Statuset të cilat i përditësoni në rrjetin më të popullarizuar për shoqërim online në botë Facebook flasin shumë për ju. Këtë e ka dëshmuar edhe hulumtimi i kryer kohë më parë të cilin e kanë kryer të punësuarit në kompaninë me zyre në Palo Alto në Kaliforni, në bazë të analizës së statuseve të një milion përdoruesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me këtë analizë janë fituar disa të dhëna interesante. Për shembull, personat e moshuar në statuset e tyre më shpesh flasin për fenë, komentojnë ngjarjet shoqërore apo porositë në statuset e tyre ua dedikojnë disa nga anëtarëve të familjes së tyre.
Është vërejtur se përdoruesit e rinj të rrjetit Facebook në vend të fjalëve të plota kryesisht shkruajnë shkurtesa. Po ashtu, shajnë shumë më tepër, shprehin inat me anë të statuseve dhe shumë më shpesh përdorin përemrin vetor “unë”.
Hulumtimi ka dëshmuar se nëse në statuset tuaja shpesh përdorni përemrat “ti”, respektivisht “ju”, atëherë sigurisht keni shumë miq në rrjetin për shoqërim.
Sipas hulumtimit njerëzit janë shumë më në qejf në mëngjes. Deri në ora 10:00 përdoruesit e Facebook kryesisht publikojnë statuse pozitive dhe emotive. E, pas kësaj kohe Facebook vërshohet nga emocionet negative të përdoruesve.
Natyrisht, shumë më tepër komente ka në statuse në të cilat shprehen emocione negative, nervozë apo hidhërim, sigurisht për faktin se miqtë gjithmonë ngushëllojnë njëri-tjetrin.
Është vërejtur edhe se njerëzit shpesh përdorin fjalët e njëjta sikur miqtë në statuset e tyre.