Këngëtarja e suksesshme Elvana Gjata dhe producenti i saj Flori Mumajesi, përbëjnë lajm edhe kur nuk kanë sjellë asgjë të re në treg, ndërsa kur bëhet fjalë për dy albume të rinj, që lançohen prej secilit në të njëjtën ditë, më mirë imagjinojeni vetë. Dyshja që kanë zbuluar formulën e suksesit për të “pushtuar” prej kohësh tregun muzikor, duke servirur pafund hite, sapo kanë hedhur në treg albumet respektivë. Albumi i dytë i Elvanës, i paralajmëruar prej shumë kohësh nga këngëtarja, quhet “Afër dhe larg”, sikurse hiti i saj më i fundit dhe përmban gjithsej 16 këngë, mes së cilave edhe disa nga hitet e mëparshme, si “Ku jeton dashuria”, “Turn U on”, “Dhe zemra ndal” etj. “Jam thellësisht e lumtur që më në fund, pas 3 vitesh pune, albumi im i dytë “Afër dhe Larg” është në duart tuaja. Falënderime dhe mirënjohje të gjithëve atyre që mbështetën punën time, mbi të gjitha atij që i dha jetë këtij albumi me muzikën e tij, Florit”, – ka shkruar këngëtarja në faqen e saj në Facebook. Nga ana e Flori Mumajesit, albumi më i ri i tij quhet “Detaj” dhe në të gjenden hitet dhe bashkëpunimet e tij më të realizuar gjatë këtyre viteve të fundit. Çdo fans i tij duhet ta bëjë të vetin këtë përmbledhje me po 16 këngë, edhe pse në të nuk gjendet asnjë bashkëpunim me Elvanën. Gjithsesi, nuk janë për t’u humbur këngë si “Tallava”, “Playback”, “I ngjan asaj” me Evi Reçin, “Next”, “Fluturimi 34 70” me Soni Malajn, “Making off” me reperin Fuga, kënga e re me Ylli Bakën “Marina”, si dhe kënga dedikuar nënës. Por, koincidenca që albumet e Elvanës dhe Florit u lançuan në të njëjtën ditë nuk është e vetmja, as fakti që secili prej tyre përmban nga 16 këngë, pasi kopertinat e albumeve flasin akoma më shumë për lidhjen e ngushtë mes dy këngëtarëve. Secila prej tyre paraqet gjysmën e fytyrës së secilit, që duke i sjellë bashkë, përmbushin një të tërë. Tani që për çiftin më të famshëm të shoubizit shqiptar flitet edhe për një romancë, kjo ide është shumë e gjetur!