TIRANE – Këngëtarja e dashur Eni Koçi do të bëhet sot pjesë e faqeve të “Bluetooth”, me një intervistë mjaft interesante, gjatë së cilës e reja, denoncon persona konkretë se po i mbajnë peng jetën e saj artistike…Se çfarë na ka rrëfyer më konkretisht Eni dhe se cilat janë provat që ajo na ka vënë në dispozicion, ju ftojmë të lexoni në vijim suplementin.
Eni, si po i kalon këto ditë?
Mirë, me angazhimet e zakonshme (buzëqesh).
Lexuam në Facebook që “ArkivaShqip” mban peng jetën tënde artistike. Mund të na thuash diçka më shumë lidhur me këtë?
Është e vërtetë. Këngët dhe videoklipet e mia mbahen dhe shfrytëzohen nga ky portal pirat, pa dëshirën time. Në këngët dhe videoklipet e mia vendosen reklama pa autorizimin tim, duke përfituar mijëra USD në muaj dhe të gjitha këto përfitime i marrin Aldor Nini, Arben Hoxha dhe Anxhela Faber. Që në muajin dhjetor 2011 kam realizuar videoklipin tim të fundit “Love me” dhe sapo e kam lançuar në internet, menjëherë më kanë hequr audion, duke më bërë presion që çdo këngë dhe video timen nuk mund ta publikoj pa ia dhënë në pronësi personave që përmenda më lart. Në këto rrethana unë nuk mund të publikoj veprat e mia muzikore, pasi siç e shpjegova dhe më sipër mbahen peng nga këta piratë.
Ju keni nënshkruar një kontratë me “Easycom”?
Ky problem ekziston që në vitin 2009, kur në emrin tim është nënshkruar një kontratë për mbrojtjen e veprave të mia muzikore nga pirateria në internet, si dhe shitjen e tyre në forma të ndryshme vetëm në internet. Kaloi një vit, sa dhe kontrata humbi efektet e saj dhe unë nuk pata asnjë interes ekonomik nga kjo kontratë. Edhe pse kontrata e humbi efektin, sepse ishte 1-vjeçare, këta persona nuk i liruan asnjëherë këngët e mia. Unë, sapo e hidhja një vepër muzikore në internet, ata e monetizonin, e skanonin dhe të gjitha përfitimet i merrnin në llogarinë e tyre. Ne nuk e kuptonim që veprat vidheshin. Në momentin që e konstatuam, u kërkuam shpjegime personave në fjalë dhe menjëherë jemi hasur me goditje të njëpasnjëshme, duke na bllokuar audion nga videot ose duke fshirë performancat tona artistike dhe çdo këngë të re apo video ata e kushtëzonin me kalimin nëpërmjet firmës së tyre, në të kundërtën je i sulmuar nga të gjitha anët nga “hackerat”.
Dimë që nga klikimet në internet artistët marrin të ardhura. Ju, jeni paguar ndonjëherë?
Dua të jap një fakt të konstatuar nga specialistë të kësaj fushe. “ArkivaShqip”, “EasyCom”, “Acromax”, “OverNext”, që kanë pronar kryesor Aldor Ninin, përfitojnë në llogarinë e tyre bankare në Gjermani mbi 100.000 USD në muaj nga google. Këto të ardhura vijnë nga shfrytëzimi i veprave muzikore të të gjithë artistëve shqiptarë që janë të arkivuar në “ArkivaShqip”, si dhe, nga çdo ‘channel’ (kanal) i çdo individi që publikon një vepër muzikore, Aldori i vendos reklamën dhe të gjitha të ardhurat shkojnë në llogarinë e tij. Artistët shpenzojnë për pasionin e tyre artistik, kurse këta persona i vjedhin ato dhe abuzojnë ndaj tyre. Ndërsa dëmi ynë financiar që nga viti 2009 dhe deri në këto momente që po flasim është aq i madh sa vështirë të llogaritet. Unë deri më sot s’kam marrë asnjë të ardhur.
Cili është hapi konkret që ju keni ndërmarrë kundër tij?
Unë i kam kërkuar prokurorisë që të më çlirojë nga pengmarrja artistike dhe financiare, nga Aldor Nini, Arben Hoxha dhe Anxhela Faberi. Unë kërkoj të jem e lirë artistikisht, t’i përdor, t’i transmetoj dhe t’i publikoj veprat e mia muzikore sipas dëshirës sime dhe fansave që pëlqejnë muzikën time.
Lexova diku që edhe Facebook-un kishin tentuar t’ua merrnin…
Pas fillimit të procedimit penal ndaj Aldor Ninit, Anxhela Faberit dhe Arben Hoxhës, faqet tona zyrtare, të miat dhe të Gretës, që kanë mbi 150.000 abonentë, janë goditur nga “hackerat” dhe qëllimi i vetëm është që të marrin passëordin dhe më pas të zhdukin çdo gjurmë apo provë për prokurorinë mbi vjedhjet e tyre të kallëzuara nga ana jonë. Rasti i fundit i tentativës për vjedhje është bërë më datë 08/07/2012, ora 20:50, ku Facebook na dërgon një njoftim që faqet tona zyrtare po vidhen nga një fishim mashtrues dhe gjithashtu në këtë e-mail na ka dërguar dhe linkun dhe IP nga ku është tentuar pirateria. Nga kontrolli i teknikëve tanë kemi konstatuar që kjo vjedhje është tentuar nga IP te “Albtelekom” dhe i korrespondon emrit Hysen Hoxha, punonjës në këtë institucion. Ne menjëherë këto prova i dorëzuam në prokurori dhe rezultatet e hetimit do nxjerrin personin konkret.
Pra edhe Greta ka të njëjtin problem?
Kemi të njëjtat probleme.
Dini rastin e ndonjë kolegu që vuan njësoj si ju?
Viktima të këtij mashtrimi janë dhe shumë kolegë artistë si: Capital T, Dafina Zeqiri, Etno Engjejt, etj…, si edhe shtëpitë diskografike si: “Elrodi music”, “Albatrade”, “SuperSonic”, “SuperStar”, etj…
Plane për pushime, ke bërë?
Mbasi të mbarojmë turin e koncerteve verore në të gjithë bregdetin shqiptar, kemi planifikuar familjarisht të kalojmë edhe pushimet.
Ndonjë këngë të re?
Kam në dorë disa projekte shumë të mira, por të gjitha do t’i zbuloj me detaje më vonë…