Valbona Halili: Kenga dhe meshkujt e jetes sime

E pëlqyer dhe e kërkuar, me një elegancë të spikatur profesionale, Valbona Halili është një ndër këngëtaret më përfaqësuese të muzikës popullore, që ka ditur me mjeshtëri të konkurrojë fort në tregun muzikor. Pas tre albumeve të suksesshme, vjen me albumin e saj të ri me titull “Më këndon zemra”.Mund të ishte pjesë e muzikës së lehtë, e muzikës komerciale, apo turbo folkut. Vokali dhe diploma e Akademisë së Arteve për kanto, ia mundësojnë këtë gjë. Por ajo prej vitesh ka pushtuar skenat vetëm me muzikën popullore të tabanit të vjetër, por edhe krijime të reja muzikore, siç është edhe albumi i ri që ka hedhur në treg.

Është e vështirë ta takosh Valbonën këtë fund vere. Koncertet e saj dhe angazhimet sikurse gjatë gjithë verës, vazhdojnë të jenë të përnatshme, sa në plazhin e Golemit dhe të Durrësit, aq edhe në turnetë jashtë vendit. Kështu është jeta e saj prej vitesh, në udhëtime, turne, koncerte….Nuk i ka thënë asnjëherë punës “jo”, ka qenë shumë e kujdesshme në këngët e repertorit të saj, e mbi të gjitha e ka parë veten gjithmonë si këngëtare dhe jo si modele me klipe lakuriqe…Një famë që e ka krijuar pak e nga pak, për tu bërë e njohur sot nga të gjithë!

E kënaqur me çfarë ka arritur, por e thjeshtë dhe tejet miqësore në bisedë, Valbona Halili flet për albumin e saj më të ri “Më këndon zemra”, për këngën popullore, raportet me këngëtarët e tjerë si dhe bashkëjetesën me dy meshkujt e jetës së saj, të atin dhe të fejuarin, Arturin.

Sa e kënaqur je nga albumi i ri?

Me thënë të vërtetën jam shumë e kënaqur, sepse këto ditë kam përjetuar vërtet një sukses tjetër timin me nxjerrjen e albumit në treg. Këtë e kam parë edhe nga reagimet e njerëzve në rrugë, por edhe nëpër gëzimet familjare. Kemi punuar me përkushtim për të arritur aty ku donim prandaj dhe jam shumë e lumtur. Albumi ka 9 këngë ku secila prej tyre ka një fabul më vete dhe mendoj se me këtë album kam sjellë edhe risi për adhuruesin e këngës popullore. Për albumin tim të fundit kam bashkëpunuar me kompozitorin e mirënjohur dhe tepër të talentuar Edi Balili si dhe orkestruesin dhe dirigjentin Kujtim Balili, ndërsa tekstet janë shkruar nga Jorgo Papingji, Armand Trebicka dhe Rozana Radi.

Ke katër albume në treg…

Që të realizosh një album të bukur dhe profesional natyrisht që duhet kohë, sepse më parë duhet të zgjedhësh materialet që do të fusësh dhe më pas duhet punuar me kujdes të madh. Unë nuk shpejtoj kur dua të realizoj një album të tillë, por përpiqem të jap maksimumin dhe që në fund të shijoj dhe frytet e punës. Normalisht dy deri në tre vjet duhen për të realizuar një album cilësor nga të gjitha komponentët.

Si ka nisur lidhja jote me muzikën popullore?

Unë këngën e kam pasur pasion që e vogël, prandaj edhe u futa në shkollën e kantos që të jem profesioniste në këtë fushë. Muzikën popullore e kam kënduar që herët dhe mendoj se aty fle shumë mirë zëri im. Jam munduar gjithmonë ta ruaj të pastër këngën popullore të Shqipërisë së Mesme.

Je diplomuar në Akademinë e Arteve, mund të këndoje edhe muzikë të lehtë…..

Edhe muzika e lehtë më pëlqen dhe e kam kënduar, por që në fillimet e mia jam identifikuar si këngëtare e muzikës popullore dhe prandaj edhe nuk kam ndryshuar stil, por kam qëndruar te kënga popullore, por që edhe këngët e muzikës së lehtë i këndoj vazhdimisht nëpër festa apo gëzime familjare.

Cili është sekreti yt i suksesit?

Mendoj se janë zëri im dhe këngët që unë zgjedh për të kënduar. Këto janë armët e mia. Duke parë gjithmonë përpara, duke punuar shumë. Nuk besoj se ka ndonjë sekret tjetër.

Mban mend cili ishte momenti që të dha famë?

Fama ka ardhur gradualisht. Nuk mund ta them saktësisht se cili ka qenë momenti që kam marrë famën më të madhe. Nuk e kam kërkuar famën si qëllim në vetvete, por jam përpjekur gjithmonë të kërkoj sa më shumë tek vetja. Punë, sakrificë, lodhje, pasion….Dhe fama vjen vetë.

Ti këndon vetëm muzikë të Shqipërisë së Mesme?

Siç e thashë edhe më sipër, që në fillimet e mia jam identifikuar me këngët popullore të Shqipërisë së Mesme, por që unë këndoj edhe këngë të trevave të tjera. Në këtë album unë kam edhe një këngë vlonjate sepse kam dhe pak origjinë nga Vlora dhe më takonte ta këndoj një këngë, por që këngët e Shqipërisë së Mesme i kam për zemër dhe zënë vendin e parë.

