UNIONI KOMBËTAR SHQIPTAR
BORDI I DREJTIMIT-TIRANË
D E K L A R A T Ë
Opinionit shqiptar,
Zoti Bamir Topi,
Trupit Diplomatik – Tiranë,
Bordi i Drejtimit të Unionit Kombëtar Shqiptar, Këshilli Kombëtar dhe të gjitha strukturat e tij në trojet etnike dhe Diasporë, po ndjekin më shqetësim situatën e tensionuar politike në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, për shkak të mosmbylljes së procesit zgjedhor, veçanërisht per kreun e ri të Bashkisë së Tiranës. Sot jemi njohur edhe me prononcimin e zotit Ismail Kadare, me anë të Letrës së Hapur, drejtuar zotit Lulëzim Basha, për dorëheqje nga kandidimi.
Duke vlerësuar thelbin e përmbajtjes së kësaj Letre, strukturat tona drejtuese dhe anëtarësia, vlerësojnë dhe njeherazi mbështesin aktin e atdhedashurisë së shkrimtarit tonë të madh, maturinë e tij politike dhe kombëtare në interes të unitetit tonë kombëtar, aq të nevojëshëm në kufijtë e domosdoshmërisë për situatat politike që kalon populli shqiptar kudo në trojet etnike.
Bordi i Drejtimit të Unionit Kombëtar Shqiptar, Këshilli Kombëtar, strukturat e tij në trojet etnike dhe Diasporë, mbështesim thirrjen e Kadaresë, duke ruajtur vlerat tona mbipartiake, pa u bërë palë më askënd në pretendimet për pushtet, përpara fateve të ardhmërisë së atdheut tonë, duke kërkuar që në vetëdijen e njerëzve të angazhuar në politike dhe të opinionit shqiptar, të trumfojë arësyeja, vetpërmbajtja dhe gjkaftohtësia, përballë egos partiake për pushtet. Ne jemi të vendosur t’i përcjellim opinionit shqiptar qëndrimin tonë se, jemi bartës të kodit të nderit.
Ne gjykojmë se, në qëndrimin atdhetar të shkrimtarit të madh në përmasa kombëtare, dallojnë interesat europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që janë, mbi interesat partiake, të cilat po dëshmojnë deri tani anarkinë dhe kaosin, duke rrezikuar të ardhmen e Shqipërisë.
Për Unionin Kombëtar Shqiptar, intelektualët patriotë të rangur të Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes, Geri Kokalarit, të cilët me kurajon e tyre qytetare e atdhetare, i gjenden opinionit shqiptar në kohën e duhur, janë vlera dhe pasuri kombëtare, prandaj në çdo kohë ne do të jemi në mbështetje dhe në krah të tyre.
Me rekomandimet e tyre të drejtpeshuara, këta njerëz të mëdhenj të Kombit Shqiptar i bëjnë nder aktorëve kryesorë politik, që sot vazhdojnë të mbajnë peng situatën politike në vend. Ajo për të cilën shqetësohen intelektualët atdhetarë shqiptarë, është përtej dimensionit të zgjedhjeve, duke dhënë mesazhin e qartë dhe tronditës se, nëse vazhdohet me tej kështu nga të dy kampet politikë, atëherë, gjendja mund të zhvillohet në kufijtë e destabilizimit të situatës social – politike, në kufijtë e një krize të pakthyeshme e të pariparueshme, të cilën do të dëshironin ta sponsorizonin vetëm shërbimet antishqiptare në veri dhe në jug të hapësirave tona Kombëtare.
Është koha për maturi, për reflektime qytetare. Thirrja jonë është: Shqipëria mbi të gjitha.
Për Bordin e Drejtimit dhe Këshillin Kombëtar.
Gani Abazi
Zëdhënës i Unionit Kombëtar Shqiptar.
Tiranë, më 21 maj 2011.