Roberts: Të ndryshohen kufijtë, të bashkohen Kosova dhe Shqipëria

Ivor_roberts

Shkruan: Ndriçim Iseni 

Ish ambasadori britanik në Serbi, Ivor Roberts, në një intervistë për B92, angazhohet për një politikë më realiste dhe një realitet të ri politik në Ballkan, përkatësisht në raportet diplomatike. Në këtë kuadër, ai prezanton një mendim ndryshe për kufijtë, duke deklaruar se ata janë të ndryshueshëm.

Ai ka deklaruar se kufijtë në Ballkan mund të ndërrohen, përkatësisht, se korrigjimi i kufijve në Ballkan, mund ti kontribuojnë paqes së përhershme.

“Çështja e kufijve është çështje e mundimshme e shekullit njëzet. Mendoni vetë se çfarë problemi kishte sjellë kjo çështje gjatë arbitrazhit në vitin 1916 në Levant, e këto probleme edhe sot e kësaj dite janë aktuale. Në atë kohë dy diplomat, një britanik dhe një francez, Siks dhe Pikot, kishin vizatuar hartën që prezantonte sferën e interesave britanike dhe franceze pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Pastaj, dihet mirëfilli se çfarë probleme kishin lindur me kufijtë pas përfundimit të luftërave ballkanike me vizatimin e tyre në Konferencën paqësore të Londrës, në prag të fillimit të Luftës së Parë Botërore, kur u themelua shteti i ri i Shqipërisë, kur në mënyrë automatike shumica e shqiptarëve kishin mbetur të jetonin jashtë kufijve të shtetit shqiptar”, ka thënë ai, transmetonpubliku.net.

“Atyre që thonë, se, qëllimi i vizatimit të ri të kufijve nuk do të duhej të ishte themelimi i shteteve mono-etnike, ju them se, e gjithë esenca e kësaj është se brenda atyre kufijve njeriu ndjehet i sigurtë. Aty ku kufijtë krijojnë ndjenjën e pasigurisë, jo stabilitetit dhe dhunës, aty kufijtë nuk kanë ndonjë funksion të dobishëm”, tha Roberts.

Roberts thotë se pret që “roli i kufijve të humbë dhe të bëhet i parëndësishëm, ashtu si është në rajonin e Schengenit, kur më nuk dini a jeni në Francë apo Gjermani. Megjithatë, që kjo të ndodhë, duhet të kalojë shumë kohë, ashtu siç është dashur në rastin e Francës dhe Gjermanisë, të cilat kanë kaluar tre luftëra brenda një shekulli”.

Sipas tij, drama e kufijve në Ballkan nuk mund të zgjidhet brenda natës. “Kufijtë në radhë të parë duhet t’i kontribuojnë sigurisë dhe stabilitetit. Kjo do të zgjasë deri atëherë kur ato do të bëhen krejtësisht të parëndësishëm”, tha ai.

Ai thotë se është për ndryshim kufijsh edhe mes Kosovës dhe Serbisë.

“Konsideroj se rajoni në veri të lumit Ibër, duhet ti kthehet Serbisë, e disa pjesë të territorit të Luginës së Preshevës ti kthehen Kosovës”.

Por ai ka edhe një qëndrim ndryshe sa i përket bashkimit kombëtar dhe shtetëror të shqiptarëve:

“Nuk shoh arsye, që pas një kohe, pse të mos bashkohen Kosova dhe Shqipëria në një shtet të vetëm, nëse këtë e duan”, ka thanë ish ambasadori britanik Ivor Roberts.

Author: admin