Ke thënë se kënga të ka bërë milionere. Vërtet muzika është biznes i mirë?

Kënga që kam te ky album, “Milioneri”, në fakt është një fabul që nuk flet për milionerët e parasë, por për milionerë në shpirt. Shumë mendojnë se kënga të bën të pasur, por unë mendoj se nuk është plotësisht e drejtë, sepse ne artistët edhe shpenzojmë shumë duke investuar vazhdimisht për karrierën dhe artin.

Çfarë ke parasysh kur zgjedh këngët për një album të ri?

Në fillim bashkë me kompozitorin zgjedhim materialet që do të fusim në album. Kuptohet, duhet që të gjithë komponentët e këngës të përshtaten me njëri- tjetrin. Nganjëherë marrim tekstin para dhe i krijojmë muzikën ose dhe e kundërta, por që i shohim me shumë kujdes materialet që duhet të përfshihen në album. Jam përpjekur që të plotësoj gjithmonë shijet e publikut duke sjellë edhe risi të reja për ta.

Si të pret publiku?

Me të vërtetë që na pret jashtëzakonisht shumë mirë. Sidomos publiku jashtë vendit, kudo ku ka shqiptarë. Ata kanë mall të dëgjojnë këngët tona popullore. Unë kam udhëtuar shpesh nëpër Europë dhe e shikoj reagimin e tyre gjatë koncerteve që japim jashtë vendit.

Si arrin të udhëtosh kaq shumë pa u lodhur?

Jam mësuar dhe tani nuk më bëjnë përshtypje më udhëtimet. Lodhjen më shumë e ndien kur udhëton për një koncert ,dy apo tre ditë, por kur rrimë më gjatë, edhe nuk e ndiejmë lodhjen.

Është e mërzitshme jeta larg shtëpisë, nëpër turne dhe hotele?

Kjo varet se si përjetohet nga çdo njeri. Për mua nuk është dhe aq e mërzitshme edhe pse kur qëndrojmë nganjëherë më gjatë se ç’duhet na bëhet dhe pak e mërzitshme sepse na merr dhe malli për njerëzit që lëmë këtej. Por që jam mësuar dhe nuk më bën dhe shumë përshtypje. Prej kohësh në turne nuk ndihem më vetëm, por jam me Arturin, kështu që kam me vete një pjesë të familjes….(qesh)

Kush është Arturi?

I fejuari im, instrumentist, pjesë e grupit me të cilin këndoj. Ai i bie organos. Pra edhe ai është muzikant dhe kjo na ndihmon që të kuptohemi edhe më mirë. Jemi lidhur me dashuri, pas një njohje të gjatë dhe shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin.

Jetoni bashkë?

Po, me Arturin dhe babin. Mami im nuk jeton më dhe prej vitesh unë jetoj vetëm me babin. Por edhe me Arturin. (qesh) Babi dhe Arturi janë meshkujt e jetës sime.

Kur do të kemi dasëm?

(Qesh)…E pra, këtë duam edhe ne, por ngelëm duke martuar të tjerët dhe nuk po gjejmë kohë për veten. Shiko, duam me të vërtetë të bëjmë një dasëm, mendojmë të jetë një festë madhështore, por është koha që na pengon. Gjithmonë me turne, koncerte, angazhime nëpër gëzime familjare…Por, për ne rëndësi ka që jemi bashkë, nëse krijojmë një mundësi të mirë, do ta bëjmë…

Pra, karriera bëhet pengesë për të krijuar familje?

Nuk besoj se ka qenë frenuese karriera për të krijuar familje, por çdo gjë do kohën dhe momentin e vet.

Si shumica e femrave a di të gatuash?

Gatuaj kur kam kohë. Më pëlqen të gatuaj sidomos fërgesën tiranase apo edhe gjellëra të ndryshme. Kur kam kohë edhe gatuaj.

Gjithmonë këndon “live”?

Unë personalisht kënaqësi ndiej vetëm kur këndoj live, por ka dhe koncerte që nuk këndojmë live. Në gëzimet familjare, apo festa të ndryshme gjithmonë këndoj live dhe aty ndjehem vërtet mjaft mirë si këngëtare.

A ka xhelozi profesionale si kudo, apo më e fortë në muzikë?

Unë nuk kam patur dhe nuk kam xhelozi profesionale. Unë jam Valbona Halili dhe kam adhuruesit e mi, ashtu si çdo këngëtar tjetër. Konkurrenca është e fortë, por po punove arrin të shijosh dhe frutet e punës.

Si i ke raportet me kolegët?

Shumë mirë. Jam përpjekur të ruaj raporte të mira dhe korrekte me koleget e mia.

Në klipet e tua nuk kemi parë të zhvishesh sikurse tek shumë të tjera….

Unë jam këngëtare dhe jo modele, kënga popullore ka kostumine vet popullor dhe unë jam munduar ta vesh në disa këngë, por dhe te këngët e tjera kam zgjedhur veshje që më përshaten mua por edhe llojit të këngëve.

Cila është dëshira jote më e madhe?

Të realizoj një koncert të madh recital live për adhuruesit e mi. Kam realizuar disa albume dhe mendoj se tani ka ardhur momenti për një recital

Dhe kur do e realizosh?

Mbetet surprizë.

Burimi: Revista Shqip

 

Author: admin