës së tyre zgjuar, duke përdorur ‘Smartphone’, kompjuter, televizorë apo çdo lloj tjetër objekti elektronik. Të rinjtë nga 8 deri në 18 vjeç, pesë vjet më parë kalonin gjashtë orë e gjysmë në ditë për të komunikuar përmes internetit, tregon “New York Times”, sipas një studimi të fundit të bërë nga “Kaiser family Foundation”. Ndërsa sot, kjo shifër ka shkuar në shtatë orë e gjysmë. Pa llogaritur këtu bisedat telefonike, apo SMS që shkojnë e vijnë për çdo sekondë dhe faktin se të gjitha këto mund të bëhen duke pasur në xhep “iPod”-in dhe kufjet në vesh. Duke bërë shumën e të gjitha këtyre, arrihet në përfundimin se realiteti virtual zë të paktën 12 orë nga jeta e të rinjve. Pastaj nata shërben për të shkarkuar filma, për të parë video apo marrë muzikë. Në këtë pikë, është e vështirë të kthehesh pas. Brezi X kështu vepron, në çdo cep të globit. Ja si tregon një 14-vjeçar: “‘Smartphone’ shoqëron në çdo çast ditën time, ose më mirë jetën time. Me të mund të arrij të bëj gjithçka. Shkruaj, dërgoj email-e, marr video, ndërsa natën qëndroj në ‘YouTube’ derisa më zë gjumi”. Sipas të dhënave, në vitin 2000 vetëm 37 për qind e të rinjve kishin në shtëpitë e tyre një kompjuter personal, në pjesën më të madhe jo të lidhur me internetin. Sot, 97 për qind e tyre kanë kompjuter dhe futen në internet çdo ditë dhe në çfarëdolloj momenti. Natë apo ditë qoftë. Përjashtim bëjnë vetëm orët e shkollës, kur profesorët i detyrojnë të rinjtë të fikin ose të lënë pa zë celularët. Por ai që i vuan më shumë pasojat është gjumi i të rinjve, gjithmonë e më i shqetësuar e më me pak orë. Megjithatë është e kotë të “dënosh”, është më mirë të kuptosh. Dhe në fakt, po të gjykosh nga kërkimet e fundit, si psikologjia dhe sociologjia, duket se kanë ndryshuar këndvështrim. Kështu, siç shpjegon psikologu Matteo Lancini në librin “Gjithmonë në kontakt. Marrëdhëniet virtuale në adoleshencë”, inteligjenca dhe emocionet “multitasking” lexohen si një gramatikë e re e ndjenjave dhe dijes. “Nga pikëpamja sasiore, shifrat e europianëve janë të njëjta me ato të amerikanëve. Një shqetësim i madh i prindërve sot është se fëmijët kalojnë shumë kohë para kompjuterit, izolohen dhe humbasin lidhjet dhe miqësitë reale. Në të vërtetë, është parë se këta fëmijë, që janë gjithë kohës “online”, janë më të hapur, madje edhe koeficientin e inteligjencës e kanë më të lartë se ata të brezit paraardhës. Në njëfarë mënyre mund të thuhet se adoleshentët e këtyre viteve kanë zbuluar artin e të kudondodhurit: d.m.th. e kanë trupin në një vend dhe mendjen gjithandej. Sigurisht që, nëse kjo shndërrohet në ndjenjën kur e ndien veten të gjithëpushtetshëm, atëherë bëhet e rrezikshme. Në të kundërt është thjesht një demonstrim aftësish”. Me siguri që ky është një ndryshim epokal. “E ndiej veten të vetmuar pa ‘iPhone’-n tim, me të cilin dërgoj dhe marr 500 mesazhe në ditë. E kam të nevojshme”. Shifrat zyrtare tregojnë se 75 për qind e adoleshentëve përdorin “chat”-in dhe “messenger”-in, rreth 80 për qind janë frekuentues të rregullt të “YouTube”, ndërsa 41 për qind e tyre kanë një blog personal. Pa llogaritur këtu fenomenin “Facebook”, ku 53 për qind e të rinjve nga 11-18 vjeç ka një “account” personal. Por të bësh një mijë gjëra së bashku, të studiosh, të dëgjosh muzikë, të chat-osh me miqtë apo të ecësh duke dërguar mesazhe vazhdimisht, ndikon në proceset konjektive. A ka lidhje kjo me përdorimin e inteligjencës? Një neuropsikologe, e cila merret me trajtimin e të rinjve me një koeficient inteligjence shumë të lartë, me pak fjalë me trajtimin e gjenive tregon: “Sfida e vërtetë është përqendrimi. Adoleshentët e sotëm, por mbi të gjitha fëmijët, janë të bombarduar me informacion dhe shpesh nuk dinë ta seleksionojnë atë. Gjenden mes dy zjarresh. Nga njëra anë kanë shkollën, shumë të lidhur me konceptin e nocionit dhe nga ana tjetër internetin, ‘Wikipedia’, ‘Google’ dhe mundësinë për të marrë informacion në kohë reale”. Fatkeqësisht me përdorimin e shumtë të internetit është shtuar edhe rreziku për të përdorur sjellje të pahijshme. Shkëmbejnë me njëri-tjetrin numra telefonash, fotografi provokuese dhe janë gati të takohen edhe me të panjohur. Ndryshe nga dikur, sot është shtuar koha që kalojnë në internet. Adoleshentët nuk e kuptojnë rrezikun që u kanoset duke chat-uar në internet. Sigurisht që bashkëbiseduesit në anën tjetër mund të jenë adoleshentë, por kjo gjë nuk e ul aspak rrezikun. Nëse prindërit do të ishin më të kujdesshëm me fëmijët dhe nuk do t’i lejonin ata të kalonin shumë kohë në internet, atëherë adoleshentët do të mësoheshin me rregullin dhe kërkesën e llogarisë. Por edhe heqja e internetit ka avantazhet dhe dizavantazhet e saj. Për shembull, nëse adoleshentëve do t’u ndalohej navigimi në internet, atëherë ato do t’i riktheheshin televizorit, duke mos ia ndarë sytë për orë e orë të tëra në ditë. 23 për qind e adoleshentëve shohin televizor mbi tri orë në ditë. 7 për qind e tyre ka deklaruar se e kalon kohën para televizorit e internetit. Pra, në bazë të përgjigjeve, dimë se shumë të rinj kalojnë mesatarisht 4-5 orë në ditë para ekranit të një monitori. Kompjuteri dhe interneti mund të zëvendësojnë një mik, dashurinë, komunikimin me njerëzit e gjallë, jetën reale. Interneti shformon realitetin. Duke qenë në shërbimin e tij, adoleshentët rrezikojnë të bëhen viktimat e tij.

Author: admin