Ubuntu, sistemi operativ i bazuar në Linux, që përdoret në një pjesë të madhe serverash të korporatave, do të vijë për smartfonët në 13 tetor 2013.
Kjo deklaratë është bërë nga udhëheqësi i projektit. Ndërkohë, zhvilluesit do të kenë mundësi ta aksesojnë sistemin operativ mobile në fund të shkurtit.
Por cila është arsyeja që të konkurrohet kundër suksesit të madh të Android dhe iOS, veçanërisht kur ka edhe alternativa të tjera si BlackBerry dhe Windows Phone?
Mark Shuttleworth, CEO i Canonical, një kompani që ofron shërbime për kompanitë që përdorin softuerin Ubuntu, beson se smartfonët me këtë sistem operativ do të zgjidhin një problem tepër të rëndësishëm siç është integrimi i tyre me softuerin e korporatës.
Kjo është ajo që do ta bënte Ubuntu-n jashtëzakonisht tërheqës për shumë departamente IT-je në mbarë botën. Duke marrë shkas nga fakti se kompanitë që shqetësohen për sigurinë përdorin gjerësisht sistemet Linux, Ubuntu mund të jetë zgjidhje më e mirë se BlackBerry.
Ubuntu, nga ana tjetër, nuk është sistemi i vetëm operativ mobile që përpiqet të mbushë boshllëqet e platformave të mëdha. Edhe Mozilla do të lançojë së shpejti Firefox OS, ndërkohë që Tizen (i njohur më parë si MeeGo) ka mbështjen e Samsung-ut po në këtë fushë.