Facebook-u është duke e bërë një veprim të shpeshtë bllokimin e qasjes në të dhënat e veta, posaçërisht kur bëhet fjalë për aplikacionet nga sfiduesit e mundshëm.
Javën e kaluar, gjiganti i rrjetit shoqëror ka larguar qasjen e tri aplikacioneve në API-në e Facebook-ut. Të enjten, Twitter lëshoi një aplikacion të ri për shpërndarje të videove, Vine.
Aplikacioni fillimisht iu mundësonte përdoruesve që të gjejnë shokët në rrjetin Facebook që po ashtu e përdorin aplikacionin, por brenda pak orëve që nga lëshimi i Vine, Facebook-u ndërpreu qasjen e aplikacionit në të dhënat e veta.
TechCrunch raporton gjithashtu që Wonder, që është një aplikacion për kërkim shoqëror që aktivizohet me zë, pati një trajtim të ngjashëm nga rrjeti Facebook. Aplikacioni për iOS nga makina kërkuese ruse Yandex, iu mundëson që të shihni se cilat dyqane kanë vizituar shokët e juaj, cilat audio kanë dëgjuar, ose artikujt që kanë lexuar.
Wonder merr të dhëna nga rrjetet e tjera shoqërore, por qasja e Wonderit në të dhënat e rrjetit Facebook ishte bllokuar brenda pak orëve që nga lëshimi i tij të enjten.
Shembulli i tretë është Voxer, që është një aplikacion për dërgim të porosive me zë. Sipas TechCrunch, ai po ashtu u largua gjatë javës së kaluar nga Facebook.
Sikur Vine, Facebook bllokoi mundësinë e aplikacionit për të gjetur shokët përgjatë një rrjeti të një përdoruesi në Facebook. Facebook nuk ka dhënë ndonjë hollësi se pse është bërë largimi i qasjes në të dhënat e veta për këto aplikacione.
Në vend të kësaj, një zëdhënës i ndërmarrjes kishte treguar për rregullat e platformës së ndërmarrjes rreth rrjeteve shoqërore sfiduese, ku thuhet: “ a) Ju nuk mund të përdorni Platformën Facebook për të eksportuar të dhënat e përdoruesit në një rrjet sfidues shoqëror pa lejen tonë; b) Aplikacionet në Facebook nuk mund të integrohen, lidhen, reklamohen, shpërndahen dhe të drejtohen tek ndonjë aplikacion ose ndonjë rrjet tjetër shoqëror sfidues.