Rozana Radi feston 32-vjetorin, ja detajet e festes se “blinduar”

Rozana Radi ka festuar 32-vjetorin. Po, po, mos u çudisni fare, Roz Radi mbushi 32 vjeç të mërkurën që lamë pas.. E, sigurisht që një ditë si kjo nuk mund të kalonte pa një festë. Pavarësisht numrit të vogël të të ftuarve e ambientit tejet privat, ajo ishte një festë, e çfarë feste madje…
Të ftuarit kishin zënë vend dhe prisnin me padurim yllin e mbrëmjes, kush duke bërë muhabet e kush duke folur në telefon, të gjithë tanimë, si në festat e ditëlindjeve të fëmijërisë, mbanin në duart dhuratat, teksa i tregonin ndërkohë njëri-tjetrit për zgjedhjen që kishin bërë. Pas disa minutash të gjata pritjeje, Rozi u duk në derën e “Flares”, që tanimë ishte aq pak i mbushur. Flokët këtë herë i kish bërë me dredha, e si fustan kishte zgjedhur një të “Cavalli”-t, në ngjyrë të verdhë. Kish vënë në bel dhe një rrip a diçka të tillë, pak kush e kuptoi se çfarë ishte, fundja e rëndësishme është që u pëlqye. Një detaj tjetër që na tërhoqi jo pak ishte edhe kombinimi që i kishte bëri Rozi reçipetave me ngjyrën e këpucëve…Po t’i lëmë pas tani detajet dhe të rikthehemi tek hyrja e saj në club. Me të hyrë vrapoi drejt nipit dhe mbesës, apo motrës dhe vëllait, siç është mësuar ajo t’i thërrasë tanimë. Pasi u takua me ta dhe me familjarët e tjerë, iu drejtua më pas miqve. Nicolën nuk e hiqte nga dora, jo vetëm teksa takonte miqtë, por nuk e hoqi përgjatë gjithë natës… Pasi shkrepi dhe fotot rutinë me të ftuarit, Rozi i dha start ahengut. Deri sa ajo mori mikrofonin në dorë po dëgjonim muzikë të huaj, por pllaka u kthye shpejt. I falenderoi të gjithë të ftuarit për prezencën, madje ndaloi edhe në emra të përveçëm, por njeriu të cilit i dedikoi më shumë kohë, ishte tezja, mamaja e Polit të BB, e cila sipas Rozi ka marrë këtë rol edhe në jetën e saj që pas humbjes së nënës. “Jam shumë e lumtur sot, ju jeni familja ime, jeni njerëzit që më së shumti dua, që më keni qëndruar pranë sa herë kam pasur nevojë. Ju falenderoj pa masë, më keni lumturuar shumë sot”, tha Rozi dhe ftoi më pas në skenë Marjola Kaçanin. Për çudinë e të gjithëve ne, Marjola e kishte ditëlindjen një ditë pas Rozit dhe kur akrepat ndaluan në orën 00:00, të gjithë iu afruan për ta uruar. Pas Marjolës, e cila qe e para që e ndezi atmosferën, ndaluan në skenë Valbona Mema, Erion Korini e Silva Gunbardhi, të cilët i dedikuan një urim special Rozit dhe Marjolës, por ai që na bëri më shumë përshtypje ishte urimi që Erioni i përcolli këngëtares Radi. “Të uroj jetë të gjatë, sepse përmes teje veç artistes shumë të talentuar, arrita të njoh edhe konceptin e miqësisë”, – tha Erioni ndërsa vijoi pastaj përshëndetjen me disa këngë të repertorit të tij. Një nga surprizat e mbrëmjes ishte edhe një djalë korçar, i cili me kitarën e tij na futi në botën e atyre serenatave të mrekullueshme korçare. Sakaq, këngëtarja Maja e ndezi jo pak atmosferën. Fjolla Morina nga Kosova gjithashtu performoi mbi skenën e improvizuar të “Flares”.
Ishte kjo në vija të trasha festa e thjeshtë, por shumë e bukur e këngëtares Rozana Radi, të cilës “Bluetooth” i uron një jetë të gjatë e të lumtur përkrah gjithë të dashurve të saj.

Author: admin