Këngëtarja e talentuar kosovare Linda Halimi, e cila pak kohë më parë udhëtoi edhe drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku pati mundësinë të takohej edhe me yllin e popit, Britney Spears dhe të motrën e saj, Jamie Lynn, këto ditë është shumë e angazhuar jo vetëm me koncertet verore, por edhe me një këngë të re që pritet ta lançojë së shpejti. “Jam e angazhuar në mbrëmje të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri. Njëkohësisht jam duke u marrë me krijimin e baladës së re, të cilën dua ta lançoj në vjeshtë. Shpresoj të më dalë edhe më e mirë se balada “Kur një ditë të kthehesh ti”. Po i përkushtohem kësaj baladë dhe momentalisht gjithë energjinë ia kam kushtuar kësaj kënge! Shpesh më duhet të rri vetëm me ditë të tëra në mënyrë që të nxjerr më të mirën nga unë dhe të krijoj diçka sa më profesionalisht”, – ka thënë këngëtarja, e cila ka shtuar se një duet me Britnin do ta kishte ëndërr. E kush nuk do të donte të merrte pak nga fama dhe publiciteti që ka e ashtuquajtura Princesha e popit?! “Britni kishte dëgjuar për Kosovën, mirëpo nuk e dinte as ku i bie ky shtet dhe më në fund kur i përmenda ish-Jugosllavinë më tha: Ah, po, kam dëgjuar për Ish-Jugosllavinë! Sa për një duet me të, për këtë nuk mund të flas, sepse nuk vendos as unë dhe as ajo personalisht. Gjithçka është në dorë të kompanisë së saj të menaxhimit. Mirëpo do të kisha dëshiruar shumë një gjë të tillë”, – ka shtuar më tej këngëtarja, e cila pak kohë më parë i dha fund fejesës së saj me Ilirin, një kitarist me të cilin performonte shpesh. E pyetur për dashurinë, Linda ka pohuar se është shumë, shumë e dashuruar…, por më jetën, muzikën dhe gjithçka që e rrethon. Për më tepër nuk ka kohë… “Nuk po ëndërroj për njeriun e zemrës, sepse s’kam kohë as për të fjetur”, – ka përfunduar këngëtarja e hitit “Të dua vërtetë”.