Gjurmët më të hershme njerëzore në territorin e Shqipërisë

Gjurmët më të hershme njerëzore në territorin e Shqipërisë shfaqen në periudhën musteriane, që i përket Paleolitit të Mesëm (100 000 – 30 000 vjet më parë). Këto përfaqësohen nga vegla prej stralli të punuara mirë, me forma tipike musteriane, të cilat i kanë shërbyer njeriut primitiv për procese të ndryshme pune që lidheshin drejtpërdrejt me sigurimin e ushqimit të tij të përditshëm. Të tilla vegla, si prefëse, kruese, gërryese, etj., janë gjetur, deri më sot, në stacionin prehistorik të Xarrës në rrethin e Sarandës, në stacionin e Kryegjatës, në afërsi të Apollonisë (Fier) dhe në stacionin e Gajtanit në rrethin e Shkodrës. Nga format dhe përmasat e tyre të vogla këto vegla ngjasojnë mjaft me veglat e strallit të zbuluara në depozitimet musteriane të krahinave fqinje të Greqisë Veriore, të Thesalisë, të Malit të Zi etj.

Author: armend mendi