Këngëtari hedh në treg albumin e tretë. “Ende ka shpresë”, i njëjti titull i duetit me Miriam Canin, sjell këngë dhe surpriza të reja. Një koncert i gjithi ‘live’ që mbahet nesër në Tiranë, nis turin promovues që Alban Skënderaj do të realizojë me mbështetjen e “DigitAlb”.
Alban Skënderaj kthehet në Tiranë me të parin koncert recital të tij. Motivi është i dyfishtë për të festuar: prezanton albumin e tretë si këngëtar. Titullohet “Ende ka shpresë”, huazim nga dueti i njohur me Miriam Canin, i cili është pjesë e këtij albumi. Albumi ka 16 këngë të reja, një miks rrymash muzikore dhe është regjistruar sipas parametrave që kërkon tregu ndërkombëtar sot. Një tur promovues në hapësirën mbarëshqiptare do të shoqërojë daljen e këtij albumi në treg. Koncerti i parë mbahet nesër në Tiranë, ndërkohë që me mbështetjen e “DigitAlb” rrugëtimi do të vazhdojë në Pogradec, Shkodër, Durrës, Vlorë e më tej në Kosovë e Maqedoni. Ndonëse për angazhime televizive Miriam Cani nuk do të jetë e pranishme nesër në koncert, ajo është pjesë e albumit përmes duetit të tyre. Albani thotë se vjen më i pjekur profesionalisht, ndërsa albumi sjell surpriza. Do të jenë këngë që do të shoqërojnë publikun në sezonin e verës, por Skënderaj synon edhe më tej. Të jetë një album që t’i rezistojë kohës.
Pas dy albumesh, ktheheni për të promovuar një të tretë. Çfarë sjell ky album i ri krahasuar edhe me të mëparshmit?
Në radhë të parë jam i lumtur që mbas dy vjetësh punë arrita të nxjerr albumin tim të tretë. Mund të them me bindje që ky është albumi më i kompletuar dhe interesant nga të tre. Është një album shumëngjyrësh dhe i dëgjueshëm nga fillimi deri në fund. Kthehem shumë më i pjekur artistikisht dhe kjo është e dallueshme te mënyra e kompozimeve edhe në tekstet e mia.
U mbeteni besnik rrymave që keni sjellë deri më tani, apo ka edhe surpriza?
Normalisht surprizat nuk mungojnë, por në tërësi unë mbetem i njëjti, thjesht më i azhurnuar dhe i rritur në muzikë. Është një miks rrymash nga popi, roku, souli, funky etj., por përveç mënyrës sime të të kënduarit, i bashkojnë tekstet. Tema e përgjithshme është jeta me të gjithë përbërësit e saj. Nuk mungon tema sociale, sepse nuk lodhesh kurrë duke i bërtitur kësaj bote të vështirë. Gjithsesi temat shkojnë nga brengat deri te gëzimet e mëdha! Si gjithmonë, shpresa ime më e madhe është që ky album t’i rezistojë kohës.
Sa është Miriami pjesë e këtij albumi?
Miriami nuk mund të mungonte. Ajo është me mua në duet te kënga ikonë e këtij albumi “Ende ka shpresë”, pikërisht nga është marrë edhe titulli. Kjo këngë gjendet edhe në versionin anglisht “Somebody hurts”, që është me të vërtetë për të mos u humbur.
Keni zgjedhur ta prezantoni në verë këtë album. Sa verore janë këngët e tij?
Mendoj që këngët e këtij albumi janë pa kohë dhe i përshtaten çdo stine apo momenti, por në përgjithësi albumi është pozitiv si vetë titulli. Menduam verën si më të përshtatshme për promovimin për një sërë arsyesh, si në lidhje me frymën e albumit, si me pjesën promovuese të tij.
Koncerti i parë do të mbahet nesër në Tiranë e më pas një tur promovues në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Do të jenë këngë të albumit apo vetëm disa prej tyre?
Patjetër që do të performohet pjesa më e madhe e albumit të ri, por nuk do mungojnë dhe këngët e vjetra, të njohura për publikun. Jam i lumtur për koncertet që do mbahen me “DigitAlb”-in dhe sidomos për atë që do të organizohet nesër në Tiranë, sepse do të jetë me standarde të larta, një interpretim i tëri ‘live’ shoqëruar nga një bandë muzikore. Do të jetë koncerti im i parë i mirëfilltë në kryeqytet. Pastaj vazhdojmë më 17 korrik në Pogradec, 19 në Shkodër, 21 në Durrës dhe 22 korrik në Vlorë.
Nga hera e parë që u ngjitët në skenën e “Top Fest”-it deri më sot, kur promovoni albumin e tretë, si ka ndryshuar lidhja juaj me muzikën?
Oh, shumë. Gjithmonë për mirë kuptohet. Nuk ndalesh kurrë së mësuari. Ky është ligji i natyrës, prandaj nuk është kurrë e mërzitshme, por unë gjithsesi mundohem fort të ruaj dhe atë pjesë të virgjër e burim të pastër të krijimtarisë sime së hershme.
E mendoni se çdo të kishte ndodhur nëse jeta juaj nuk do të kishte marrë këtë rrugë?
Nuk arrij ta imagjinoj dot tashmë. Jam aq brenda sa as me fantazi nuk dal dot më jashtë. Mendoj se do të kisha pasur një profesion dhe një jetë normale, por prapë të lumtur. Gjithsesi muzika do të më kishte përcjellë gjithë jetën.
A ndihesh i kënaqur me ato që ke mundur të bësh deri më tani?
Kam dhënë maksimumin e maksimumit tim në një treg goxha të vështirë në muzikë. Kështu që ndihem shumë i kënaqur e i plotësuar për kaq sa kam bërë deri tani.
Cila është motoja jote?
Jeta është shumë e shkurtër për ta kaluar duke urryer