Këngëtarja ka festuar deri vonë pas natës finale të “Top Fest 8”, duke iu gëzuar dy çmimeve, Çmimit të Madh të edicionit të tetë të “Top Fest” dhe “Artisja më e mirë”. Ajo shprehet se çelësi i suksesit është muzika e Flori Mumajesit, në bashkëpunim me të cilin pret të nxjerrë në treg albumin e dytë.
Mëngjesi i së dielës e ka gjetur zgjuar më herët se kurrë Elvana Gjatën. Ka festuar deri vonë pas natës finale të “Top Fest 8”, duke iu gëzuar dy çmimeve, Çmimit të Madh të edicionit të tetë të “Top Fest” dhe “Artisja më e mirë”. “Me ty”, një këngë me tekst dhe kompozim të Flori Mumajesit, ka marrë votat e publikut. “Ishte një ndjesi shumë e bukur. Isha pak e lodhur, emocionet dhe stresi bënë të vetën. Së bashku me Florin kemi punuar gjatë për këtë këngë dhe në një farë mënyre isha e përgatitur që kënga të pëlqehej, por çmimet ishin një surprizë e madhe. Edhe më pas e kisha shumë vështirë ta besoja. Konkurrenca ishte e madhe, sepse në këtë edicion ka pasur këngë shumë të mira dhe të forta”, tregon Elvana, emri i së cilës është shënuar në radhën e fituesve të mëdhenj të “Top Fest”. Është larguar me dy trofe. Atë të Çmimit të Madh ka menduar ta lërë në studion e Florit, si shenjë edhe falënderimi për bashkëpunimin e gjatë që kanë. “Jam shumë e lumtur që i besova edhe këtë herë zgjedhjes së Florit. Nuk do ta harroj momentin e parë kur Flori më tregoi këtë këngë. Ishte shumë e ndier dhe ashtu siç mendoja, u përcoll dhe u prit shumë mirë nga publiku. Nëpër festivale unë e kam ndier veten më mirë me balada. Mendoj që arrij ta përcjell më mirë emocionin
në një baladë”, shprehet këngëtarja. Në fakt, ajo ka provuar të eksperimentojë. Po kaq të popullarizuara kanë qenë edhe këngët e saj ritmike. Është një zgjedhje apo rastësi rryma me të cilën prezantohesh? “Ka të bëjë me një strukturë pune. Unë i vlerësoj shumë kompeticionet live dhe gjithmonë kemi menduar që gjërat t’i ndajmë në mënyrën e duhur. Pasi kisha lançuar disa këngë ritmike që u bënë hite, kishte ardhur momenti të prezantohesha sërish me një baladë. Gjithçka ka qenë e ndarë në kohën e duhur dhe momentin e duhur, ndaj dhe kjo baladë erdhi në kohën e duhur”, thotë Elvana. Në fakt, edhe Flori Mumajesi ka dalë me dy trofe. Si kompozitor ai ka pjesën e tij në Çmimin e Madh, ndërkohë që kënga “Tallava” me të cilën konkurroi si këngëtar mori Çmimin e Internetit. Një këngë e dëgjuar dhe e popullarizuar në maksimum. Duket një strategji për të komunikuar me publikun. Për sa i përket kësaj, Elvana thotë se “çelësi kryesor për ta bërë këngën të pëlqyeshme në publik është muzika dhe këtë gjë e bën Flori. Ai i di telat. Me muzikën e tij bën që kënga të kthehet hit dhe e dashur për dëgjuesit”. Në fakt pjesa më e mirë e këngëtarëve e kanë shijuar interpretimin e finales, më shumë se sa kanë menduar të jenë korrektë në nota. Të njëjtën gjë pohon edhe Elvana. “Është një nga emocionet më të paharrueshme. Kur dola të këndoja, fillimisht isha e përqendruar për të kënduar mirë këngën, por kur dëgjova publikun dhe sallën që këndonte, ishte moment i paharrueshëm. Tashmë e kisha marrë çmimin. Më tej mendova që më shumë se sa të këndoja teknikisht korrekt, duhej të përcillja emocion”, thotë ajo. Në fakt, përgjatë tre muajve “Top Fest” i ka çuar këngët dhe këngëtarët shumë afër publikut. Secili ka pasur preferencat e veta e ndoshta në mendje kishin edhe fituesin. Elvana Gjata ka qenë një nga këngëtaret e përfolura në këtë drejtim. “Të gjitha komentet më shtuan edhe më shumë përgjegjësi.
Të gjithë filluan të flisnin, disa me dashamirësi e të tjerë jo, por kjo më bëri që të punoja edhe më shumë, duke menduar që edhe nëse ndodhte të isha fituese, të ishte e merituar”, shprehet këngëtarja. “Me ty” do të jetë një nga hitet që do të këndohet prej saj në koncertet dhe angazhimet verore. Ndërkohë, në plan në një bashkëpunim me Florin është edhe një album i dytë. “Kemi kohë që punojmë për këtë album. Ka shumë punë, dashuri dhe muzikë të mirë. Mezi po pres të dalë. Besoj se në fund të qershorit do të jetë gati dhe do të jetë një album shumë i mirë”, përfundon këngëtarja, e cila vazhdon t’u gëzohet trofeve të “Top Fest 8”.