Ardian Bujupi ka arritur që me anë të një performance të shkëlqyer të shtunën mbrëma të kualifikohet në gjysmëfinalen e emisionit të talentëve në Gjermani, “Deutschland Sucht Den Superstar”.
Talenti kosovar i cili është shndërruar në sensacion në Gjermani ishte i jashtëzakonshëm gjatë performimit të tri këngëve të zgjedhura në mbrëmjen e të shtunës – “Here
Without You” nga 3 Doors Down, “Fairytale” nga Alexander Rybak dhe hitin e James Brown “Sex Machine”.
Bujupit nuk iu tremb syri që në rrethin e parë të këndojë hitin e njohur “Here Without You” të 3 Doors Down, paraqitje që i la mbresa jurisë.
“Kjo ishte në përgjithësi një paraqitje e mirë. Ti nuk u bindesh ndjenjave të tua”, ishte vlerësimi i Fernanda Brandaos në juri.
Edhe performance e këngës “Fairytale” nga Alexander Rybak u prit me nota miradie nga juria, e sidomos nga Fernanda, e cila tha: “Kënga të është përshtatur vërtet shumë mirë. Ishte freskuese”.
Dhe kualifikimin Ardian Bujupi e siguroi me anë të paraqitjes fantastike në rrethin e tretë me këngën “Sex Machine” të James Brown, për të cilën u vlerësua nga legjenda gjermane Dieter Bohlen.
“Na ke emocionuar aq shumë me këtë këngë. Je i pakapshëm”, theksoi Boheln.
Garën në gjysmëfinale të emisionit të talentëve “Gjermania kërkon yllin” e siguruan pos Ardian Bujupit edhe Sarah Engels dhe Pietro Lombardi, ndërsa u eliminua Marco Angelini