Secilit udhëtar që do të hyjë në Kosovë përmes portave G1 dhe G3, do t’i lejohet sasia e mallit në vlerë deri 175 euro e blerë paraprakisht në Serbi.Autoritetet kosovare kanë hequr dorë nga paralajmërimi për të aplikuar masë të veçantë për mallin jokomercial i cili mund të bartet në automjetet që kalojnë në portat doganore në Jarinjë dhe në Bërnjak. Por, nuk kanë gjetur një mekanizëm për të klasifikuar mallin komercial nga ai jokomercial.
Ministrja e Tregitës, Mimoza Kusari-Lila, pati thënë në mbledhjen e fundit të Qeverisë se dikasteri që drejton “ka filluar të përgatisë instruksione për Ministrinë e punëve të Brendshme dhe forcat e KFOR-it, sidomos për dy zonat e kufizuara ushtarake”.
Të premten ajo i ka thënë gazetës “Koha Ditore” se nuk do të ketë nevojë për instruksione të tilla.
“Do të veprohet sikurse në vendkalimet tjera. Konform rregullave të njëjta do të shkohet edhe në pikat kufitare 1 dhe 31”.
Banorët e veriut lejohen të blejnë mallra në Serbi që nuk kanë qëllim tregtimi, por Kodi Doganor nuk specifikon mallrat për përdorim personal e as nëse lejohet vetëm një lloj malli në vlerën e lejuar.
“Nëse një qytetar hyn 10 herë në ditë me mall në vlerë 175 euro, ai është tregtar”, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.
“Sipas informacioneve që kemi, furnizimet më shumë janë duke u marrë prej anës së jugut”.