Këngëtarja Rezarta Shkurta është thirrur dje sërish në Prokurori, për të dhënë shpjegime në lidhje me incidentin e ndodhur mes saj dhe këngëtares Rozana Radi, muaj më parë në Tiranë. Rezarta Shkurta edhe më parë është thirrur në Prokurori dy herë të tjera, lidhur me përleshjen fizike që ka pasur më 6 dhjetor 2010 me Rozana Radin. Prokuroria e Tiranës po kryen hetime në lidhje me sherrin mes dy këngëtareve, ku Rozana Radi pretendoi se ishte plagosur në fytyrë gjatë përleshjes me Rezarta Shkurtën, pas mesnatës së 6 dhjetorit 2010. Burime të Prokurorisë së Tiranës thanë dje se Rezarta Shkurta u thirr për të dhënë deklarime në lidhje me disa momente që kishin mbetur pa u sqaruar nga hetimi i deritanishëm. Javët e fundit në Prokurori për konfliktin mes dy këngëtarëve është marrë në pyetje Sinan Hoxha dhe motra e Rezarta Shkurtës. Nga dëshmitë e tyre, me sa duket, kanë dalë momente të reja për të cilat është kërkuar sqarim dje nga Rezarta Shkurta. Prokuroria tha dje se ka marrë sqarimet e fundit nga këngëtarja. Sipas akuzës, nga përleshja mes dy këngëtareve provohet me raport mjeko-ligjor se Rozana Radi pësoi dëmtime në pjesën e fytyrës. Pasi i dokumentoi këto dëmtime, ajo u paraqit në polici për kallëzim penal ndaj koleges së saj, Rezarta Shkurta. Të dy këngtëtaret kanë akuzuar njëra-tjetrën për dhunën dhe nxitjen e konfliktit, të nisur dy vjet më parë, kur Rezarta dhe Rozana patën debate të ashpra mes tyre, ndërsa merrnin pjesë në spektaklin “Vip Shpija” që zhvillohej në Kosovë.