Reperi me famë botërore, Busta Rhymes, do të vijë në Kosovë në datën siç edhe ishte paraparë, ka thënë organizatori i këtij koncerti, Drin Zatriqi.Dje u raportua se hip-hop artisti kishte anuluar të gjitha koncertet e tij në Evropë, përfshirë edhe atë që ishte paraparë të mbahet me datë 29 prill në Prishtinë.Por vetëm një ditë më pas organizatorët e këtij koncerti kanë dhënë një lajm të mirë për fansat e muzikës rep – ky koncert do të mbahet ashtu siç ishte planifikuar.
“Organizatorët e pesë koncerteve: Prishtinë, Shkup, Zagreb, Pragë dhe Bratislavë kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm për të shikuar mundësitë për t’i realizuar koncertet tona me qëndrime të përbashkëta”.
“Kemi kontaktuar menaxhmentin e Busta Rhymes, fillimisht na janë dhënë datat prej 15 deri 19 maj për koncertet tona, por vetëm disa ore pas kësaj, Chris Lighty, njeriu kryesor në menaxhmentin e Bustas, e ka bindur Busta Rhymes që koncertet e planifikuara për këto 5 qytete të mbeten ashtu siç janë paralajmëruar më parë”, ka thënë Zatriqi.
Sipas Drin Zatriqit koncerti do të mbahet sipas planit dhe biletat janë hedhur në shitje sërish.