Si e festuan VIP-at Fitër-Bajramin?

Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin dhe kësaj feste i gëzohen edhe personalitetet tona publike. Edhe pse është festë, një pjesë e madhe e estradës sonë janë të angazhuar me punë, ata në natën e parë dhe të dytë të kësaj feste kanë pasur mbrëmjet e tyre muzikore disa në vend dhe disa në diasporë.I shumëkërkuari Sabri Fejzullahu edhe gjatë këtij Fitër Bajrami do të ketë mbrëmje muzikore, mirëpo për dallim nga herët e kaluara që ka qenë në diasporë, kësaj radhe ishte në Gjilan.

“Ju uroj nga zemra gëzuar Fitër Bajramin. Zoti pastë pranuar agjërimin dhe veprat tona. Le të gëzohemi në këtë ditë të shenjtë, pasi festa jonë lidhet me adhurimin ndaj Zotit. Sa u përket angazhimeve muzikore, unë si çdoherë tjetër në gjatë kësaj feste jam i angazhuar me mbrëmje muzikore.

Në natën e parë të Bajramit isha në Gjilan dhe po ashtu edhe në natën e dytë kam angazhime muzikore”, ka thënë ai. Edhe këngëtarja Loreta Kaçka është e preferuara e publikut për festat e ndryshme.

Ajo ditën e parë të Fitër-Bajramit e kaloi në praninë e shumë miqve të saj, ndërsa ditën e dytë do të ketë angazhimet në këngë. “Ditën e parë të Fitër-Bajramit kam dashur që ta kaloj me miqtë e mi këtu në Prishtinë, kështu që kam refuzuar çdo angazhim. Ndërsa sonte do të jem në Lipjan, me humoristët e njohur “Stupcat”.

Uroj që të kalojmë një mbrëmje sa më të mirë me adhuruesit e mi. Njëherësh gjithë besimtarëve myslimanë iu uroj Fitër-Bajramin”, shtoi ajo. E angazhuar pikërisht në këtë festë të madhe është edhe këngëtarja nga Maqedonia, Big Mama, e cila kësaj radhe u këndoi tetovarëve.

“Për dy net të Fitër-Bajramit jam e angazhuar në Tetovë, natën e parë isha në club ‘V.I.P’ dhe kalova për mrekulli”, thekson Big Mama. Sikurse Sabriu edhe Ermali në këtë festë ishte i angazhuar në Kosovë, pikërisht në Vushtrri, si gjithnjë ai di të krijojë atmosferë të këndshme për adhuruesit e tij. “Gjithë besimtarëve myslimanë iu uroj Fitër-Bajramin.

Paqja e Allahut qoftë mbi ju që keni agjëruar. Allahu ua shpërbleftë, sepse ka qenë e vështirë të agjërosh këtë vit për shkak të vapës”, ka thënë ai. Për dallim nga këngëtarët që patën angazhime gjatë Fitër Bajramit, janë edhe disa këngëtarë që këtë festë preferuan ta kalojnë me familjarët e tyre, duke mos qenë të angazhuar me mbrëmje muzikore.

Këngëtarja Leonora Jakupi thotë se Fitër-Bajramin e festoi me familje, dhe nuk deshi të jetë e obliguar me ndonjë mbrëmje muzikore. “Çuditërisht janë disa festa që preferoj t’i kaloj më familjen duke mos qenë e angazhuar me këngë.

Një ndër festat e tilla janë dy Bajramët, të cilat parapëlqej t’i kaloj në shtëpi duke pritur mysafirë”, është shprehur ajo. Edhe këngëtarët Arta Bajrami, Miranda Hashani e disa të tjerë festën e Fitër-Bajramit e kaluan në ambientet e tyre familjare.

Author: admin