Kënga Magjike – Java e pestë

Festivali muzikor ‘Kënga Magjike 2011’ ka prezantuar deri tani gjithsej 30 këngë konkurruese.

Në javën e pestë janë paraqitur emra të ndryshëm të skenës muzikore. Në mesin e tyre është edhe këngëtarja e talentuar, Kejsi Tola, fituese e edicionit të katërt të spektaklit muzikor “Ethet e së premtes mbrëma” dhe “Festivalit të Këngës 47” në Radio Televizionin Shqiptar.

1. Ilir Kazaferi – Lodhem kot të jem një mik

Javën e pestë hapet me një këngë shumë të bukur të kënduar nga këngëtari Ilir Kazaferi. Iliri ishte prezent më parë edhe në festivalet tjera muzikore, ndërsa ai këtë vit debuton në festivalin “Kënga Magjike” me këngën e tij ‘Lodhem kot të jem një mik’. Ilir Kazaferi është edhe autori i këngës, ndërsa për orkestrimin e këngës është përkujdesur mjeshtri Shpetim Saraçi.

2. Kejsi Tola – Më jeto

Këngëtarja me një zë potent, Kejsi Tola vjen për herë të dytë në festivalin muzikor “Kënga Magjike”. Pjesëmarrja e parë e Kejsit në këtë festival nuk ishte aq e suksesshme pasi këngëtares së re i mungonte interpretimi. Këngëtarja, që ka shkelur skenën e madhe të “Evrovizionit”, vjen këtë vit në “Këngën Magjike 2011” me një pamje të re dhe më një këngë të fuqishme. ‘Më jeto’ quhet kënga konkurruese e Kejsit, të cilën ajo e interpreton jashtëzakonisht bukur.

3. Julian Lekocaj – Më jep jetë

Kënga e tretë konkurruese e javë së pestë të festivalit “Kënga Magjike 2011”, mban emrin ‘Më jep jetë’. Këngëtari 30-vjeçar nga Tirana, Julian Lekocaj konkurron për herë të parë në festivalin “Kënga Magjike”. Kënga konkurruese ‘Më jep jetë’ është një këngë e rrymës rock. Këngëtari shoqërohet në skenë nga një pianist dhe dy shoqërues në kitare.

4. Big Basta & Angelo – Si melodi

Kënga konkurruese e radhës është tërësisht ndryshe nga këngët e lartë përmendura. Reperi i njohur nga Tirana me emrin Big Basta vjen në bashkëpunim me artistin e ri, Angjelo. Kënga e tyre konkurruese ‘Si melodi’ është një miks i rrymave muzikore hip hop dhe rap që shoqërohet gjatë gjithë kohës edhe me ritme të muzikës latine.

5. Elia – E boj unë

Këngëtarja e re, Elia, debuton në edicionin e 13-të të festivalit muzikor “Kënga Magjike”. ‘E boj unë’ është një nga të shumtat këngë konkurruese të rrymës muzikore elektro pop të këtij edicioni. Meqenëse këngëtares Elia, i mungon përvoja skenike, ajo e sjell me plot energji këngën e saj ritmike të quajtur ‘E boj unë’.

6. Era Rusi – Një lamtumirë

Javën e pestë të festivalit “Kënga Magjike 2011”, po e mbyllim me një këngë shumë melodioze të kënduar nga këngëtarja Era Rusi. Vet titulli i këngës ‘Një lamtumirë’ flet për temën e këngës konkurruese. Fituesja e shumë çmimeve muzikore në skenën e muzikës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare paraqitet për herë të tretë në këtë festival. E veshur në të zezë, Era Rusi, interpreton mjeshtërisht këngën e saj të bukur melankolike.

Author: admin