Sulmohet faqja e adhuruesve të themeluesit të Facebook

Faqja e adhuruesve të Mark Zuckerberg në rrjetin për shoqërim Facebook, themelues i së cilit ai është, është sulmuar të martën në mbrëmje.Hakerët në emër të Zuckerberg kanë shkruar në faqen e tij të adhuruesve këtë porosi: “Le të fillojë hakimi. Nëse Facebook ka nevojë për para, në vend se të shkojë në bankë mund t’u lejojë përdoruesve të investojnë në të në mënyrë shoqërore. Pse të mos shndërrojmë Facebookun në ‘punë shoqërore’ ashtu si fituesi i çmimit Nobel Muhammed Yunus e ka përshkruar atë. Çfarë mendoni për këtë gjë?”

Pasi që porosia është publikuar, 1.800 përdorues kanë klikuar butonin “Like”, e janë vendosur edhe gati 500 komente.

“Përdoruesit e Facebook, të njohur apo jo, duhet të merakosen për sigurinë e tyre në internet”, ka thënë Graham Cluley, këshilltar në kompaninë e sigurisë softuerike Sophos.

“Zuckerberg do të duhej të jetë më i kujdesshëm pas kësaj ngjarjeje të turpshme. Nuk dihet nëse ai ka qenë i kujdesshëm me fjalëkalimin, apo është përcjellë derisa ka shfrytëzuar lidhjen e pambrojtur të internetit. Sido që të jetë, kjo gjë ka ardhur mu në momentin kur Facebook po tenton të bindë përdoruesit e vet se merret seriozisht me sigurinë dhe privatësinë”, ka thënë Sophos.

Pas sulmit të hakerëve, faqja e Zuckerberg në Facebook është larguar tërësisht. Sulmi i hakerëve ka ardhur vetëm pak ditë pasi që e njëjta gjë ka ndodhë edhe me faqen e presidentit francez Nicolas Sarkozy.

Author: admin